Të ndryshosh botën përmes fotografisë
Një fotograf që endet rrugëve të Nju Jorkut duke fotografuar portretet e njerëzve dhe duke dëgjuar historinë e tyre, shkoi në Pakistan dhe preku zemrat e miliona njerëzve, të cilët dhuruan para për kauzat e dhembshme
Pasi Brandon Stanton, fotografi pas foto-blogut të njohur gjerësisht në botë “Humans of New York”, udhëtoi në Pakistan këtë verë, ai dokumentoi histori të pabesueshme të njerëzve në jetën e tyre të përditshme. Dhe reagimi që pasoi foto-historitë e tij, është një nga më të mëdhenjtë që ka prodhuar kjo faqe deri më tani.
Ndër fotot e publikuara nga Pakistani, shfaqej historia e Syeda Ghulam Fatima, një aktiviste në Lahore, e cila punon së bashku me bashkëshortin e saj për t’i dhënë fund punës së detyruar, një praktikë e identifikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, si një nga format më të përhapura të skllavërisë moderne në shtetin aziatik jugor.
“Mbi 20 000 furra tullash operojnë në Pakistan, mbështetur nga miliona punëtorë dhe sistemi është kryesisht i mbështetur nga një vijë e hollë e skllavërisë dhe punës së detyruar”, shtoi Stanton. “Nëse punëtori vdes, borxhi u kalohet fëmijëve të tij apo të saj. Praktika është e paligjshme. Për shkak të pushtetit ekstrem dhe pasurisë së pronarëve të fabrikave, ligji shpesh nuk zbatohet në zonat rurale”, lajmëroi fotografi.
Përmes punës së saj me OJQ-në “Fronti i çlirimit nga puna e detyruar”, Fatima po përpiqet t’u japë punëtorëve të lidhur me kushtet shfrytëzuese në furrat e tullave në vend, asistencë ligjore, edukim dhe rehabilitim, për të cilat ata kanë nevojë që t’i shpëtojnë skllavërisë.
Fatima gjithashtu u shfaq në një minidokumentar në kanalin investigativ VICE në fillim të këtij viti. Sipas Stanton, pengesat janë të mëdha; të paktën një milion burra, gra dhe fëmijë në këtë shtet përballen me një borxh që përgjatë jetës, sa vjen e thellohet dhe me punën e vështirë në furrat e tullave.
Në Pakistan, pronarët e fabrikave të tullave janë aq të pasur, saqë ndikojnë te policia dhe zyrtarët që të kenë mbrojtjen e tyre. Fatima është kërcënuar, rrahur, torturuar me rrymë elektrike dhe madje plagosur, për shkak të punës së saj.
Adhuruesit e faqes “Humans of New York” kanë marrë përsipër të ndihmojnë në punën e saj të vështirë kundër shfrytëzimit dhe skllavërisë. Më shumë se 2 milionë dollarë janë dhuruar vetëm gjatë tri ditëve në një fushatë të cilën Stanton e lançoi për të mbështetur punën e Fatimas.
“Ju faleminderit të gjithëve që hapët zemrat tuaja dhe dhuruat për kauzën tonë. Mezi po i gjej fjalët, nuk mendoj se ka fjalë që do të tregojnë sesa mirënjohëse ju jam”, tha Fatima pas marrjes së donacionit.
“Është një hap i madh për punëtorët fakti që kanë marrë kaq shumë vëmendje dhe që zërat e tyre kanë arritur në një shkallë globale dhe po dëgjohen”, tha ajo. “Me këtë shpresojmë t’i japim fund punës së detyruar në Pakistan.”
Fansat gjithashtu i erdhën në ndihmë një nëne të sëmurë në Lahore, e cila ishte larguar nga një marrëdhënie e dhunshme dhe po përpiqej shumë të gjente strehim dhe një trajtim mjekësor, sipas Stanton. Ajo ka ndryshuar vendqëndrimin dhe një banor vendas ka ndërhyrë që t’i ofrojë asaj të gjithë ndihmën e duhur.
Fotot kanë treguar gjithashtu një anë të Pakistanit që nuk merr shpesh mbulim nga media ndërkombëtare, e cila përpiqet të fokusohet në sfidat e vendit me dhunën. Por ky problem shkon edhe më tej.
“Duket sikur dhuna është e vetmja lente përmes së cilës shihen në media njerëzit e zakonshëm në Pakistan. Edhe nëse ka një histori rreth një bande pakistaneze roku, kjo do të vihet në kontekstin e një shoqërie të dhunshme. Nuk ka asgjë false rreth perspektivës. Pakistani ka një problem me dhunën.
Dhuna përdoret për të mbyllur gojën e gazetarëve, gjykatësve dhe studiuesve fetarë të moderuar. Dhe duket se po përkeqësohet. Sa herë shoh dikë në televizion që flet me zemërim rreth ekstremizmit dhe korrupsionit, lutem për të. Çdo herë një nga këta njerëz vritet, të tjerët që duan të bëhen si ata frikësohen.
Pra, nuk është se raportimet e dhunës janë false. Ato janë vetëm një pjesë e vogël e së vërtetës. Ka shumë gjëra të tjera këtu të cilat ne po i jetojmë. Por ka shumë lajme kudo në botë, ndaj lajmet më të tmerrshme nga Pakistani zënë vend në to”, thotë një e re e intervistuar.
*Burimi: Huffington Post