Tensione në Bregun Perëndimor, vritet me snajper i riu palestinez
Një i ri palestinez është vrarë nga forcat izraelite të sigurisë gjatë trazirave që shpërthyen në Bregun Perëndimor pas djegies së një banesë palestineze, ku mbeti e vdekur një foshnje 18-muajshe.
Sipas autoriteteve palestineze, viktima është një 17-vjeçar që ka ndërruar jetë të shtunën pasi u qëllua nga një snajper izraelit në një postbllok pranë qytetit Bir Zeit.
Autoritetet izraelite thonë se i riu është qëlluar pasi hodhi disa herë molotov në drejtim të postbllokut.
Dy ditë më parë një foshnje 18-muajsh është djegur nga izraelitët pasi i është vënë zjarri qëllimisht një banese në fshatin Duma. Prindërit dhe vëllai i madh i fëmijës kanë marrë plagë të rënda nga zjarri.
Zjarrvënësit kanë lënë pranë shtëpisë nënshkrime ku lexohet fjala “hakmarrje”. Policia izraelite ka thënë se ky është një sulm me motive nacionaliste dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Djegia e shtëpisë me foshnjen 18-muajshe brenda është dënuar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili e ka cilësuar atë si një akt burracak dhe terrorist.
“Ky është një akt terrorist, në çdo aspekt të tij dhe shteti i Izraelit ka një qëndrim të ashpër e të palëkundur ndaj terrorizmit, pavarësisht se cilët janë autorët e tij”, tha Netanyahu.
Por, deklarata e Netanyahut nuk ka mjaftuar të bindë palestinezët se akti çnjerëzor është në fakt thjesht nismë individuale e një grushti kolonësh hebrenj. Organizata për çlirimin e Palestinës, e cila dominon Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor, tha se qeveria izraelite mban “përgjegjësi të plotë për vrasjen brutale të fëmijës, Ali Saad Dauabsha”.
“Kjo është pasoja e drejtpërdrejtë e dekadave të tëra pandëshkueshmërie që ekzekutivit izraelit i ka rezervuar terrorizmit të kolonëve”, thuhet në deklaratën e saj.
Vrasja e foshnjes vjen në një kohë përshkallëzimi të tensioneve në rajon. Të mërkurën, grupe kolonësh u përleshën me policinë pasi autoritetet izraelite shkatërruan dy godina në ndërtim për të cilat Gjykata e Lartë kishte dalë në përfundimin se janë ngritur ilegalisht në tokë me pronarë palestinezë.
Vdekja e fëmijës mes flakëve që plagosën prindërit dhe vëllain e tij 4-vjeçar Ahmad, ngjason shumë me akte të mëhershme vandalizmi nga ekstremistët hebrenj, pjesë e një “strategjie shënjestrimi” që vjen si formë shpagimi ndaj aksioneve kundër ndërtimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor.