Tatimet, referencë për qiranë
Drejtorja Brisida Shehaj flet për të ardhurat. Si do të ndryshojë procedura tatimore
Nga Zamir Alushi
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i propozon Ministrisë së Financave vendosjen e çmimeve të referencës për qiratë e pronave të patundshme. Këtë e deklaroi dje, drejtorja e përgjithshme e këtij institucioni, Brisida Shehaj. Në një bisedë informale me gazetarët, Shehaj renditi arritjet dhe konkluzionet e analizës së punës së Administratës Tatimore.
Qiraja e pronave
Duke shqyrtuar hapësirat e mundshme për evazion fiskal, specialistët e Tatimeve kanë dalë në përfundimin se nevojitet të ketë një tabelë reference për qiratë e pronave të patundshme, ashtu siç ka për çmimet e shitjes së pasurive, sipas zonave të vendit dhe sipas pozicionit të vendosjes në hartat urbane. Kjo do të shmangte evazionin lidhur me pagesën e tatimit mbi të ardhurat, ku hyn edhe qiraja, sidomos për objektet që jepen për biznes. “Nuk ka qira 50 mijë lekë për lokale në zonën e ish- Bllokut në kryeqytet, por megjithatë deklarohen vlera të tilla”, tha Shehaj, duke marrë si shembull rajonin më të shtrenjtë të Tiranës. Ndërkaq, tregu i qirasë ka zhvillime të papritura, sipas Bankës së Shqipërisë. Në qershor 2014, Indeksi i Çmimit të Banesave dhe ai i Qirasë kanë treguar kahe të ndryshme zhvillimi në terma vjetorë. Indeksi i Çmimit të Banesave u ul me rreth 1% në terma vjetorë, ndërkohë që ai i qerasë u rrit me 11%. Raporti ndërmjet Indeksit të Çmimit të Banesave ndaj atij të Qirasë shënoi vlerën 2, duke treguar rënie të lehtë në krahasim me vlerën 2.2 një vit më parë. Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me INSTAT-in, ka ndërmarrë një vrojtim pranë agjencive imobiliare dhe investitorëve të ndërtimit në rang kombëtar. Vrojtimi kryhet me frekuencë tremujore, duke filluar nga tremujori i parë i vitit 2013. Nëse pranohet propozimi i Shehajt, qeveria, çdo vit, krahas hartës së çmimeve të shitjes së pasurive të patundshme, do të miratojë edhe një hartë për qiratë e këtyre pasurive në mbarë vendin.
Tatimi mbi të ardhurat personale (TAP)
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 18.3 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, ose -5.9 për qind më pak se periudha e një viti më parë dhe me realizim të planit për vitin 2014 në masën 98.23 për qind. Ky zë ka ecur mirë për periudhën tetëmujore 2014 me një minus prej vetëm 0.33 miliardë lekë. “Këto lekë janë xhepat e qytetarëve që përfituan nga ulja e tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi”, shprehet Shehaj. Nga 1 janari 2014, tatimi mbi të ardhurat personale u ul për rreth 97% të totalit të të punësuarve në të gjithë vendin, politikë kjo e cila solli një kosto negative në të ardhurat nga kjo taksë, të vlerësuara me minus 1.5 miliardë lekë (tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi). Përgjatë 8 muajve të parë të vitit 2014, sipas Shehajt, të gjithë zërat e tjerë të tatimit mbi të ardhurat personale kanë pasur një trend rritës në krahasim me 7-mujorin 2013, të tilla si: tatimi mbi dividentin dhe aksionet është rritur me 20%; të ardhurat nga tatimet në burim janë rritur me 14%; të ardhurat nga shitja e pasurisë së paluajtshme janë rritur me 74%. Ndërsa tatimi mbi interesat është ulur me rreth 17% në krahasim me të dhënat e vitit të kaluar, si rezultat kjo edhe i rënies së normave të interesit. Shehaj vlerëson se edhe heqja e pagës së referencës ka lënë mundësi për deklarime të rreme të pagave, sidomos nga biznesi i klasifikuar VIP. Shehaj përmend si punë të mirë edhe formalizimin e 45 mijë punonjësve që hyjnë rishtazi në skemën e sigurimeve shoqërore. Ndërkaq, Shehaj njofton se një grup pune po punon për ndryshime që do të propozohen për procedurat tatimore për efekt të uljes së evazionit fiskal.
Sistemi i ri
Kuponi tatimor, sfida e vitit 2015
Kuponi tatimor po bëhet një normë e zbatueshme në terren. “Kemi arritur në 16 milionë e 200 mijë kuponë për një vit”, tha Shehaj. Por ajo thotë se po studiohen forma nxitëse që qytetarët të bëhen të interesuar për faturën e sendeve apo shërbimeve të marra. Po përgatitet një lotari kombëtare me çmime të larmishme, ku do të futen edhe pensione për fituesit. Ndërkaq, Shehaj informon se është gati dhe do të hyjë në funksionim në janar 2015 sistemi i ri informatik i tatimeve që përmban formulë të re automatike për riskun, për rimbursimin e TVSH-së dhe llogaritjen e detyrimeve. Sistemi i ri tatimor do të “gjurmojë” TVSH-në që nga futja e mallrave në doganë deri te konsumatori. Praktikisht, kjo do të kërkojë edhe përshtatjen e funksionimit kasave fiskale me sistemin e ri, që po instalohet nga një grup specialistësh austriakë.
Analiza
Tatimi mbi fitimin, dobët sektori publik
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për 8-mujorin 2014 arritën në rreth 13.9 miliardë lekë, nga 10.3 miliardë lekë të mbledhura një vit më parë, me një rritje prej 35 për qind. Tatimi mbi fitimin është një taksë, e cila ka pasur politikë të re fiskale gjatë vitit 2014, me rritje të normës nga 10% në 15%, duke filluar nga 1 janari 2014. Në bazë të të dhënave të 8-mujorit 2014, kjo taksë ka ecur sipas planifikimit dhe vlerësimeve fillestare të impaktit të reformës. Të gjithë sektorët e ekonomisë kanë ecur mirë me këtë zë, me përjashtim të sektorit shtetëror. Mosrealizimi prej rreth 1 miliard lekësh ka ardhur nga KESH-i dhe CEZ-i.
Nga Tatimet
Hetimi – Shehaj i ka kërkuar prokurorit Llalla që të hetohen ku janë paratë e vjedhura me faturat e TVSH-së
Regjistrimi – Tatimet kanë nisur pajisjen me NIPT të fermerëve. Pa këtë numër nuk mund të merret rimbursimi
Cigaret – Hetimi tatimor po shqyrton rritjen e çmimit të cigareve, si nga tregtarët e shumicës, edhe të pakicës