Thaçi: Jemi të përkushtuar ta luftojmë terrorizmin dhe ekstremizmin
Zëvendëskryeministri i vendit, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për të luftuar ekstremizmin dhe terrorizmin.
Thaçi sot ka marrë pjesë në një konferencë në Vjenë kundër ekstremizmit, ftuar nga Ministria e Jashtme e Austrisë.
Lexoni më poshtë fjalimin e tij:
“Këtë javë kemi pasur edhe një sulm tjetër tragjik në Tunizi, kurse në fillim të këtij viti takova shumë prej jush në Paris kur së bashku protestuam kundër sulmeve ndaj gazetës franceze. Ne gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të një sulmi në Danimarkë, prandaj ekstremizmi dhe terrorizmi po kërcënon shumë vende të botës së globalizuar. Ne nuk po e zhvillojmë një betejë kombëtare, ne po i bashkojmë forcat në një luftë globale kundër atyre që nuk pranojnë diversitetin, demokracinë dhe humanizmin si vlera themelore të ekzistencës sonë politike, si popuj dhe si shtete. Dua të them fillimisht se ne po vazhdojnë të ndjekim punën e bërë nga Austria dhe ministri Kurc në kuadër të kornizës ligjore për ndalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ne i mbështesim këto përpjekje.
Siç vuri në dukje sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ca javë më pare, Kosova është në mesin e vendeve që i prijnë përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në botë. Policia e Kosovës ka arrestuar 80 persona në Kosovë të dyshuar për akte të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Ne gjithashtu kemi miratuar një ligj të ri në Kuvend që ndalon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja. Ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja mund të dënohen me 15 vjet heqje lirie. Policia jonë ka arrestuar edhe imamë të caktuar dhe persona të tjerë të cilët kanë luajtur rol aktiv në organizimin e këtyre grupeve.
Tani mund të them se operacionet tona po korrin sukses. Nga gjithsej 195 luftëtare nga Kosova të cilët kanë qenë në Siri dhe Irak, numri i tyre ka rënë në 50. Janë arrestuar edhe 62 kosovarë që morën pjesë në këto luftëra.
Por, është e qartë se sundimi i së drejtës nuk është i mjaftueshëm. Unë do të përqendrohem në katër aspekte për sa i përket radikalizimit të njerëzve, e veçanërisht të rinjve:
1) T’i përfshijmë familjet – nënat dhe etërit janë aleatët më të mire që i kemi, sepse askush nuk dëshiron të shohë fëmijët e saj apo të tij të vrarë në një shkretëtirë për arsye të kota dhe të turpshme. Ne duhet t’i angazhojmë familjet dhe të gjitha strukturat e shoqërisë në parandalimin e hershëm të radikalizimit.
2) Ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë axhendën e tolerancës dhe vlerave shumë-kulturore më joshëse për qytetarët dhe duhet të jemi pro-aktiv në promovimin e dialogut ndërfetar, dhe ta bëjmë atë më tërheqëse për të rinjtë.
3) Ne gjithashtu duhet t’i shtrijmë përpjekjet tona edhe online, në internet. Shumica e luftëtarëve të huaj janë të rinj, pjesa më e madhe e të cilëve ndikohen nga shkrimet në Facebook. Ne e dimë fuqinë e rrjeteve sociale dhe ne duhet të angazhohemi për të përdorur këtë fuqi për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e radikalizimit të të rinjve tanë.
4) Ne duhet të krijojmë mjete rajonale. Numri më i madh i luftëtarëve nga Kosova vijnë nga qytetet kufitare me Serbinë dhe Maqedoninë, që do të thotë se këto janë pika të ndjeshme ku radikalët duan të kenë qasje të lehtë në kufijtë e vendeve tona për t’i kryer aktivitetet e tyre kriminale. Kjo konferencë duhet të jetë hapi i parë në krijimin e mjeteve gjithëpërfshirëve në parandalimin ndërkufitar të ekstremizmit të dhunshëm.
Miq të dashur,
Kosova do të vazhdojë të punojë me përkushtimin të palëkundur, 100%, për të luftuar këtë të keqe globale. Ne jemi një shtet laik dhe pavarësia jonë nuk mbështetet mbi përkatësinë etnike apo fetare, por në promovimin e një Kushtetute multi-etnike dhe multi-konfesionale. Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos që Kosova të mos u nënshtrohet atyre që nuk pranojnë këto vlera tona fundamentale!”(sic).