Opinion

Të falësh “Hitlerin”

Nga Andrea Stefani

Kur Adolf Hitleri doli nga burgu pas një dënimi minimal që kish marrë për organizmin e puçit të armatosur në Mynih, shumica e gjermanëve mendonin se ai dhe partia e tij naziste i përkiste së kaluarës. Por u gabuan rëndë. Vetëm pak vite më vonë, duke ndjekur një taktikë vetëm në dukje ndryshe, sepse nuk hoqi dorë nga dhuna por e infiltroi fshehtas me anë të grupeve të sulmit në kapilarët e konkurrencës politike, Hitleri me nazistët, rrëmbyen pushtetin për t’i shkaktuar Gjermanisë dhe mbarë njerëzimit një nga katastrofat më të tmerrshme.

Gjermania e kish falur Hitlerin, por Hitleri nuk e fali Gjermaninë. Dhe as që mund të bënte ndryshe. Karakteri i tij, provuar tashmë shkencërisht se ka qenë vdekjedashës dhe destruktiv, u udhëhoq në çdo moment nga dhuna, konflikti dhe shkatërrimi për të përfunduar me dhunë dhe vetasgjësim. Tragjedia e Gjermanisë dhe e Botës në ato vite, ilustron se çfarë do të thotë që në momente dobësie kombëtare apo trazirash politike, të kërkosh shpëtim te karaktere të tilla duke u falur pushtet që ata, për vetë natyrën e tyre të dhunshme, nuk mund të mos rreken ta shndërrojnë në pushtet sa absolut aq edhe shkatërrues.

Kur e kam krahasuar Sali Berishën me Hitlerin, kam patur parasysh kryesisht një ngjashmëri karakteriale mes tyre, ngjashmëri e faktuar nga dhuna, autokratizmi dhe kulti i individit në karrierën e tyre. Kam patur parasysh edhe pohimin e Jungut se “hitlerët” vazhdojnë të jenë prezentë si demonë në jetën tonë. Por të paaftë për të mësuar nga historia e jonë dhe e të tjerëve, ne e kemi falur disa herë “Hitlerin” e demokracisë sonë. Edhe kur në vitin ’97 armatosi fanatikë paramilitarë për të mbajtur pushtetin e korruptuar me dhunë, edhe kur dhunoi zgjedhjet në vitin 1996, edhe kur në shtator ’98 organizoi një puç të armatosur (fiks si Hitleri në Mynih), edhe kur më vonë sulmoi komisariatin në Tropojë, edhe kur biznesi mafioz i klanit të tij vrau në Gërdec, edhe kur ai vetë dhe kukulla e tij Basha vranë në mes të sheshit në 21 janar.

Tani e falëm përsëri. E fali, në fakt, mungesa e një sistemi që nuk toleron krime të tilla. E falëm edhe pse u bëri thirrje kriminale shqiptarëve: Armatosuni, armatosuni, armatosuni! Qartë, histerikisht dhe pa asnjë ekuivok. Një ulërimë kinse e inspiruar nga kërcënimi i “shullazërve” por që në fakt, gjakonte te shndërronte çdo shqiptar në një bandit të armatosur. Rruga për të mbrojtur popullatën nga kërcënimi i “shullazërve” dhe banditëve nuk është armatosja e shqiptarëve por çarmatosja e banditëve. Edhe e atyre që sot nuk i përmend askush. Të atyre që vetë Berisha ka qenë i pari që i ka përdorur për rrëmbim votash që në vitin ‘96 kur inaguroi vesin e grabitjes së zgjedhjeve në Shqipëri.

T’u kërkosh shqiptarëve të armatosen “për vetëmbrojtje” kundër shqiptarëve, është ta shtysh shtetin në gjendjen hobesiane të natyrës, ku secili i lan vetë hesapet me secilin. Eshtë taktika më dinake, në emër të gjoja mbrojtjes së “popullit”, për rrënimin e atij pak shteti që është ndërtuar në Shqipëri. Eshtë përpjekja destruktive për t’u dhënë edhe një provë tjetër armiqve të shqiptarëve se këta nuk bëkan dot shtet. Ashtu si viti ’97 kur rrënoi shtetin për pushtetin, ashtu si dhe në shumë raste të tjera kur ka sakrifikuar gjithçka e këdo për pushtetin, me thirrjen e tij Berisha provoi se është i sunduar nga një instinkt vdekjedashës që nuk mund të mos e shtyjë drejt rrënimit këdo që i nënshtrohet udhëheqjes së tij. Thelbi i thirrjes së tij për armatosje është të “konfirmojë” dështimin total të shtetit në Shqipëri.

Eshtë fakt që në Shqipëri nuk ekziston shteti ligjor, por një shtet hibrid me pushtete mjaft të korruptuara. Ekziston një shtet (edhe në sajë të kontributit 20 vjeçar të Brishës si “burrë shteti”) me dobësi të shumta që nuk mbron dot mjedisin, pyjet, lumenjtë por që dy vitet e fundit, gjithsesi, ka bërë disa përpjekje të suksesshme për t’i dhënë fund antishtetit si vjedhje masive të energjisë, kultivim ilegal të hashashit apo ndërtimesh kaotike dhe pa leje. E vërteta është se shqiptarët, në këto rrafshe, e kanë ndjerë më shumë praninë e shtetit si edhe të rendit. Jo rastësisht në anketat e fundit, institucioni që ata vlerësonin më lart ishte policia. Dhe do ta ndjejnë më shumë nëse arrin të kryhet një reformë që do të mund të themelojë një pushtet drejtësie që jep realisht drejtësi duke ndëshkuar krimin dhe korrupsionin.

Pikërisht në këtë moment, Berisha del me tezën e mungesës totale të sigurisë dhe bën thirrje që shqiptarët të armatosen! Pse? Se ka merakun e shqiptarëve? Jo, por se ka hallin e vetes dhe klanit të tij që kërcënohen nga drejtësia që shfaqet në horizont. Prandaj është i gatshëm të bëjë kurban edhe shtetin. Thirrja e tij është thirrja e antishtetit. E ka mbajtur pushtetin nja 16 vjet me antishtet dhe tani kërkon ta rimarrë përsëri duke shpikur apo duke ndjellë antishtetin. Në rrënjë të këtyre thirrjeve për armatosje të shqiptarëve, nuk është vështirë të dallosh nxitjen e dhunës (të shqiptarit kundër shqiptarit) dhe destruksionin si rrënim të shtetit. Ka në të një etje për dhunë dhe viktima. Elias Kaneti e ka shkruar se parlamentarizmi shfrytëzon strukturën psikologjike të ushtrive në betejë dhe se partitë parlamentare vazhdojnë të luftojnë duke hequr dorë nga vrasjet. Me Berishën dhe berishizmin nuk ndodh kështu. Në momente disfatash, ndizet tek ata etja fashiste për viktima destabilizuese si i vetmi shteg ringritës. Jo vetëm “2 prilli” por edhe puçi i 14 shtatorit, janë ilustrues të kësaj taktike me arkivolë në ballë.

Siç tregoi edhe një anketë e NDI, vetëm rreth 13 përqind e shqiptarëve janë të kënaqur me këtë lloj opozite destruktive ndërkohë që afër 70 për qind e tyre deklarohen të pakënaqur me të. Edhe me qeverinë ka shumë të pakënaqur. Rreth 57 përqind. Dhe kam mendimin  nga që e shikojnë që nuk ka luftuar që të bëhet drejtësi, që të ndëshkohen fajtorët e Gërdecit, 21 janarit e të shumë krimeve e korrupsioneve të tjera. Janë të pakënaqur me “Rilindjen” sepse, ndryshe nga ç’premtoi, e ka falur “Hitlerin”. Siç po e fal përsëri…

Dhe meqenëse kemi për referencë Hitlerin, është interesante të vëresh se, sipas një studimi të bërë nga një grup psikanalistësh në prag të ardhjes së nazistëve në pushtet, kish rezultuar se po rreth 10-15 përqind do të ishte mbështetja fanatike për Hitlerin. Kjo mbahet, përgjithësisht, si mbështetja më minimale, por edhe më e pashkatërrueshme, që i ka rrënjët në afërsinë karakteriale dhe psikologjike të diktatorit dhe diktaturës me një pjesë të turmës. Tashmë edhe mbështetja për destruktivistin dhe nekrofilin Berisha, është reduktuar ekzaktësisht në kufijtë e këtij solidariteti narcist të grupit me idhullin e tyre të ngritur në kult. Eshtë konstatuar se thuajse po kaq, është ajo përqindje e popullsisë që, për nga karakteri i saj biofil, do kundërshtonte deri në fund çdo diktator e diktaturë dhe nuk do të nënshtrohej. Pjesa tjetër, prej 70 përqindësh e popullsive, zakonisht nuk mbështet vendosmërisht asnjërin prej opsioneve. Pra as diktaturën dhe as lirinë. Por do t’i bashkangjitet me duartrokitje hipokrite opsionit fitimtar, e nxitur nga nevojat a përfitimet e momentit.

Prandaj nuk është ndonjë siguri e madhe ta shohësh një tip hitleri si Berisha, të mbështetet me fanatikisht vetëm nga 13 për qind e shqiptarëve. Sepse nuk është pak. Aq më tepër të tolerosh veprime dhe thirrje të tij që mobilizojnë fanatikë agresivë të ngrihen edhe me armë kundër sistemit. Sepse është një dobësi që i ekspozon berishistët më të fortë sesa në fakt janë. Dhe kulti i forcës i tërheq masat si magneti tërheq tallashin e hekurit. Masat kanë përbuzje për dobësinë dhe i përulen të fortit. Kush tregohet i dobët, e pëson si Boris Godunovi. I përbuzur nga masat edhe pse rreket t’u bëjë mirë. Rrjedhimisht, pandëshkueshmëria e një lidershipi të korruptuar dhe kriminalizuar, që edhe në Kuvend qëndron me arrogancë mbi rregulloren, nuk mund të mos lexohet si forcë, si pathyeshmëri e tij. Një kult mbiligjor force që mund të sugjestionojë në fund fare, masa njerëzish të shkojnë pas berishistëve të tërhequra nga një iluzion dythelbor: I një pakice “të pathyeshme” që edhe kur pëson disfatë këndon fitoren dhe hidhet në sulm, si dhe i një shumice disfatiste që edhe kur fiton, kalon në mbrojtje. Atëherë nuk do të kishte gjë që t’i ndalte. Pas kësaj, një Shqipëri europiane, me një qeverisje të popullit, nga populli, dhe për popullin do të ishte më e pamundur se kurrë. Ja ç’do të thotë të falësh pafundësisht Hitlerin e kohës dhe vendit tonë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button