Terrorizëm policor, kur të lënduar ka dyfish më shumë nga policia?
Nga Fatos Çoçoli
Pas dhjetë ditësh përplasjesh dhe dhune në Tiranë (edhe pse tri ditët e fundit dhuna nga ana e protestuesve ka rënë ndjeshëm), debati publik nuk mund kurrsesi të reduktohet në etiketime të rënda, të përdorura në studio televizive dhe portale, pa një analizë të plotë të fakteve. Shprehja “terror policor” është një akuzë serioze. Ajo kërkon prova konkrete për veprime të paligjshme, përdorim joproporcional të forcës dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Po ashtu, dhuna e ushtruar ndaj policisë, gurët e hedhur mbi koka të policëve, që pa skafandra ruanin institucionet shtetërore, molotovët e hedhur dhe mjetet piroteknike nuk mund të relativizohen, të justifikohen, apo të fshihen, pas së drejtës për protestë. Liria e tubimit është një e drejtë themelore demokratike, por ajo nuk përfshin të drejtën për të djegur institucione, për të sulmuar efektivët e policisë, për të shkatërruar biznese dhe për të rrezikuar jetën e qytetarëve.
Numri i efektivëve të policisë të lënduar gjatë përplasjeve ka qenë mbi dy herë më i madh se numri i protestuesve të lënduar (191 efektivë të trajtuar në spital, kundrejt 95 protestues). Edhe pse ka protestues të lënduar që, nga frika e arrestimit nuk janë paraqitur në spital dhe janë mjekuar në shtëpi, ata nuk e ndryshojnë në themel këtë raport, që përbën një tregues të rëndësishëm të rrezikut me të cilin janë përballur forcat e rendit.
Efektivët e policisë kanë të drejtë të mbrohen nga sulmet, edhe kur ato vijnë nga adoleshentë, si dhe të kryejnë detyrën, pa u ekspozuar ndaj rreziqeve për jetën e tyre.
Problemi nis kur njëra palë, protestuesit, përmes disa televizioneve dhe rrjeteve sociale paraqiten automatikisht si viktimë dhe pala tjetër, forcat e rendit që minimizuan me sa mundën rrezikun e djegjes së të gjitha institucioneve publike, si strukturë që vetëm terrorizon.
Policia ishte përballë një dileme të vështirë: ndërhyrje e menjëhershme apo shmangie e përshkallëzimit, për të mos shkaktuar humbje fatale në jetë njerëzish nga rradhet e protestuesve? U zgjodh opsioni i dytë dhe u bë shumë mirë, edhe pse numri i shkatërrimeve dhe djegjeve ishte shumë më i madh, nga kjo zgjedhje.
Në menaxhimin e protestave, policia përballet me një detyrë të dyfishtë: të garantojë ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor dhe, njëkohësisht, të parandalojë sulmet e dhunshme ndaj njerëzve, institucioneve shtetërore dhe bizneseve private.
Ndërhyrja e menjëhershme dhe e pakontrolluar mund të shkaktojë përshkallëzim. Po, ashtu, edhe mosndërhyrja e gjatë, në rrethana të caktuara lejon që dhuna të vazhdojë dhe të vërë në rrezik jetë njerëzish. Policia zgjodhi me vetëdije të jetë diku në mes.
Profesionalizmi policor nuk matet me ashpërsinë e ndërhyrjes dhe as me numrin e arrestimeve. Ai matet me aftësinë për të dalluar protestuesit paqësorë nga personat që kryejnë akte dhune, për të përdorur forcën vetëm kur është e nevojshme dhe në masën proporcionale, si dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithëve. Të gjitha rastet kur forca e përdorur nga policia nuk ka qenë proporcionale, por në tejkalim të ligjit duhen hetuar menjëherë dhe fajtorët brenda rradhëve të policisë duhen dënuar. Ligjshmëria e çdo veprimi të saj duhet të vlerësohet sipas provave dhe rrethanave konkrete.
Duhet të shqyrtohen edhe rastet e përdorimit të gazit lotsjellës, plumbave prej gome dhe mjeteve të tjera të kontrollit të turmave, arrestimet, si dhe ankesat për keqtrajtim.
Por e gjitha kjo nuk e bën policinë tonë strukturë terroriste! Ajo nuk ka pse të anatemohet me pa të drejtë në ekrane televizionesh dhe në rrjete sociale.
Televizionet dhe portalet kanë një rol të rëndësishëm në dokumentimin e ngjarjeve, në informimin e qytetarëve dhe në kontrollin publik të institucioneve. Por ky rol kërkon përgjegjësi, veçanërisht kur bëhet fjalë për akuza të rënda si “terrorizëm policor”.
Gazetarët duhet të pyesin: Cilat janë provat? Kush e nisi përplasjen? A ishte ndërhyrja policore e nevojshme? A u përdor forcë joproporcionale? A janë identifikuar personat që kanë sulmuar efektivët dhe institucionet? A po hetohen në mënyrë të pavarur të gjitha pretendimet për dhunë?
Një media që dokumenton një rast të mundshëm të përdorimit të paligjshëm të forcës po përmbush një funksion të domosdoshëm demokratik. Po aq e rëndësishme është një media që dokumenton dhunën kundër policisë, djegien e institucioneve dhe rrezikun e shkaktuar për qytetarët.
Problemi lind kur njëra kategori faktesh theksohet vazhdimisht, ndërsa tjetra shpërfillet; kur pamjet përdoren në mënyrë selektive; ose kur një etiketë politike zë vendin e hetimit dhe verifikimit të pavarur mediatik.
Nuk është detyrë e medias të mbrojë policinë nga kritika. Por nuk është as detyrë e saj të shndërrojë çdo protestues në viktimë të pafajshme dhe çdo efektiv në autor të dhunës. Detyra e saj është të informojë publikun me fakte të verifikuara dhe të kërkojë llogari nga të gjithë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.