Telefonia raportoi 270 milionë euro të ardhura në 2020, tkurrje nga përdorimi i aplikacioneve
Ndërkohë lidhur me shkaqet e rënies së të ardhurave AKEP rendit së pari uljen e volumit të thirrjeve kombëtare/ndërkombëtare si rezultat i përdorimit masiv të aplikacioneve OTT (whatsapp, viber, etj.) të cilat kanë pasur një zhvillim të vrullshëm vitet e fundit si rezultat i zhvillimeve teknologjike dhe përmirësimit të cilësisë së internetit. Së dyti rënia e të ardhurave të gjeneruara nga shitja e paketave bundles me pakicë. Nga ana tjetër kompanitë kanë vijuar me investimet në rrjet që për vitin 2020 ishin 6.9 miliardë lekë.
Krejt e kundërt ka qenë situata e të ardhurave për kompanitë që ofrojnë shërbimin e internetit përmes rrjeteve fikse. “Të ardhurat nga komunikimet elektronike, të raportuara nga ofruesit e shërbimeve nga rrjetet fikse për vitin 2020, ishin 9.55 miliardë lekë. Kjo përbën një rritje me rreth 6% krahasuar me vitin 2019. Më shumë se 82% e të ardhurave të këtij tregu gjenerohen nga 7 operatorët kryesorë, që janë: Albtelecom, Abcom (Vodafone), ASC, ATU, Abissnet, Nisatel dhe Digicom. Operatorët e tjerë (OA), edhe pse në numër të konsiderueshëm, përbëjnë rreth 18% të këtij tregu.
Bazuar në raportimet e kryera, përgjatë vitit 2020, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer 2.76miliardë lekë investime, të cilat janë përdorur kryesisht për përmirësimin e aksesit të shërbimeve broadband” thuhet në raportin e AKEP.
Tregu i shërbimeve elektronike për vitin 2020 punësoi 3.496 persona.
Pandemia rriti përdorimin e internetit
Izolimi dhe karantina në muajt e parë të pandemisë dhe më pas masat e distancimit pavarësisht rihapjes rritën përdorimin e internetit. AKEP vëren se situata e krijuar nga pandemia, telepuna dhe zhvillimi i mësimit online kanë nxjerrë në pah më shumë se kurrë nevojën jo vetëm për akses në shërbimet e internetit.
“Gjatë vitit 2020, trafiku i internetit broadband nga rrjete fikse arriti në rreth 600 milionë GB, ose rreth 32% më shumë se viti 2019, çka tregon se pajtimtarët e këtij shërbimi kanë shfrytëzuar këtë rrjet për të aksesuar shërbimet e tyre, financiare, informative, sociale, shëndetësore, etj.
Volumi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile, arriti në rreth 89 milionë GB. Kjo përbën një rritje rreth 28.6% krahasuar me vitin 2019.
Rritja e përdorimit të internetit nëpërmjet telefonave celularë evidenton faktin se tashmë telefonat celularë të pajisur me karta SIM e kanë ridimensionuar rolin e tyre duke kaluar nga përdorimi tradicional për kryerjen e thirrjeve zanore, drejt ofrimit të aksesit të gjerë në botën virtuale (shfletim informacionesh, transmetim të dhënash, kryerje e thirrjeve audio/video, sms, etj.)” thuhet në raport.