Arte

Të jesh artist në Shqipëri, mision i pamundur

Blerina Jakova Ristani / Vetëm pak ditë më parë, artistja interpretoi në një koncert në Akademinë e Arteve nën dirigjimin e gjermanit Ekhart Wicik 

blerina ristaniBlerina Jakova Ristani mund të flasë gjatë për ato çfarë ndien teksa gishtërinjtë e saj humbasin në telat e violinës dhe gjithë ajo muzikë që del prej tyre pushton hapësirën. Muzika është gjithçka në jetën e artistes që prej gati 20 vitesh ushtrohet në këtë lëmë. Vetëm pak ditë më parë, ajo ishte soliste në një koncert, ku në program ishte Bethoven, Shostakovich, Brahms, i cili u prit me duartrokitje nga publiku. Më poshtë, në një intervistë, Blerina flet për emocionet e këtij koncerti, kujtimin për profesor Ibrahim Madhin dhe artistët e rinj sot …

Vetëm pak ditë më parë, ju interpretuat në skenën e Akademisë së Arteve në një koncert për violinë e orkestër, me një repertor të zgjedhur nga Bethoven apo Brahms … Si janë ndjesitë pas këtij koncerti?

Ishte një nga ato koncertet ku spektatori, sapo sheh ftesën, programin, veprat që do të interpretohen, e ndien se ky do të jetë një koncert i fortë. Salla ishte e mbushur plot, gjë jo e zakonshme për një koncert simfonik; e konfirmoi parashikimin e parë. Veprat ishin të tria shumë me peshë e tërheqëse për publikun. Egmond, uverturë nga Bethoven ishte një hyrje shumë dinjitoze e trajtuar me një frymë thellësisht të ndier, brenda karakterit heroik të gjuhës shumë të pasur e harmonike, që një dirigjent gjerman di shumë mirë ta nxjerrë në pah.

Ky koncert ishte nën drejtimin e dirigjentit gjerman Ekhart Wicik. Çfarë solli ky kombinim me një artist të huaj?

Dirigjenti gjerman Ekhart Wicik, vinte për herë të dytë në Shqipëri, pas eksperiencës së parë me orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit, një vit më parë. Ardhja e tij ishte një ngjarje për skenën shqiptare dhe për orkestrën e RTSH-së. E veçanta e koncertit ishte koncerti nr. 2 për violinë e orkestër i kompozitorit Dmitri Shostakovich, i interpretuar për herë të parë në skenat tona, nga unë. Ky ishte një koncert i veçantë, pasi kompozitori e ka shkruar për një mjeshtër të interpretimit të violinës, David Oistrah, një nga gjenitë e violinës, bashkëkohës me kompozitorin! Duke pasur parasysh cilësitë e këtij gjeniu (teknike perfekte muzikalitet, ndjeshmëri e lartë), ky koncert paraqet një vështirësi të lartë, si teknike ashtu dhe konceptuale! Por, unë e kam dashur muzikën e Shostajovich qysh në eksperiencat e mia të para me këtë muzikë. Për shumë njohës të muzikës, por jo vetëm, muzika e tij duket e errët, me ngjyra gri, e vrazhdë, shpesh protestuese! Është e vërtetë ndoshta dhe për më shumë cilësi të tjera “jo të zakonshme” krahasuar me muzikën romantike. Si adhuruese e kësaj muzike dhe e këtij kompozitori, ndoshta është më e thjeshtë të zbuloj historinë që kjo muzikë mban brenda. Fazat që kalon çdo instrumentist interpretues gjatë kohës së përgatitjes, janë gati-gati si zbulimet arkeologjike, ku ti si interpretues merr ditë pas dite kënaqësinë e zbulimit të mistereve të kësaj muzike. Duhet ta duash një vepër që luan, deri aty ku të mund t’i lejosh vetes, që të dalësh nga gjendja jote e zakonshme dhe të futesh në magjinë e kësaj muzike. Koncerti i Shostakovich-it, ndonëse i luajtur për herë të parë, u prit me duartrokitje të forta, të ngrohta e të gjata, gjë që më bëri të ndihem shumë mirë dhe e bindur për punën e “historinë” që po i përcillja publikut përmes kësaj muzike kaq të ndjeshme, dhe thellësisht profesionale. Vepra e tretë e këtij koncerti ishte gjithashtu një vepër shumë e rëndësishme simfonike, simfonia nr. 2 e Brahmsit, që u trajtua mjeshtërisht nga dirigjenti i shkëlqyer Ekhart Wicik dhe pati gjithashtu një reagim shumë të mirë nga publiku!

Ju vini nga shkolla e profesorit Ibrahim Madhi … Si e kujtoni kohën me mjeshtrin dhe sa i mungon sot ai skenës shqiptare?

Si ish-studente e mjeshtrit Ibrahim Madhi, ndihem sot shumë krenare dhe e privilegjuar që pata fatin të mësoj prej tij filozofinë e lojës në violinë, të fshehtat misteret e teknikës dhe ndjeshmërisë muzikale, që realisht janë gati-gati të pashpjegueshme, por për të tillë muzikantë, si prof. Ibrahim Madhi, mjaftonte që ai të futej në botën e tij të zbërthimit dhe të analizës muzikore të çdo vepre dhe çdo gjë kishte një rrugë të sigurt të realizimit plotësisht artistik të saj.

Sa hapësira kanë artistët e rinj për të zhvilluar një karrierë artistike në Shqipëri?

Sot, të rinjtë artistë, të sapodalë nga shkolla, natyrisht që e kanë shumë më të vështirë se dhe vetë moshatarët e tyre të degëve të ndryshme. Të jesh artist në Shqipëri është një mision gati i pamundur, por në gjykimin tim si orkestrante prej 19 vjetësh, si koncertmaestër prej gati pesë vjetësh dhe si pedagoge e jashtme në Universitetin e Arteve, mendoj se ndonëse jetojmë në një vend të vogël dhe me shumë probleme social-ekonomike, gjithmonë kemi nxjerrë dhe vazhdojmë të nxjerrim artistë denjësisht konkurrues në të gjithë botën. Mendoj që sa kohë këta të rinj nuk mund t’i mbaj e t’i japë mundësinë e shkëlqimit vendi i tyre, bota e zhvilluar do t’i çmojë e admirojë dhe ne do të na mbetet vetëm të themi se ata janë shqiptarë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button