Të shtëna me armë drejt katër personave në Strellc të Deçanit, tre të arrestuar
Tre persona janë arrestuar në Deçan, pasi dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të katër personave në fshatin Strellc i Epërm. Nga të shtënat nuk raportohet për të lënduar, ndërsa rasti po hetohet si vrasje në tentativë.
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Strellc i Epërm të Deçanit, ku, siç njofton DTV Media, është shtënë në drejtim të katër personave. Ngjarja ka ndodhur sot, më 22 tetor, rreth orës 05:00.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se, pas pranimit të njoftimit, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Deri më tani janë arrestuar tre persona të dyshuar, meshkuj madhorë, si dhe është sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, për të cilën dyshohet se është përdorur në rast.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja fisheku. Sipas policisë, si pasojë e të shtënave nuk është raportuar për persona të lënduar.
Në konsultim me prokurorin kompetent, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa, siç raporton Sinjali, veprimet hetimore po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.