Të ardhurat, rënie reale 1.6% në 2015, buxhetit i mungojnë 19.7 miliardë lekë
Të ardhurat totale në buxhet për vitin 2015 ishin 378.4 miliardë lekë, me një rritje prej 3.2% në raport 2014-n. Por, duke pasur parasysh që vendi ka pasur një rritje ekonomike të kënaqshme, mesatarisht 2.8% për 9 mujorin dhe inflacioni ishte 2% në dhjetor, rritja reale e të ardhurave ishte negative në vitin 2015, me minus 1.6%, duke treguar një performancë të dobët në rendimentin e punës së administratës tatimore e sidomos asaj doganore.
Edhe në raport me planin e rishikuar në ulje mes të vitit, financave u mungojnë 19.7 miliardë lekë, një gropë kjo e krijuar vetëm në katër muajt e fundit të vitit, që përkon dhe me fillimin e fushatës antiinformalitet, që u shoqërua me një presion të madh të administratës tatimore, sidomos ndaj biznesit të vogël. 66% e mosrealizimit (13.1 miliardë lekë) ka ardhur nga tatimet e doganat. Në raport me një vit më parë, të ardhurat nga tatimet e doganat u rritën me vetëm 2.3%, apo një rënie reale prej 2.7% (duke zbritur rritjen ekonomike dhe inflacionin).
Zëri kryesor që sjell të ardhurat në buxhet, ai i TVSH-së u rrit me 1.5%, duke arritur në 125.5 miliardë lekë. TVSH është një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi dhe performanca e tij e dobët ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e rënies së importeve të cigareve, karburanteve dhe zhvendosjes së konsumit të produkteve ushqimore drejt prodhimit vendas. Në raport me planin, TVSH është zëri me performancën e dytë më të keqe në vlerë absolute (pas akcizës), me 5.6 miliardë lekë më pak.
Tatimi mbi fitimin u rrit me 16.2% me bazë vjetore, në 23.5 miliardë lekë, duke qenë dhe zëri që ka ecurinë më të mirë në krahasim me planin, 1.4 miliardë lekë më shumë. Në dhjetor Bankers Petroleum filloi të derdhë këstet mujore, në bazë të marrëveshjes me organet tatimore, që i kanë ngarkuar një tatim prej 57 milionë dollarësh, teksa AKBN nuk i ka njohur 303 milionë dollarë shpenzime të vitit 2011.
Akciza ka shënuar një rënie me 4.6% në raport me 2014-n, duke arritur në 44.9 miliardë lekë dhe duke pasur nivelin më të lartë të mosrealizimit të planit, me gati 5.9 miliardë lekë. Tkurrja e importeve të cigareve dhe karburanteve ka dhënë efektin kryesor në këtë ecuri negative.
Të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë rritur me vetëm 1.4% në 29.3 miliardë lekë në raport me 2014-n dhe ishte 2.5 miliardë lekë më pak se plani. Nga 1 janari 2015, tatimi mbi fitimet nga dividendi, qiratë dhe gjithë të ardhurat e tjera u rrit nga 10 në 15%, por kjo nuk është reflektuar në buxhet. Sipas financave, arsyeja kryesore e kësaj ecurie lidhet me rënien e interesave të depozitave bankare dhe fitimeve të lidhura me to.
Taksa nacionale dhe të tjera u rrit me 6%, në 34.5 miliardë lekë, duke pasur një ecuri pozitive, pavarësisht se zëri kryesor i saj, renta minerare rezulton me rënie për shkak të uljes së çmimeve të naftës dhe karburanteve.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore ishin vetëm 0.2% më shumë se 12 mujori i vitit 2014, duke arritur në 61.6 miliardë lekë, pavarësisht shtimit në skemë të rreth 70 mijë punonjësve në muajt e fundit të vitit, si rrjedhojë e formalizimit dhe regjistrimit të rreth 39 mijë bizneseve të reja në vitin 2015. Në vitin 2014, sidomos në dhjetor, kishte ndikuar pozitivisht falja e kamatave të sigurove shoqërore në fshat, shkruan Monitor.
Pas performancës së mirë të muajve të parë, si rrjedhojë e të hyrave nga licencat celulare, të ardhurat jo tatimore e mbyllën vitin në 25.4 miliardë lekë, me rritje vjetore 23%, por 5.1 miliardë lekë më pak se plani.