Politika

Tërhiqen “rebelët” e PS-së, të enjten të gjithë në Kuvend për të votuar KLD-në dhe hartën

Nga Herion Mesi

tom doshi edi ramaShuhet rebelizmi në radhët e mazhorancës. Deputetët e etiketuar si “rebelë” brenda Partisë Socialiste apo dhe koalicionit qeveritar kanë vetëshuar kundërshtitë në lidhje me ligjin për reformën territoriale apo për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Që nga enjtja e kaluar, ku u shënua rënia e shumicës së cilësuar prek 84 votash në Kuvend të mazhorancës socialiste, kanë qenë ditë intensive sa u përket negociatave të kryetarit të PS-së, Edi Rama, me “rebelët” e grupit të tij parlamentar, ku duket se në fund, Kryeministri Rama ka arritur ta zgjidhë ngërçin e krijuar nga pakënaqësitë e akumuluara gjatë këtyre 300 ditëve në radhët e socialistëve, por që i shërbyen opozitës për të krijuar alibinë e krijimit të Lidhjes së Veriut, ku do të përfshiheshin të pakënaqurit e PS-së. Tom Doshi, Armando Prenga dhe Pjerin Ndreu konfirmuan dje, se në seancën e fundit plenare ata do të marrin pjesë dhe do t’i votojnë të gjitha ligjet me 3/5-at që nuk u miratuan një javë më parë. Deputeti Doshi, në një prononcim dhënë për mediat, pretendon se gjithçka mes tij dhe Ramës është zgjidhur në takimin që Kryeministri zhvilloi në Malësinë e Madhe. “Do të vij në seancë dhe do të votoj aty. Grupe ka dhe grupi parlamentar është shumë i madh, por jo për të dalë kundër Kryeministrit Rama. Do të marrim pjesë që të votojmë disa projektligje të rëndësishme, siç është territorialja dhe ndryshimet në ligjin e KLD-së. I shfaqa në komision të gjitha shqetësimet e mia në lidhje me reformën territoriale dhe do të votoj pro. Ndaj i bëj thirrje edhe opozitës të jetë e pranishme në Kuvend. Isha para një javë në Malësinë e Madhe dhe jam takuar me Kryeministrin, por takimi nuk është ndonjë lajm i madh”, tha Doshi. Por sërish justifikimi ngjan si i pavlefshëm, për shkak se ky takim është zhvilluar para se Doshi të “shpërthente” në akuza ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, gjë që shkaktoi edhe bojkotimin e Kuvendit javën e kaluar. Por, edhe pse vijon të ketë kritika ndaj ministrit Tahiri, të cilin e akuzoi edhe për përdorim të lëndëve narkotike, Doshi tha dje, se nuk ka ndërmend të shantazhojë Kryeministrin me dorëheqjen e Tahirit.

Ndreu

Një tjetër konfirmim se problemet janë sheshuar erdhi edhe nga Pjerin Ndreu. “Do të jem i pranishëm në seancën parlamentare. Të enjten do të votoj pro reformës territoriale. Pretendimet që kam shfaqur janë vërejtje të elektoratit. Do t’i votojmë të gjitha ligjet, nuk jemi tërhequr”, tha Ndreu. Sipas Ndreut, problemi kryesor është ai që lidhet me zonën e tij elektorale. Mungesa e atyre që cilësohen rebelët e PS-së, në kohën që Komisioni i Ligjeve do të votonte ligjin për Policinë e Shtetit, shtoi pikëpyetjet nëse do ia dilte apo jo e majta të siguronte 84 votat për ligjet me shumicë të cilësuar në seancën e fundit të sesionit. Doshi, Prenga dhe Frroku do ta evitonin votimin e ligjit për Policinë e Shtetit, i cili u kalua pa ata dhe vetëm falë pranisë së Nard Ndokës, i vetmi deputet opozitar në mbledhje, i cili mundësoi kuorumin e nevojshëm, edhe pse votoi kundër. Por largimi i Ndokës pas replikave me socialistin Fino, vuri në pozitë të vështirë komisionin, që priste të kalonte projektligjin për zgjidhjen e marrëveshjes me CEZ-in. Ky ishte momenti kur në derë u panë të hynë njëri pas tjetrit kritikët: Tom Doshi, Armando Prenga dhe kristian-demokrati Mark Frroku, të cilët u rreshtuan në krahun e djathtë të kryetarit Fatmir Xhafaj, duke dhënë një sinjal të qartë, se mazhoranca ia ka dalë të shuajë mosmarrëveshjet brenda saj, duke garantuar se të enjten nuk do të ketë asnjë surprizë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button