Opinion

Të vërtetat e Konferencës së Pezës

Konferenca e Pezës është një ngjarje e madhe, e njohur, e vlerësuar siç e meriton, por  dhe e sulmuar jo pak, siç ndodhë zakonisht me ngjarjet e mëdha. Pjesëmarrësit janë gjithashtu të njohur, patriotë e antifashistë nga të gjitha krahinat, besimet e orientimet. Duke marrë rrugën drejt Pezës, në ato kohë të vështira, ata kërkonin tu jepnin  shqiptarëve  mesazhin e shpresës, ti paralajmëronin për ndryshimin e madh që po trokiste, që po vinte, që do të sillte kjo ngjarje. Shqipëria ndodhej në një udhëkryq të historisë.

Që më 7 prill 1939, ajo kishte humbur pavarësinë  dhe qe shndërruar në një provincë e shtetit italian. Me masat që nisi të zbatojë okupatori, synohej arritja e disa objektivave strategjike të rrezikshme, që synonin përjetësimin e regjimit të pushtimit, me dhunë e terror, duke mbajtur popullatën nën trysni të vazhdueshme e duke goditur, që në vezë çdo lëvizje rezistence, ndërkohë që do të vazhdoje shfrytëzimi intensiv i pasurive të vendit, për t’i vënë ato në shërbim të makinerisë së luftës. E,me ne fund, sikur te mos mjaftonin këto, një program i posaçëm, iniciativë e drejtpërdrejt e kreut te fashizmit Benito Musolinit, si shprehje e dashurisë  dhe kujdesit  për Shqipërinë parashikonte ndryshimin brenda pak dhjetëvjeçarëve  të fytyrës etnike, përmes kolonizimit, mbushjes se vendit me kolone italiane dhe asimilimit gradual të popullsisë autoktone vendase. Efektet e një politike të tillë kolonialiste kishin filluar të ndiheshin që në muajt e parë të okupacionit, në të gjithë lëmenjtë e jetës ekonomike, shoqërore e kulturore. Rreziku ishte eminent e ndaj tij duhej reaguar e vepruar sa nuk ishte vonë. Në rrethana të tilla, Partia Komuniste, e vetmja forcë e organizuar në vend dhe Enver Hoxha, udhëheqësi i saj, morën iniciativën për organizimin e një konference kombëtare, me pjesëmarrjen e forcave patriotike, pa dallim, ku do të diskutonin, si partnerë të barabartë, mbi gjendjen e vendit nën pushtim  dhe masat që duheshin marrë për t’u  bërë ballë rreziqeve që kërcënonin ekzistencën tonë si vend e si komb. Me ndjenjën e përgjegjësisë para vendit e para historisë, figura të njohura nga radhët e nacionalistëve patriotë, iu përgjigjën thirrjes për t’u mbledhur e për të biseduar pa paragjykime për hallet e vendit që jetonte kohët  më të vështira në të gjithë historinë e tij. Shqipëria ishte e të gjithëve dhe të gjithë kishin obligimin që të kontribuonin,  që vendi të dilte sa më parë nga kjo situatë.

Organizatorët e pjesëmarrësit pa dallim, që nga Enver Hoxha, udhëheqës i Partisë Komuniste dhe i Luftës Nacionalçlirimtare, bashkëpunëtorët e tij, figura të njohura, si Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Ramadan Çitaku, që së bashku përfaqësonin PK; Nako Spiru, që përfaqësonte Rininë Antifashiste, Nexhmije Xhuglini, Gruan Antifashiste,etj.; nacionalistët patriotë që qenë lidhur me PK, si Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani; të tjerë nacionalistë, si Ramazan Jarani, Ismail Petrela, zogistët Abaz Kupi e Ndoc Çoba, Halim Begeja përfaqësues i rinisë nacionaliste etj. meritojnë respekt e nderim, për hapin historik që ndërmorën, duke thyer tabutë e paragjykimet e një kohe që i kishte mbajtur të ndarë e të përçarë, për të hapur kështu një faqe të re në historinë e vendit e në raportet në mes tyre, dhe, mbi këtë bazë, për t’u bashkuar rreth një kauze e preokupimi të përbashkët, çlirimit e shpëtimit të atdheut.

Prof. Xhelal Gjeçovi

 

Ishte pikërisht kjo ndjenjë përgjegjësie për fatet e vendit, motivi  që i shtyu  këta të rinj në moshë, por të pjekur para kohe nga hallet e dertet e popullit, që të merrnin rrugën drejt Pezës.

Përvoja e jetës dhe e luftës në shërbim të atdheut, i kishte mësuar e i kishte bindur, se të shkëputur, të veçuar, të ndarë e të përçarë, nuk mund të realizonin qëllimet e jetës së tyre, aspiratat e popullit. Liria dhe pavarësia, të mohuara e të nëpërkëmbura nga pushtuesi, nuk do të na vinin, as nga qielli, e as si dhuratë nga të huajt. Ato ishin në duart e shqiptarëve.

Ata e dinin se Peza, ku po  mblidheshin, nuk ishte fundi, por fillimi i një rruge jo të sheshtë, jo të lehtë. Pengesat ishin të mëdha, e pengesa më e madhe ishte përçarja. Ata duhej të bashkoheshin. Ata kishin një shpresë vetëm në se bashkoheshin.

Por, si do të bëhej ky bashkim?

Këtë ua tregoi Konferenca. Bashkimi duhej bërë “pa dallim klase, feje, krahine dhe ideje, me devizën e rilindësve “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Po si do të arrihej kjo? Edhe këtë ua tregoi Konferenca. Bashkimi nuk do të arrihej me fjalë e me fjalime dhe as me bisedime pa fund, por në luftë. Lufta ishte një provë e madhe, ku do  të njiheshin e do të lidheshin patriotët, antifashistët; do të miqësoheshin e do të bashkoheshin rreth  një ideali e një çështjeje të përbashkët, rreth çështjes kombëtare, që, përndryshe rrezikohej të humbiste përfundimisht.

Bashkimi e lufta, këto ishin shpëtimi, rruga dhe  prova për shqiptarët; këto dy gjëra i duheshin vendit. Bashkimi do të bëhej në luftë dhe për luftë. Kjo ishte platforma, që ata burra të mençur e patriotë përpunuan e miratuan në Pezë.

Një platformë realiste, shpresëdhënëse, që bazohej në mësimet e historisë, produkt dhe i një dialogu serioz e të sinqertë, i shoqëruar me qëndrime e gjykime realiste për situatën dhe për njeri tjetrin. Halim Begeja, përfaqësues i Rinisë Nacionaliste, i dërguari personal i Mitat Frashërit, do të deklaronte në konferencë, se deri tani, ne nuk kemi bërë ndonjë gjë të madhe. Në raport me komunistët, aktiviteti ynë është nul. Por, premtojmë se kjo gjendje do të ndryshojë dhe nacionalistët do të jenë në ballë të përpjekjeve, kudo që ta lypin interesat e vendit. (Shih procesverbal i Konferencës. AQSH. Fondi 14).

Përfaqësuesit e Partisë Komuniste, nga ana e tyre, vlerësuan qëndrimin e Abaz Kupit, më 7 prill, ditën e agresionit fashist. (Po aty).

Siç shihet, qëndrimet ishin të pa shoqe, të pa njohura deri atëherë; dialogu i hapur, i sinqertë. Në këtë frymë shoqërore e miqësore u diskutua për luftën kryesisht, por çdo të bëhej dhe pas saj. Shqipëria duhej çliruar, por duhej dhe ndryshuar. Lufta do të kishte karakter çlirimtar, por dhe revolucionar. Por, gjithsesi, hapat duhej të ishin të matur, të kujdesshëm, që të mos cenoheshin raportet shoqërore dhe ndjenjat e pjesëmarrësve në luftë. Tani ndodheshim para një detyre të madhe, të vështirë, luftës me armë dhe çdo gjë do të vihej në funksion e në shërbim të saj. Çështjet e tjera dhe diferencat për to, do të ujdiseshin e do të kapërceheshin me kujdes, në proces. Në këtë prizëm e me këtë logjikë, u diskutua  dhe çështja e Zogut dhe e Mbretërisë. Delegatët  u  shprehën njëzëri, që forma e regjimit të zgjidhej pas çlirimit nga populli. Edhe Abaz Kupi deklaroi se “Unë dua Shqipërinë njëherë, e jo Zogun. Po ta dojë populli, ta vendosë”. (Po aty).

Në Konferencë u përpunuan dhe u miratuan dy orientime bazë, që do të kishin rëndësi të dorës së parë për realizimin e programit dhe arritjen e synimeve të Frontit.

Së pari, lufta që do të organizojë e udhëheqë ai, nuk do të ishte luftë klase, luftë civile, se ajo nuk drejtohej kundër klasave apo grupimeve të caktuara shoqërore, por kundër okupatorit. Shqipëria kishte vetëm një armik dhe ai ishte okupatori fashist italian që kishte shkelur pavarësinë e atdheut e, sigurisht, dhe ata që do t’i bashkoheshin ose do të bashkëpunonin me të. Dhe, së dyti, Konferenca e bëri të qartë se lufta jonë nuk do të ishte e veçuar dhe e izoluar; se ajo ishte pjesë integrale e Rezistencës Europiane, respektivisht Aleancës Antifashiste Botërore, të cilës i prinin tri Fuqitë e Mëdha Aleate, Britania Madhe, BS dhe SHBA. ( Po aty. Rezolucioni i Konferencës së Pezës).

Vendimi për t’u lidhur me aleatët anglo-sovjeto-amerikanë, ka qenë ndër aktet më të urta e më largpamëse të Konferencës së Pezës, që i siguroi vendit dhe luftës aleatët e duhur dhe mbështetjen e duhur për të arritur fitoren mbi okupatorët e bashkëpunëtorët e tyre. Mirëpo, zhvillimet pas lufte, vendimet e Jaltës dhe koniunkturat që krijuan ato, lufta e ftohtë që nisi menjëherë, e shoqëruar me ndarjen e botës në kampe e blloqe të kundërt, angazhimi i disa shteteve perëndimore, ish aleate në luftë, në përpjekjet për rrëzimin e regjimit në Shqipëri (pavarësisht legjitimitetit të marrë dhe me zgjedhjet e 2 dhjetorit 45, të pranuara prej tyre), duke aktivizuar për këtë qëllim kontingjente të arratisurish, nga radhët e bashkëpunëtorëve të fashizmit, e krahas tyre, mbështetja që Britania e Madhe, njëra nga fuqitë aleate, u dha pretendimeve greke për kufijtë e Shqipërisë, do  të ndikonin e do të shfrytëzoheshin nga regjimi komunist, për ta rreshtuar përfundimisht vendin në Bllokun Lindor, vendet e të cilit, në konfliktin shqiptaro-grek, morën anën e Shqipërisë dhe qëndrimi i tyre, sidomos i BS në Konferencën e Paqes më 1946, ka qenë vendimtar në refuzimin e kërkesës greke për rishikimin e  kufijve të Shqipërisë.

Pavarësisht kësaj, orientimi i Shqipërisë kryesisht e, më pas vetëm nga Lindja, do të kishte pasojat e veta, pasi do të çonte, pashmangshëm në ftohjen e, gradualisht dhe në ndërprerjen e lidhjeve me aleatët perëndimorë, për rrjedhojë dhe në izolimin shumë vjeçar të vendit nga bota demokratike. Përmbysja e regjimit komunist dhe vendosja e rendit demokratik, do të ndryshojë përfundimisht trendin e zhvillimit të vendit. Rikthimi tek aleatët e luftës, rivendosja e lidhjeve tradicionale me SHBA e me vendet e tjera perëndimore, që do t’i hapë vendit një perspektive të re, për zhvillim demokratik, përfaqëson dhe një rikthim tek Peza, tek orientimet e vendimet e saj historike. Kjo është dhe një arsye më shumë, për të çmuar e  për të përkujtuar  Konferencën e Pezës, njërën nga ngjarjet më të mëdha të luftës, që krijoi bashkimin më të fuqishëm të shqiptarëve në të gjithë historinë e tyre, që u bë faktori vendimtar i fitores mbi okupatorët e bashkëpunëtorët e tyre, për të nderuar, siç e meritojnë, protagonistët, organizatorët e pjesëmarrësit, për përgjegjshmërinë dhe largpamësinë e treguar 75 vjet më parë.

Kur dhe si u krijua Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar

Pyetja se kur u krijua Fronti, sot pas treçerekshekulli, ndonjërit mund t’i duket paradoksale dhe pa kuptim. Mirëpo nuk është kështu, pasi, për fat të keq, ka ende historianë, të pakët sigurisht dhe jo të fushës përkatëse, pra të periudhës së Luftës, që, të shtyrë nga  motive e interesa që sot janë në modë, tentojnë herë pas here të krijojnë konfuzion, duke vënë në dyshim data e ngjarje historike të kësaj periudhe. Njërin nga këta e pashë, para ca kohe në një emision televiziv 45 minutësh, ku me një lehtësi e vetëkënaqësi që të habit, bëri pohimin absurd, të pa dëgjuar deri më sot, të paktën në rrethet shkencore, se “në Pezë, më 16 shtator 42, nuk është krijuar Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, por vetëm Këshilli i Përgjithshëm”.

Siç shihet, në këtë rast, në një fjali, kemi dy pohime kontradiktore, alogjike, për të njëjtën çështje. Nuk është krijuar Fronti, por Këshilli Përgjithshëm. Po Këshilli, i kujt ishte? Edhe vete e thote, i Frontit; biles, do te shtoja, udhëheqja e tij. Po, si mund të zgjidhet udhëheqja pa u krijuar, pa ekzistuar organizata. Këshilli Përgjithshëm nuk ishte organ nismëtar, por organ drejtues, që zgjidhet në fund të punimeve, pasi krijohet organizata dhe miratohen dokumentet themelore. Ky është rregulli i përgjithshëm, rruga që ndiqet në çdo rast kur krijohet një organizatë politike apo çfardolloji qoftë, një gjë e ditur, që mësohet që në arsimin para universitar.

Në këtë rast, problemi kapet nga bishti e jo nga koka, nga këshilli e jo nga organizata, që e krijon, që e zgjedh. Ka një rregull të disiplinës së logjikës, që mban në këmbë arsyetimin. Nisja nga një premisë e gabuar, të çon dhe në një përfundim të gabuar. Pohimi që u bë, është ndërtuar së prapthi, në deformim të procesit të njohjes, një analizë kokë poshtë, të çon  pa tjetër në një përfundim jo të saktë, që mund të kënaqë kundërshtarët e luftës, që e kanë në strategjinë e tyre, goditjen e ngjarjeve dhe datave historike të luftës, siç është vepruar me 29 nëntorin, datën e çlirimit të Shqipërisë, e tani me një tjetër datë, nga më  të rëndësishmet e kësaj periudhe, siç është 16 shtatori 42, dita e themelimit të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar. Është i njëjti  problem, e njëjta strategji. Datën e themelimit të Frontit, s’e kanë atakuar e mohuar kurrë, asnjëri nga  themeluesit, pjesëmarresit në Konferencën e Pezës, pavarësisht rrugës që do të ndiqnin pas saj. Biles ,as figura te njohura të BK, si prof. A. Ermenji, I. Luzaj, F.Quku etj., në punimet e tyre  mbi  luftën, përfshi dhe këtë ngjarje dhe as historianët e periudhës së luftës, pavarësisht preferencave partiake  apo  bindjeve ideologjike. Me që nuk  qenka krijuar më 16 shtator, atëherë kur u krijua, cila është data e  krijimit të Frontit? Kjo nuk u tha, në këtë rast. Si rregull, historiani, kur atakon apo mohon një datë apo një ngjarje historike, jep argumentet dhe dokumentin apo dokumentet, të cilave u referohet. E, krahas tyre, jep dhe versionin e vet, në rastin konkret datën, që mendon se është krijuar Fronti. Por, në këtë rast, nuk kemi as njërën nga këto, çka tregon se nuk njihet procesi, qe çon në krijimin e një organizate, në rastin konkret Frontit dhe nuk dihet se kur ai quhet i përfunduar, që njihet dhe si datë e krijimit të tij.

Më duket se u zgjata më shumë se sa duhej, duke i dhënë rëndësi më shumëse sa meriton, pasi është një gjë elementare. E rëndësishme për mua është njohja e procesit që ndiqet në raste të tilla, për krijimin e organizatave të tilla. Fronte të tillë rezistence e lufte kundër fashizmit dhe luftës fashiste, siç dihet, u krijuan në prag e gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një  numër vendesh, kryesisht mbi bazën e orientimeve të reja të Komitetit Ekzekutiv të Kominternit, lëshuar para fillimit të luftës. Direktivat i këshillonin PK që të mos qëndronin të mbyllura në guaskën e tyre, por të lidheshin ngushtë me masat popullore dhe me forcat progresiste, për të arritur në krijimin e fronteve popullore, me pjesëmarrjen e forcave antifashiste pavarësisht orientimeve ideologjike. Kjo, sipas Kominternit ishte detyra numër një, për realizimin e së cilës duhet të angazhoheshin PK dhe forcat progresiste.


Natyrisht krijimi i fronteve popullore ka patur veçoritë e veta, në vende të ndryshme, që përcaktoheshin nga kushtet e rrethanat konkrete historike. Njohja e procesit që u ndoq tek ne për krijimin e Frontit, paraqet interes, pikërisht për rrethanat në të cilat u krjjua, për problemet e vështirësitë që u përballuan, që u zgjidhën ose u kapërcyen për momentin, pasi nuk ka qenë e lehtë arritja e një objektivi të tillë, që do të bëhej realitet në Konferencën e Pezës, 16 shtator 1942.

Organizimi i një konference të tillë nuk ka qenë e lehtë. Ulja në një tryezë, e figurave që, deri atëherë, e shihnin njëri-tjetrin shtrembër, me dyshim e me përçmim dhe vet procesin, të pa mundur, të paktën nga skeptikët, që s’ishin të pakët. Partisë Komuniste, qe mori iniciativën për thirrjen e Konferencës, iu desh të bënte një punë të jashtëzakonshme përgatitore, duke angazhuar figurat më të afta e me autoritet, që kishin një emër, që njiheshin e gëzonin respekt në qarqet nacionaliste, që do të pranoheshin e do të dëgjoheshin prej tyre, për të siguruar, më së pari pjesëmarrjen e njerëzve që qenë parashikuar, nga e cila do të varej e përcaktohej dhe suksesi i kësaj ngjarjeje.

Për këtë qëllim, do të kontaktohej e bisedohej, me orë e me ditë të tëra, me figura të njohura, të respektuara, por që kishin mendimet, interesat e synimet e tyre, që duheshin respektuar e diskutuar me qetësi e me urtësi. Ishin biseda të lira, të thjeshta, pa salltanete e ceremonira, kokë më kokë, e në grupe të vogla. Për këtë qëllim, do të shfrytëzohej  çdo rrugë e mundësi, ndër to dhe lidhjet që qenë krijuar më parë, me disa luftëtarë të njohur nacionalistë, si Myslym Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani (Baba Faja), Spiro Moisiu etj., që shihnin me simpati qëndrimin e angazhimin e komunistëve në ballafaqime me forcat okupatore, pasi përputhej dhe me qëndrimet e qëllimet e jetës së tyre. Ata ndihmuan e kontribuuan që të lëvizej më tej e më shpejt, për të shkuar tek nacionalistë të tjerë, të njohur për ndjenjat antifashiste, si A.Kupi, M.Bajraktari, disa bajraktarë në Malësinë e Shkodrës, njerëz të caktuar nga paria e Dibrës dhe e Matit etj., për të biseduar shtruar me ta, për t’i ftuar e bindur, që t’i bashkoheshin iniciativës për thirrjen e Konferencës. Në këtë proces, ata do të njihnin  më mirë njeri-tjetrin, forcat që përfaqësonin e kauzat që parashtronin, do të hynin pra në lojë, do të fillojnë të mendojnë për të gjitha këto. Ishte një luftë e madhe ideologjike, luftë me vetveten, me konceptet e me mentalitetet, që i kishin mbajtur larg njeri-tjetrit, e me disa dhe të ndarë e të përçarë. Në këtë rrugë do të sqaronin e sheshonin shumë probleme, do të kapërcenin paragjykimet e mospajtimet për çështje të caktuara, që vinin dhe nga diferencat në kulturë, në mentalitete e në interesa, të cilat, për momentin, duhet të liheshin mënjanë, të kalonin në plan të dytë, për t’i lënë vendin e duhur, vendin e parë, besimit ndaj njeri-tjetrit dhe bashkimit, rreth një kauze e preokupimi të përbashkët, siç ishte lufta për çlirimin e atdheut.

(Vijon)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button