Tension te Kuvendi, tjetër përplasje me policinë, Basha zëvëndësohet nga Berisha
Me nisjen e seancës së Kuvendit ka nisur edhe protesta e gjashtë opozitës. Protesta po zhvillohet jashtë godinës së Parlamentit. Dëgjohen thirrje kundër qeverisë. Protestuesit kanë tentuar të çajnë tre herë kordonin e policisë. Janë protestuesit e Unazës së Re ata që po konfrontohen me policinë. Ndërsa po bën gati ndërhyrjen me autobote. Protestuesit mbajnë pankarta në duar dhe flamuj kombëtar. Që në nisje u hodhën e shashka, tymuese dhe bidona uji në drejtim të policisë. Përplasje raportohet të ketë pasur edhe në afërsi të Ministrisë së Brendshme, aty ku banorët e Unazës së Re u përplasën me policinë që kishte vendosur kordon, e nuk lejonte kalimin drejt Parlamentit.
Protestuesit tentojnë për të tretën herë të çajnë kordonin policor. Nga ana e tyre uniformat blu iu janë përgjigjur me thirrje për të ruajtur qetësinë. Duket se mes turmës që po tenton të çajë kordonin është edhe deputeti i PD-së, Flamur Noka. Policia ka bërë thirrje me megafon. Ndërprisni veprimet e dhunshme, ruani qetësinë! Veprimet që po kryeni përbëjnë vepër penale. Policia do të zbatojë ligjin.
Në protestën e radhës të opozitës së vendit, përpara parlamentit të Shqipërisë janë mbledhur shumë protestues, të cilët kërkojnë në kor dorëheqjen e kryeministrit Rama. “Rama ik, Rama ik”, janë thirrjet e vazhdueshme të tyre. Protestuesit ndërkaq mbajnë flamuj kombëtar në duar, si dhe përdorin vuvuzela. Ndërsa lideri i PD-së Lulzim Basha ndodhet në Bruksel dhe nuk merr pjesë në protestën e sotme të Partisë Demokratike, në shesh ka shkuar, Sali Berisha. Po ashtu mes protestuesve ndodhet edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në protestë janë edhe eksponentë të tjerë të partisë demokratike.
Policia e Shtetit i është drejtuar me një thirrje organizatorit të protestës së Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Policia bën thirrje për qetësi dhe për largimin e protestuesve që mbajnë maska. “I nderuar Zoti Bardhi, në mes të protestuesve ka persona që mbajnë maska. Si organizator i tubimit në bazë të ligjit për tubimet merrni masa për largimin e tyre nga tubimi”.
Policia ka kaluar në gatishmëri dhe ka bllokuar disa rrugë që të çojnë tek kjo godinë.