Teater

Të rinj, për të shkruar drama shqipe

Stefan Çapaliku ngre në teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli” “Punishten dramatike 1″

Aktoret, Bruno Shllaku, Reshat Arbana, Tinka Kurti dhe Valbona Imami, duke interpretuar, gjate proves gjenerale teee shfaqes, Golgota e Shqipes teater_1Teatri duhet të kthejë kohët e arta të dramaturgjisë shqipe. Prej vitit 1974, drama shqipe është futur në një krizë nga e cila nuk ka dalë ende, pavarësisht prurjeve sasiore në këtë gjini. Teatri kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka bërë publik dje një projekt që synon të rikthejë vëmendjen nga dramaturgjia, dhe të ndihmojë në rritjen e saj. “Punishtja dramatike 1″, një ide e regjisorit dhe dramaturgut Stefan Çapaliku, tenton të mbledhë dhe të bëjë produktiv të rinj me interesa në fushë të krijimtarisë dramatike, që kanë mbaruar shkollën e lartë për teatër, letërsi a shkenca shoqërore dhe që duan të mësojnë artin e shkrimit dramatik. “Punishtja dramatike” kërkon të edukojë artistikisht në fushë të shkrimtarisë dramatike nëpërmjet seancave të shkrimit dhe konsultimeve teknike. “Synohet ngritje kapacitetesh njerëzore në fushë të shkrimtarisë për teatrin, nëpërmjet bisedave dhe konsultimeve me literaturën bashkëkohore në fushë të teknikave dhe teknologjive të shkrimit. Rritje dhe zhvillim audiencash nëpërmjet leximeve skenike dhe organizimit të dialogut krijues”, thotë Çapaliku. Aktivitetet e propozuara janë pjesë integrale e programeve më të mira të praktikave shkrimore europiane dhe vijnë si rrjedhojë e pjesëmarrjes së drejtuesit të projektit në mjaft veprimtari të ngjashme si p.sh “Workshop for young playwrights” që zhvillohet një herë në dy vjet në Gjermani në kuadër të Festivalit “New plays from Europe”. “Kriza e dramës shqipe nuk është krizë e mungesës sasiore, por para së gjithash, krizë e mungesës së cilësisë në dramën shqipe. Dramaturgjia shqipe, dy dekadat e fundit, nuk ka qenë provokative për teatrin dhe për publikun”, thotë Çapaliku. Kriza e dramës shqipe, e cila lidhet me krizën e teatrit, ka një kohë të gjatë që ekziston, që nga viti 1974. Në të vërtetë ka qenë krizë e vetë teatrit, por edhe krizë e njerëzve që kanë shkruar dramën shqipe. Duke marrë shkas nga kjo situatë dhe duke pasur si model një praktikë tepër të suksesshme që zbatohet gjerësisht në vendet europiane, drejtuesit e “Punishtja dramatike 1″ e shohin këtë nismë si një eksperiment të ri, por që do të rezultojë frytdhënës në lëvrimin e dramaturgjisë shqipe. Projekti do të ketë disa faza. Në fazën e parë, dhjetor 2014 – 5 janar 2015 do të bëhet shpallja e konkursit të sinopseve dhe grumbullimi i tyre nga TKEKS. Vlerësimi i tyre do të bëhet nga një juri profesioniste. Më 19 janar do të shpallen pesë fituesit e konkurrimit. Në edicionin e vet të parë do të bëhen bashkë pesë emra, që do dalin fitues nga konkursi që do të shpallë ky teatër me sinopse për vepra dramatike. Në fazën e dytë, 19 janar – 22 shkurt 2015, do të organizohet workshop-i me fituesit, gjatë të cilit do të formësohet struktura e teksteve dramatike, por jo drama e përfunduar. Faza e tretë do jetë faza e leximeve publike të teksteve dramatike të përftuara nga workshop-i. Leximi do realizohet nga aktorët e teatrit në prani të autorit. Faza e katërt, deri më 20 mars, do shënohet me shpalljen e tekstit fitues. Faza e pestë 20 – 31 mars ka të bëjë me përgatitjen e punës, platformës dhe stafit realizues të laboratorit teatror. Faza e gjashtë prill-maj, është faza e realizimit skenik mbi bazën e bashkëpunimit mbi tekstin të të gjithë artistëve krijues, ku faza e fundit 30 maj pritet të sjellë në skenë veprën teatrore dhe përballjen me publikun dhe kritikën. Synimet e zhvillimit të projektit, kanë lidhje me plotësimin e boshllëkut të madh të krijuar këto vite në komunitetin e dramaturgëve dhe të dramës shqipe në përgjithësi. Në prill të këtij viti ishte Teatri Kombëtar ai që mbajti “Takimin Mbarëkombëtar për Dramaturgjinë shqipe” me pjesëmarrjen e dramaturgëve, regjisorëve dhe kritikëve të artit skenik nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në qendër të këtij takimi, që u shoqërua dhe me polemika, ishte diskutimi mbi dramaturgjinë shqipe, problemet me të cilat ndeshen autorët, dilemat dhe problemet që janë evidentuar në shkrimin e veprave teatrore nga autorët shqiptarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button