Të gjitha detajet e reformës në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor (raporti përfundimtar)
Ndryshimet në arsimin e lartë do të jenë të shumta, duke nisur nga forma e zhvillimit të procesit mësimor, përzgjedhja e drejtuesve në nivel fakulteti, rikthimin e departamenteve, ndryshimin e skemës së financimit të studimeve, si dhe zhvillimet në fushën e kërkimit shkencor. Ndonëse gjatë muajve të fundit raporti paraprak i reformës në arsimin e lartë është shoqëruar me debate të shumta, Komisioni ka zbardhur gjatë ditës së djeshme Raportin Përfundimtar në të cilin reflektohen të gjitha ndryshimet që do pësojnë organizimi dhe funksionimi i universiteteve qofshin këto publike apo private.
Në prezantimin e raportit final ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e arsimit Lindita Nikolla theksi është ndalur tek detajimet që do të pësojë skema e financimit të universiteteve. Sipas planit të propozuar, skema e financimit do kushtëzohet nga tre grantet, që do përdoren për hartimin e zhvillimin e politikave, financimin e mësimdhënies dhe zhvillimin e kërkimeve shkencore. Sa i takon studimeve me fondet e shtetit do të mbulohen si nxënësit e ekselencës, ashtu edhe ato kategori që klasifikohen si në nevojë. Por, ky financim do të shkojë vetëm për ciklin e parë të studimeve 3-vjeçare “bachlor”.
Skema do të përfshijë edhe strukturat private të arsimit të lartë, por vetëm me kushtin që ato të shndërrohen në institucione jofitimprurëse. Hartuesit e draftit pranojnë që do të ketë një rritje të tarifave të studimeve. Pasi qeveria të përcaktojë me vendim të posaçëm nivelin minimal dhe maksimal të tarifës, do të jetë vetë universiteti që zgjedh. Ndërsa financimi për punë kërkimore shkencore do të bëhet i hapur dhe me konkurrim nga çdo individ dhe nga çdo fakultet. Sa i takon zgjedhjes së drejtuesve të universiteteve në raport thuhet se do të marrin pjesë vetëm pedagogët që janë të punësuar me kohë të plotë.
Vota e tyre do të përdoret për zgjedhjet e senatit, rektorit, dekanit dhe shefit të departamentit. Ndërsa në nivel departamenti thuhet se në mbledhjet e pedagogëve do të marrin pjesë edhe studentët. Bordi administrativ është një tjetër organ përgjegjës që do të ketë vetëm kompetenca mbikëqyrjeje dhe jo vendimmarrëse sa i takon zbatimit të skemës së financimit, dhe në rast se fakulteti dështon atëherë do të jetë përgjegjësi e bordit. Ndryshojnë edhe rregullat e dhënies së titujve akademikë. Duhen minimalisht 10 vite punë në fushën e kërkimit nga institucioni përkatës deri në lëshimin e titullit akademik.
E gjithë skema e kontrollit të financimit të universiteteve, pranimit të studentëve dhe zhvillimit të kërkimeve do të mbikëqyret nga 4 agjencitë e reja që raporti parashikon të krijohen. Ndërkohë që drejtuesit e universiteteve kanë kundërshtuar përqendrimin e kontrollit të çdo veprimtarie të fakulteteve nga këto agjenci, çka sipas tyre pengon autonominë universitare.
Plani i detajuar i ndarjes së bursave për më të mirët dhe të varfrit
Financimi kryesor i universiteteve do të bëhet nga Shteti. Më shumë fonde do të shkojnë për ato struktura të arsimit të qartë që dëshmojnë performancën më të mirë, në raport me numrin e studentëve që kanë. Burime të tjera financimi mund të jenë edhe autoritetet lokale, investimi i biznesit, tarifat studentore, donacionet, veprimtaria ekonomike e të tjera.
Financimi shtetëror bëhet mbi bazën e tre granteve:
1 Granti i Politikave të Zhvillimit – Ky grant është shumë i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe jepet vetëm për universitetet publike. Ministria e Arsimit në bazë të politikave të saj, përcakton përparësitë për këtë grant dhe e shpërndan atë mbi bazën e aplikimit apo të përparësive strategjike të zhvillimit të vendit. Shpërndarjen e këtij granti e bën Agjencia Kombëtare e Financimit (AKF).
2 Granti i Mësimdhënies – Ky grant përbën pjesën kryesore të mbështetjes nga shteti për arsimin e lartë dhe mbulon të paktën 60 për qind të financimit shtetëror në arsimin e lartë dhe shpërndahet nga AKF. Ai përbëhet nga:
Fondi institucional – u jepet IAL-ve publike, i përllogaritur në bazë të numrit të studentëve që ndjekin ciklin e parë të studimeve, drejtimin e programeve studimore, si edhe numrit të personelit akademik. Ky fond garanton funksionim bazë të IAL-ve publike.
Fondi i mbështetjes studentore – përbëhet nga tre zëra financimi:
Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me rezultatet më të larta në nivel kombëtar, pavarësisht nga programi i studimit dhe IAL-së publike ose jopublike, të përzgjedhur prej tyre.
Bursat për studentët në programet parësore u jepen studentëve që zgjedhin programet parësore në IAL-të publike. Sipas rastit, bursat mund të përfitohen nga të gjithë studentët e një programi parësor ose nga studentët më të mirë që zgjedhin programin, pavarësisht se në shkallë kombëtare nuk klasifikohen si studentë të shkëlqyer.
Bursat socialeu jepen të gjithë studentëve që përmbushin kriteret e kategorisë “në nevojë” dhe janë shpallur fitues në IAL-të publike.
3 Granti i Punës Kërkimore Shkencore– Ky grant është shumë i rëndësishëm për të nxitur punën kërkimore-shkencore dhe ka munguar deri diku në sistemin e arsimit të lartë në vend dhe nga ky grant mund të përfitojnë të gjitha universitetet pa përjashtim. Jepet për punën shkencore (përfshi doktoratat), ku përfitojnë si strukturat universitare publike dhe private. Shpërndarja e fondeve bëhet nga agjencia mbi bazë merite. Çka do të thotë se këto fonde do të shkojnë për ato universitete që renditen më lart në procesin e rankimit pavarësisht statusit publik apo privat.
*********
Skema se si do të funksionojnë Universitetet
Senati, Rektori dekani do zgjidhen vetëm me votat e pedagogëve të brendshëm
Reformohet sistemi i zgjedhjeve. Parimi kryesor i zgjedhjeve është që drejtuesit të zgjidhen nga grupe që kanë njohuri të drejtpërdrejta mbi kompetencat dhe rolin e tyre. Në rastin e senatit, rektorit, dekanit apo shefit të departamentit, në zgjedhje duhet të marrë pjesë vetëm personeli akademik me kohë të plotë i institucioneve të arsimit të lartë.
Departamenti do marrë çdo vendim në fakultet
Departamenti kthehet në njësinë bazë të vendimmarrjes. Departamenti merr më shumë kompetenca që lidhen me procesin e pranimit të studentëve, të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, përgatitjen e strategjisë së zhvillimit të universiteteve , karrierën shkencore për fitimin e gradës “Doktor i shkencave”, propozon numrin e programeve dhe numrin e studentëve për çdo program, e të tjera.
Studentët do jenë pjesë e mbledhjes me pedagogët
Rritet përfaqësimi i studentëve në mbarëvajtjen e universitetit. Ky i fundit është përgjegjës për krijimin e kushteve logjistike dhe financiare për organizimin e studentëve. Studentët përfaqësohen në një numër Komisionesh të Përhershme brenda fakulteteve që merren me çështjet e tyre të drejtpërdrejta. Sugjerohet futja e mbledhjes së përbashkët të personelit akademik dhe të studentëve në nivel departamenti.
Bordi Administrativ vetëm do mbikëqyrë
Anëtarët e Bordit propozohen nga universitetet, MAS dhe Autoriteti lokal dhe zgjidhen nga Senati; Individët që propozohen për anëtarë të Bordit përzgjidhen për kontributin e tyre të shquar në shoqëri. Bordi është organ mbikëqyrës, por jo drejtues. Mbikëqyr dhe miraton strategjinë e zhvillimit dhe anën financiare të universitetit. Bordi është përgjegjës për garantimin e politikave të stabilitetit/rritjes institucionale. Bordi mban përgjegjësi ligjore për dështimin financiar dhe mospërmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë. Organi akademik vendimmarrës më i lartë është Senati. Senati mbulon dhe miraton të gjitha çështjet akademike të universitetit.
Kushtet për lëshimin e titujve Akademikë
Përmirësohet procesi i dhënies së titujve dhe e promovimit akademik. Vlerësimi dhe promovimi i personelit akademik duhet të kalojë në kompetencë të plotë të vetë universiteteve. Për këtë është e domosdoshme të përcaktohen drejt kriteret kombëtare të promovimit të personelit akademik dhe Këshilli i Ministrave ka për detyrë të hartojë dhe MAS-i të mbikëqyrë zbatimin e këtyre kritereve. Kriteret që duhet të përmbushë universiteti janë::
a) të ketë ushtruar veprimtarinë e tij akademike pa ndërprerje, për jo më pak se 10 vjet nga krijimi;
b) të jetë domosdoshmërish i akredituar nga ASCAL-i;
c) të ketë jo më pak se 18 profesorë të punësuar me kohë të plotë;
d) të ofrojë programe studimi të doktoratës në fushat e studimit ku mund të japë tituj akademikë. Komisioni sugjeron që sistemi të thjeshtëzohet në tre tituj, Lektor, Profesor i Asociuar dhe Profesor.
Kontrata e punës për pedagogët
Çdo pedagog mund të punësohet me kontratë të përhershme vetëm si lektor dhe ky duhet të ketë fituar gradën “Doktor i Shkencave” përpara punësimit. Duhet të hiqet titulli “Docent” për prurjet e reja. Promovimi nga “Lektor” në “Profesor i Asociuar” duhet të bëhet pas një periudhe jo më pak se 5-vjeçare dhe sipas rregullave të brendshme të çdo universiteti. Periudha është e njëjtë edhe për promovimin nga titulli “Profesor i Asociuar” në titullin “Profesor”. Sugjerohet të ndalohet punësimi me kohë të plotë në më shumë se një institucion të arsimit të lartë dhe në çfarëdolloj veprimtarie akademike të paautorizuar jashtë institucionit, gjatë kohës normale të punës.
*******
4 Agjencitë që do kontrollojnë arsimin e lartë, pranimet dhe skemën e financimit
- Raporti përfundimtar parashikon krijimin e Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKF), një institucion i ri në menaxhimin e sistemit të arsimit të lartë dhe i organizuar nga një bord akademikësh dhe menaxherësh, që ka pavarësi në vendimmarrjen e tij. Anëtarët e bordit emërohen nga MAS-i pas propozimeve të bëra nga vetë universitete në vend. AKF shpërndan fondet publike sipas politikave qeverisëse për çdo strukturë të arsimit të lartë.
- Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI) shndërrohet në Agjencinë Kombëtare për Kërkimin Shkencor (AKKSh). Organ me autonomi të theksuar i drejtuar nga një bord akademikësh të zgjedhur dhe emëruar nga Ministria e arsimit. Kjo agjenci ka për qëllim kryesor shpërndarjen e fondeve të punës kërkimore-shkencore mbi bazë aplikimi si dhe fondet për studimet e doktoratës.
- Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) shndërrohet dhe merr kompetenca të zgjeruara në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) veçanërisht në kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së mësimdhënies. Statusi i kësaj agjencie duhet të qartësohet me perspektivën për t’u shndërruar në një agjenci të pavarur me vetë-financim e ngjashme si agjencitë e rrjetit evropian (ENQA). Këshilli (Bordi) i Akreditimit sugjerohet të përbëhet nga ekspertë vendës dhe të huaj. Bordi i Akreditimit funksionon si ent më vete nga ASCAL-i.
- Krijohet Agjencia Kombëtare e Aplikimit Universitar (AKAU). Ky institucion është një ide e re në kushtet e Shqipërisë. Është agjenci varësie e MAS-it, dhe do të ketë katër funksione kryesore: a) Organizimin e aplikimit studentor, matrikullimin, provimin e shtetit për profesionet e rregulluara, menaxhimin e bazës së të dhënave universitare. Detyra kryesore e kësaj agjencie është organizimi i aplikimit universitar për çdo kandidat dhe çdo institucion, publik apo jopublik.
- Tarifa dysheme vendoset për të tria ciklet e studimit, ndërsa tarifa tavan vendoset vetëm për
- ciklin e parë të studimeve Bachelor.
- Shtresat në nevojë financohen nga shteti me fond të veçantë (bursa sociale), sipas kritereve dhe kushteve përkatëse.
- Studentët e ekselencës financohen nga shteti,pavarësisht nga statusi i tyre ekonomik.
- Tarifa referencë për ciklin e parë të studimeve vendoset për programet e studimit, në përputhje me specifikat përkatëse (shkencat humane; shkencat e natyrës, inxhinierike dhe mjekësore; artet dhe sportet, e të tjera).
- Për ciklin e dytë dhe të tretë të studimit, qeveria nuk përcakton tarifë tavan, por vetëm tarifë dysheme për të shmangur rastet abuzive të vendosjes së tarifave që nuk mund të garantojnë cilësi.
Zbatimi vetëm për studimet 3 vjeçare “bachelor” / Pikët minimale për të hyrë në universitet do vendosen nga Qeveria
Numri minimal i pikëve që duhet të fitojë kandidati për të pasur të drejtë të aplikojë për të ndjekur studimet në ciklin e parë (Bachelor) do të përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Nga ana tjetër çdo universitet ka të drejtë që të përcaktojë edhe kritere shtesë për studnetët që do të pranojë. Për ciklin e dytë të studimeve (Master), Agjencia e Aplikimeve do të bëjë vetëm organizimin e aplikimit për efekt matrikullimi dhe transparence. Kjo agjenci ka për detyrë të bëjë transparente notat mesatare të pranimeve të studentëve në ciklin e parë edhe të dytë për çdo universitet. Ndërkohë që vetëm në fzën e dytë të vënies në jetë të reformës, do të aplikohen kritere minimale për të kushtëzuar pranimet në programet e ciklit të dytë, Master i Shkencave.
Si do ndryshojnë tarifat / Qeveria vendos kufijtë minimal e maksimalë, universiteti zgjedh
Tarifat e studimeve do të përcaktohen nga vetë universitetet, por vetëm pasi të jenë vendosur kufijtë maksimalë Këshilli I Ministrave. Niveli maksimal i tarifave të studimeve për programet e ciklit të parë caktohet me vendim Qeverie. “Shteti përcakton kufijtë minimalë (për të dy sektorët, publik dhe jopublik) dhe maksimalë (vetëm për sektorin publik) të tarifave studentore (mbi bazën e kostove të studimit). Ndërkohë që financimet nga shteti do të shkojnë kryesisht për studimet e nivelit të parë “bachelor”. Në lidhje me ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve universitare, qeveria mund të mbështesë me bursa e financime të plota apo të pjesshme një pjesë të programeve, kryesisht në ato drejtime që korrespondojnë me përparësitë, objektivat strategjikë dhe politikat themelore të zhvillimit të vendit. skema e financimit duhet të parashikojë përfshirjen e kredisë studentore si mundësi për mbështetjen e studimeve. Një opsion tjetër për studentët që nuk mund të vijojnë studime është edhe marrja e kredisë studentore, Kredia studentore duhet të jetë e hapur për të gjithë ata, të cilët janë regjistruar në të gjitha ciklet e studimit.