Thaçi: Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një konferencë shtypi tha, se Gjykata Speciale as nuk mund të shfuqizohet dhe as nuk do të shfuqizohet.
“Në vitin 2015 për këtë gjykatë, kishte vetëm dy opsione. Të dy opsionet, ishin të këqija, por është dashur që të zgjidhej e keqja më e vogël. Ose të themelohet kjo gjykatë përmes Këshillit të Sigurimit ose përmes legjislacionit të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë. Në këtë kuadër duke pasur parasysh vizionin për të ardhmen, ruajtjen e partneritetit dhe miqësisë dhe besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, kam marrë përgjegjësitë që më takonin atëherë si kryeministër i vendit, për trajtimin e raportit të Dick Martyt, që për mua është fantastiko-shkencor, tha Thaçi.
Presidenti tha se ai vazhdon të jetë i bindur se UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe Kosova s’ka pse i frikësohet Gjykatës Speciale.
“Kosova dhe UÇK-ja kanë zhvilluar luftë të drejtë. Ne e themeluam gjykatën dhe për këtë nuk kemi pse të frikësohemi. E dimë që është e padrejtë, por është diçka që duhet ta gëlltisim për ruajtjen e partneritetit me BE-në NATO-on dhe SHBA-së tha ai.
Pothuajse në të njejtën linjë është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke mbështetur qëndrimin e Presidentit të Kosovës, Hashimm Thaçi.
“Presidenti e komunikoi qëndrimin shtetëror në bazë të hierarkisë, që duhet të tërhiqet inciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Dhe unë e respetoj këtë qëndrim të presidentit. Pavarësisht procedurave, nëse ka një vendim politik atëherë edhe qeveria do të veprojë ashtu”, u shpreh kryeministri Ramush Haradinaj.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij ka hedhur poshtë çdo mundësi që të ketë ndikuar tek 43 deputetët që hodhën nënshkrimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Thaçi, tha se deputetët kanë mandatin e popullit dhe nuk i takon atij që të ballafaqohet me ta rreth nismave që ndërmarrin. Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Gjyaktës Speciale ndodhi me 22 dhjetor të vitit 2017 dhe Presidenti Thaçi nuk e kishte kundërshtuar e as përkrahur. Kjo nismë nxiti edhe reagime të ashpra të faktorit ndërkombëtar, që madje reagoi me tone të ashpra se “secili nga deputetët dhe politikanët që e mbështesin shfuqizimin e Gjykatës Speciale, do të ballafaqohet me pasoja.
Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e të dërguarit të Këshillit të Evropës senatorit zviceran Dick Marty në vitin 2015. Një raport i tij, që përmbante akuza ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime të pjesëtarëve të pakicave, keqtrajtime, vrasje pa gjyq deri në trafikim organesh, iu paraqit në Këshillin e Evropës. Të gjitha këto pretendime janë hedhur poshtë nga ish-udhëheqësit e UCK-së. Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, ndërkaq, pas një trysnie ndërkombëtare, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën Speciale, e cila ka selinë e saj në Hagë dhe e cila do të veprojë vetëm me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Tashmë çdo procedurë ligjore dhe administrative ka përfunduar dhe Gjykata Speciale ligjërisht është e gatshme të nisë punën. Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, të kryera ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë gjatë periudhës 1998-2000.