Te tregtosh Lirine dhe Demokracine
Thomas Jeferson, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe autor i deklaratës së pavarësisë, ka thënë se “një shoqëri që tregton pak liri për pak rregull do t’i humbasë të dyja dhe nuk meriton asnjë”.
Kurrë nuk mund të jetë kjo thënie e Jefersonit më e qëlluar sesa në realiteti, në të cilin ndodhet politika dhe shoqëria shqiptare.
Kriza politike që ka mbërthyer Shqipërinë që prej më shumë se një viti e ka vënë shoqërinë përballë një situate ku ajo duhet të bëjë zgjedhjen e saj midis lirisë/demokracisë dhe rregullit/qetësisë së përkohshme.
E thënë më thjeshtë, shoqëria jonë është përballë dilemës për të zgjedhur midis nevojës për të vazhduar deri në fund betejën për demokraci dhe votën e lirë dhe dëshirës së momentit për ta lënë në qetësi pushtetin antidemokratik me pretekstin se largimi i tij do të na krijonte telashe dhe kokëçarje.
Sot dëgjojmë të flasin përreth nesh se nuk ia vlen të luftosh për liri dhe demokraci, sepse kjo gjë rrezikon liberalizimin e vizave dhe prish “rehatin” që na paska kapur nën dominimin e pushtetit.
Shumë e thonë me plot-gojë se zgjedhjet u manipuluan, se demokracia dhe liria vuan, dhe se protestat e opozitës së udhëhequr nga Edi Rama janë shumë të drejta.
Por janë po këta njerëz, të cilët nuk ngurojnë të thonë se për hir të “rehatllëkut” dhe liberalizimit të vizave ne nuk duhet të protestojmë për demokraci dhe liri.
Historia botërore, ashtu si edhe në fjalët e Jefersonit, ka treguar dhe tregon dita-ditës se liria dhe demokracia nuk mund të tregtohet për pak rregull dhe rehatllëk.
Diktaturat dhe regjimet diktatoriale anembanë botës nuk janë vendosur. sepse në ato vende ka pasur politikanë të këqij dhe diktatorë, kurse në vendet demokratike nuk ka pasur të tillë.
Arsyeja se përse disa shoqëri jetojnë nën diktatin e regjimeve antidemokratike është sepse këto shoqëri kanë preferuar të tregtojnë lirinë dhe demokracinë për pak qetësi vdekjeprurëse që sjellin regjimet totalitare në fillimet e tyre.
Këto shoqëri kurrë nuk kanë pasur rregull dhe qetësi dhe aq më pak liri dhe demokraci. Këto shoqëri u munduan të tregtonin pak demokraci për pak rregull, por si përfundim i humbën të dyja dhe nuk meritojnë asnjë.
Dhe kjo situatë pllakosi shoqërinë shqiptare dje gjatë regjimit komunist dhe e ka kllaposur atë sot gjatë këtyre 20 viteve postkomuniste. Po bëjmë dy dekada që po tregtojmë lirinë dhe demokracinë për pak rregull dhe nuk kemi parë gjë tjetër por katastrofa, tragjedi, viktima, trazira, rrëmuja dhe pushtete hajdutërish të babëzitur dhe perversë. Gjasat janë që ne do të vazhdojmë të shikojmë edhe më keq, nëse do të vazhdojmë avazin e biznesbërjes me lirinë dhe demokracinë tonë.
Fatkeqësisht, mbase edhe fatmirësisht, beteja për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë ka kaluar nga duar e shoqërisë tek duart e individëve dhe forcave politike opozitare. Atë që duhet ta kërkonte e gjithë shoqëria jonë tashmë po e kërkon Edi Rama dhe partitë opozitare.
Të mbash flamurin e lirisë dhe demokracisë është një barrë e madhe që rrezik se mund ta mbajë dot, përveç shoqërisë, një individ apo një forcë politike. Gjithashtu, ajo është një privilegj që rrallë mund t’i lihet në dorë një individi apo një partie apo grupi partish politike.
Mund të themi pa frikë se shoqëria dhe opinion publik shqiptar janë në një gjumë vdekjeprurës që po e shkatërron dalëngadalë të ardhmen e saj. Kjo shoqëri nuk proteston as për Gërdecin dhe as për vjedhjen e votave.
Kjo shoqëri është vendosur në një gjumë vdekjeprurës nga një hegjemoni e ndyrë vlerash që e bën atë të besojë se ajo mund të tregtojë lirinë dhe demokracinë për pak rehatllëk. Dhe si përfundim, kjo shoqëri do t’i humbasë të dyja dhe nuk meriton asnjë.
Me një shoqëri të paralizuar dhe tejet të tregtueshme ekonomikisht, misioni për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë i ka kaluar opozitës dhe liderit të saj, Edi Rama.
Edi Rama dhe opozita që ai udhëheq kanë në duart e tyre jo një betejë të rëndomtë politike, por një mision për të ndryshuar kulturën politike dhe për të vendosur demokracinë në Shqipëri.
Në këtë mision sublim, Edi Rama dhe opozita duhet ta kuptojë se demokracia dhe liria nuk mund të tregtohet për asgjë tjetër, qoftë ky stabilitet apo konsensus politik fals, pasi Shqipëria ka për t’i humbur të gjitha dhe nuk ka për të merituar asnjë.
Opozita dhe lideri i saj, Rama, duhet të kuptojnë se nevoja për demokraci dhe liri qëndron në majën e hierarkisë së nevojave të një shoqërie. Tek demokracia dhe liria fillon e ardhmja e një shoqërie.
Nuk ekziston një shoqëri demokratike në këtë planet që të ndërtojë të ardhmen e saj pa hedhur më parë themelet e demokracisë dhe lirisë. Pa këto themele, çdo sistem apo institucion politik do t’i ngjante një kështjelle rëre apo një kështjelle imagjinare dhe të pavlerë.
Që të jem më i hapur, opozita nuk duhet të shqetësohet për votimin e ligjit për Gjykatën Administrative, për ndryshimet në kodin zgjedhor, apo edhe për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale pa u vendosur më parë në vend demokracia dhe liria.
As gjykata, as ndryshimet në kod, dhe as pjesëmarrja në zgjedhjet lokale nuk do të ndihmonte në mbarëvajtjen e politikës Shqiptare dhe në promovimin e demokracisë. Përkundrazi, ato do të shërbenin për të kristalizuar edhe më tej regjimin antidemokratik të qeverisë Berisha-Meta.
Ndaj, kurrkush nuk ka të drejtë morale, ligjore, dhe politike t’i kërkojë opozitës të votojë këto ligje në një kohë kur demokracia vuan dhe kur opozitës i mohohet e drejta kushtetuese dhe demokratike e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.
Opozita, madje, duhet të bojkotojë edhe zgjedhjet lokale për të mos u bërë viktimë e një kurthi djallëzor dhe antidemokratik që pushteti ka përgatitur për opozitën në pranverë.
Moskryerja e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të këshilluara nga OSBE/ODHIR dhe mospjesëmarrja e opozitës dhe e komisionerëve të saj në zgjedhjet e ardhshme lokale do të bëjë që pushteti Berisha-Meta të shpërfytyrohet krejtësisht dhe të humbasë totalisht legjitimitetin në sytë e popullit dhe Evropës.
Është e vërtet që politika bazohet në parimin e kompromisit. Por ky parim nuk mund të zbatohet me një qeveri, pushteti i së cilës nuk buron nga vota dhe vullneti i popullit por nga djallëzitë dhe manipulimet elektorale. Kompromisi bëhet midis një fituesi dhe një humbësi por jo midis një hajduti dhe një viktime.
Në një situatë të tillë krize, ku nuk ekziston asnjë mundësi kompromisi për zgjidhjen e krizës, i takon popullit të ofrojë zgjidhjen e tij përmes zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është e paevitueshme dhe është hapi i parë për të rivendosur demokracinë dhe për të shmangur tregtimin e saj!