Kosova

Tensionet Kosovë-Serbi, Ballkani po futet në një situatë të paparashikueshme

Incidentet e ditëve të fundit kanë bërë që të rriten tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë, duke ngjallur kështu pasiguri tek qytetarët e Kosovës.

Këtyre tensioneve fillimisht ju parapriu arrestimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj nga autoritet franceze pas një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia.

E kulmi i tensionimit të situatës ndodhi të shtunën e 14 janarit, ku Serbia tentoi të fus brenda territorit të Kosovës trenin rus me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

E për tensionimin e madh të situatës në mes të të dyja shteteve kanë folur edhe zyrtarë të lartë vendeve të Bashkimit Evropian, e po ashtu kanë shkruar edhe mediat e njohura evropiane siç është BBC, pastaj gazetat gjermane “Süddeutsche Zeitung” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e shumë të tjera.

Ka qenë edhe rrjeti i njohur televiziv BBC ajo e cila në një shkrim të sajin ka thënë se Kosova dhe Serbia janë në prag të një lufte të re, duke u bazuar në deklaratat e presidentit serb Tomsillav Nikolqi i cili kishte thënë se Serbia do ta mbrojë “çdo centimetër” të asaj që pretendon se është territor i saj në Kosovë, dhe se është i gatshëm ta dërgojë edhe ushtrinë për të mbrojtur serbët në Kosovë.

Në anën tjetër dy gazetat gjermane “Süddeutsche Zeitung” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në shkrimet e tyre kishin theksuar se Serbia i vuri flakën tensioneve të vjetra.

Por nuk mbaruan me kaq deklaratat se në Ballkan do të mund të nis një luftë e re mes Kosovës dhe Serbisë.

Thomas E. Ricks, profesor i Harvardit, dhe ish-gazetar i mediave më prestigjioze në botë, si “Wall Street Journal” dhe “Washington Post”, në një opinion të tij paralajmëroi se në mars do të ketë trazira në Kosovë.

Po ashtu edhe Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme e Shqipërisë, Arta Dade potencoi se ndarja e Kosovës nuk është opsion dhe se kjo do të sillte efekt domino në rajon.

Lidhur me këto paralajmërime për luftë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Ballkani po hyn në një situatë të paparashikueshme.

Ai radhit dy momente të rëndësishme që sipas tij janë faktor i gjendjes e cila është krijuar.

“Së pari, Serbia, e mbështetur nga tendencat e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e vet, është duke synuar të shfrytëzojë situatën e përgjithshme në botë për të filluar implementimin e projektit të saj për ndarjen e Kosovës. Kështu do të ndikonte edhe në gjendjen reale nëpër shtete tjera në Ballkan, sidomos në Bonje e Hercegovinë dhe në Maqedoni. Së dyti, qeverisjet gjysmë-autokratike nëpër Ballkan po synojnë të shfrytëzojnë edhe njëherë retorikat luftënxitëse për të treguar se gjoja pikërisht këta gjysmë-autokratë janë garancia për të mbajtur situatën e sigurisë nën kontroll dhe të qetë”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka theksuar më pas se në të dyja rastet, beson se Ballkani do të tejkalojë këtë situatë.

“Serbia nuk do të arrijë të ndajë as Kosovën, as Bosnjën dhe as Maqedoninë. Ndërsa, liderët gjysmë-autoritarë do të kuptojnë se nuk mund të luajnë me zjarrin e luftës për të mbajtur pushtetin e tyre personal”, shoti Ramadani.

Së fundmi për një luftë të mundur mes Kosovës dhe Serbisë ka folur edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha duke thënë se “treni është aneksim i veriut, e kjo për shqiptarët është luftë”.

Pas tërë këtyre ngjarjeve në Bruksel ditë më parë u mbajt raundi i bisedimeve Kosovë-Serbi në nivel presidentësh, ku u theksua se të dyja palët kanë rënë dakord për uljen e tensioneve dhe vazhdimin e dialogut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button