Të dish të dëgjosh në politikë
Nga Xhavit Haliti*
Dëgjimi si funksion fiziologjik, është tjetër gjë nga ajo sa di të dëgjosh, të kuptosh të dëgjuarën në raportet politike. Gjuha është mjeti universal i komunikimit, por që kurrsesi nuk garanton njëllojshmërinë e kuptimit të fjalëve mes folësit dhe dëgjuesit. Sepse fjala, veç anës kuptimore, bart edhe elementin emocional dhe dykuptueshmërinë. Mund t’i thuash dikujt, që të ka ofenduar, “faleminderit”, sikurse mund t’i thuash “shumë mirë”, një tjetri, që ka bërë dukshëm një gabim. Këta shembuj i takojnë të zakonshmes, gjuhës në përdorim të përditshëm, kurse në politikë, ku funksioni i gjuhës për të shprehur mendimin përzihet natyrshëm dhe qëllimshëm me atë të fshehjes së tij, është shumë më vështirë “të dëgjosh” dhe “të kuptosh”.
Ky përfundim mendoj se është i saktë, përderisa ka fituar të drejtën e qytetarisë dhe përdoret rëndom si mëvetësi nga gjuha e përditshme ekzistenca e “gjuhës diplomatike”.
Hendeku dhe përplasja aktuale në institucione dhe në rrugë mes mazhorancës dhe minorancës politike në Republikën e Kosovës ka si nismë, veç luftës për pushtet, edhe moskuptimin, me ose pa dashje të “gjuhës politike” që përdoret në vazhdimësi në raportet tona ndërkombëtare me SHBA-në, BE-në dhe Serbinë.
Opozita, duke iu kundërvënë prej muajsh jo me debate në Kuvend, por me protesta jo aq paqësore, bisedimeve dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel, duket sikur nuk do të kuptojë dhe të dëgjojë ç’na thonë haptas, botërisht, pa diplomaci miqtë dhe aleatët tanë të mëdhenj. Segmentet në minorancë të politikës sonë, mendoj se nuk duan t’i dëgjojnë se çfarë na thanë miqtë. Madje, mbështetjen e tyre të shfaqur me deklarime e veprime (vizita) në mbështetje të konsolidimit të shtetit tonë, po e shpërdorojnë me dhunimin në vazhdimësi prej më se gjysmë viti të punimeve të seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kur dëgjojmë të flitet në politikën ndërkombëtare, por edhe në median botërore, për të mirëkuptuar ato që thuhen, mendoj se duhen pasur parasysh dy veçori; E para, Kosova është shtet europian, në pjesën veriperëndimore të gadishullit të Ballkanit. Pozita gjeografike dhe historia europiane, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dy kolona bazë të mbështetjes së palëkundshme të euroatlantikëve për ruajtjen e pavarësisë dhe të ecurisë së Republikës në rrugën e demokracisë dhe prosperitetit. Po të ishim ndodhur në ndonjë kontinent tjetër, madje edhe në ndonjë cep lindor të Europës, ndoshta do të vazhdonim të mbeteshim jashtë vëmendjes së tyre. Së dyti, si kontribuues me peshë të konsiderueshme për fitoren e luftës sonë çlirimtare, aleatët tanë kanë të drejtën të interesohen dhe kontribuojnë për investimin që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në Kosovë.
Në përgjigje të këtij angazhimi në vazhdim, ne klasa aktuale politike e Kosovës, nuk mendoj se duhet të bindemi, duke përjashtuar “jo”-në, por të dëgjojmë, të përpiqemi të kuptojmë çfarë na thuhet dhe, të diskutojmë për të mirëkuptuar bashkërisht, mazhorancë dhe minorancë, ç’kemi dëgjuar nga miqtë dhe “armiqtë”. U bënë dhjetëra vjet që revolucioni ia la vendin evolucionit. Tashmë askush nuk pret dhe nuk beson se pushteti ndryshon me përdorim gazi lotsjellës në Kuvend, apo koktej Molotovi nëpër rrugë. Thyerja e xhamave dhe goditja e mureve nuk i bën dhe as mund t’i zhbëjë institucionet. Demokracia e përjashton dhunën për mbajtjen e pushtetit, sikurse e shmang dhe ndaj atyre që e synojnë e veprojnë për t’ia marrë.
Kosova e përjetoi dhe e ka të qartë këtë dallim qartazi të dallueshëm te ne, qysh nga shtatori 2015. Zgjedhjet dhe dialogu mes forcave politike janë elementët konstruktivë dhe funksionalë të demokracisë. Të parat sigurojnë qëndrueshmërinë e ndërtesës nga “tronditjet” sociale, i dyti funksionimin normal të shtetit dhe ecurinë progresive racionale mes ekuilibrave të zhvillimit të gjithanshëm të vendit. Ilaçi i vetëm shërues në demokraci është dialogu mes forcave politike. Nuk shpresoj, por besoj, se kjo do të ndodhë së shpejti. Me dialog, Republika e Kosovës do të fitojë staturën e merituar të një shteti europian, pa u përgojuar për hatër të luftës politike.
*Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës