Kosova

Thaçi kërkon nga Quint-i të mos tolerojnë përzierjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot ambasadorët e vendeve të Quint-it, të SHBA-së, Greg Delavie, Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Natalyia Apostolova, me të cilët bisedoi për përgatitjet për zgjedhjet në Kosovë.

 

Me presidentin Thaçi në takim ishin edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Presidenti Thaçi u shpreh se të gjithë janë të përqendruar që zgjedhjet e 11 qershorit të jenë demokratike, të lira dhe të kalojnë pa asnjë incident.

Presidenti Thaçi u shpreh se ndjehet i sigurt se zgjedhjet do të kalojnë mirë, megjithatë “mbetet shqetësimi për frikësimin dhe kërcënimin” e qytetarëve serbë të Kosovës nga eksponentë të shtetit të Serbisë.

“Shqetësim mbetet frikësimi dhe kërcënimi i qytetarëve, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, për të mos votuar të lirë”, u shpreh ai.

Thaçi kërkoi që vendet e Quintit t’i bëjnë të qartë autoriteteve të Serbisë që nuk do të tolerohet interferimi në çështjet e brendshme të Kosovës.

“Ju bëj thirrje që t’i dërgoni mesazh të qartë autoriteteve në Serbi që të mos frikësojnë apo kërcënojnë qytetarët serbë të Kosovës dhe t’i pengojnë të shprehin të lirë vullnetin e tyre politik”, u shpreh në takim Presidenti Thaçi.

 

“Kjo përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit tonë ka kaluar kornizat e garës elektorale dhe bëhet cenim i integritetit të shtetit tonë dhe sigurisë së qytetarëve tonë”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Kryetarja e KQZ-së, Daka, u shpreh se KQZ ka bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet të jenë të drejta.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, u shpreh se Policia e Kosovës po bashkëpunon edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve në ditën e zgjedhjeve.

Presidenti Thaçi falënderoi KZQ-në, PK-në, OSBE-në, mediat, shoqërinë civile, BE-në dhe vëzhguesit nga BE dhe nga PE, që po bëjnë çdo gjë për të garantuar proces elektoral të drejtë dhe të suksesshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button