IntervistaKosova

Thaçi: Po kërkojnë mrekullinë në Perëndim

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, thotë se qytetarët e Kosovës që po migrojnë po mendojnë se i pret një mrekulli në vendet perëndimore. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do vazhdojë me punën e saj pa ose me Listën Serbe e Jabllanoviqin.

tha-ccedil-i-po-k-euml-rkojn-euml-mrekullin-euml-n-euml-per-euml-ndim_hd“Gjithsesi, duhet më tepër ‘edukim’ në këtë fenomen nga lidershipi i Kosovës, që qytetarët tanë të mos mashtrohen, duke u larguar dhe lëshuar Kosovën. Me një shpresë se do të gjejnë një jetë më të mirë në qendrat e azilantëve nëpër Evropë”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Agjencinë INA.

“Mesazhi, im është duke u bërë thirrje edhe me këtë rast, që qytetarët të qëndrojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë jetën e tyre, për një jetë më të mirë dhe çdo njeri prej tyre të ndihet i sigurt në Kosovë. Por, gjithashtu edhe Brukseli, duhet të lëvizë më shpejt në liberalizmin e vizave, që qytetarët e Kosovës të mos vazhdojnë të jenë vendi më i izoluar në drejtim të lëvizjes së qytetarëve të saj nëpër Evropë”, tha ai.

Ju jeni një nga faktorët kyç në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës. Janë diskutuar shumë çështje – madje edhe nga ato të “nxehtat” , por ende mendoj se asnjëra prej tyre nuk është implementuar?
Thaçi: Po, vërtet ashtu është se mes Kosovës dhe Serbisë, janë mbajtur disa takime – që i ka udhëhequr unë, me ndërmjetësimin e Brukselit, dhe takimi i radhës do të mbahet më datën 9 shkurt. Çka, mendojë se do të jetë një kapitull i ri, i bisedimeve nëpërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur unë tani vijë në postin e Ministrit të Jashtëm dhe zëvendës Kryeministrit të Kosovës . Ky takim do të jetë i rëndësishëm – mbasi, shumë marrëveshje midis nesh po implementohen, dhe, më këtë rast shpresojë të arrijmë një marrëveshje në sistemin e drejtësisë mes dy vendeve tona.

Në Këshillin e Sigurimit ju folët në cilësinë e Ministrit të Jashtëm dhe z/kryeministrit të Republikës së Kosovës. A kishte ndonjë ndryshim mes debateve të kaluara dhe këtij sot nga përmbajtja dhe formati?
Thaçi: Debati sotëm nuk pati asnjë ndryshim si nga përmbajtja dhe nga formati, pavarësisht, se unë sot fola si Ministër i Jashtëm i Kosovës dhe si zv/kryeministër. Përveçse, kërkesës sonë, që këto takime në të ardhmen – duhet të jenë më të rralla – kështu mendojë unë. Përderisa, sa Kosova, perspektivën e saj e ka drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit të saj Euro- Atlantik, pra në NATO. Ky do të ishte dhe mesazhi më i mirë për bisedimet e Këshillit të Sigurimit. Ku ende Rusia, është duke vendosur veton ndaj shtetit të Kosovës, megjithëse, ne po punojmë, që të lëvizim më shpejt për të qenë edhe ne pjesë e familjes së Kombeve të Bashkuara, aty ku edhe kemi synimin tonë.

Zoti Thaçi, përfaqësuesi i Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës, ish Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jablanovic, u shkarkua nga Kryeministri i Kosovës, pasi ai më 6 janar ofendoi publikisht nënat gjakovare. A do të kishte qenë më e arsyeshme që shkarkimi të kishte ardhur menjëherë mbas deklaratës së tij, pa arritur deri tek eskalimi i një situate të dhunshme me protesta të organizuara nga opozita?
Thaçi: Besoj se ky ka qenë vendimi drejtë dhe i mundshëm i kryeministrit Mustafa. Pasi ne i kemi analizuar shumë mirë deklarimet e mëparshme të ish ministrit Jabllanoviç, duke parë edhe zhvillimet e brendshme politike, si dhe procesin e dialogut dhe te faktorit ndërkombëtar. Mendojë se të gjithë duhet të sillemi në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Deklarata e Jabllanoviçit ka qenë krejtësisht e papranueshme dhe krejt e panevojshme dhe ka dëmtuar më shumë komunitetin serb në Kosovë. Ne jemi që të arrijmë agjenda të përbashkëta dhe t’i implementojmë ato. Mendojë se ky vendim nuk është vendim kundër komunitetit serb, por është vendim pas një deklarate të papranueshme për gjithë qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit.

Shkarkimi i Jabllanoviçit erdhi si rezultat i protestave të opozitës dhe presionit apo për shkak të një procedure që u ndoqët ju si qeveri – edhe pse ishte paksa i vonuar ?
Thaçi: Shkarkimi i tij erdhi si rezultat i gabimit të tij dhe si rezultat në pajtueshmëri me vendimet kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës. Andaj e ritheksoj, edhe një herë si ky vendim nuk është marrë nën presionin e asnjë subjekti, por është marrë në përputhshmëri me përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të opinionit publik në Kosovë.

Pas shkarkimit, zoti Jabllanoviq është shprehur se partia e tij që ai e udhëheq do të ri-shikojë të qenit në Qeverinë e Kosovës. Nëse, kjo ndodh që kjo parti do të dilte nga qeveria , çfarë ndikimi do të ketë tek Qeveria e Kosovës?
Thaçi: Qeveria do të vazhdojë punën e vet pavarësisht se çfarë mund të bëjë Jabllanoviçi dhe Lista Serbe, por ne jemi në interes të përbashkët, që të punojmë bashkërisht në emër të institucioneve të cilat i kemi të përbashkëta në Kosovën tonë. E cila, është një Kosovë e të gjithë qytetarëve të saj përfshirë këtu edhe serbet e minoritetet e tjera. Kosova, është vend sovran dhe i pavarur, me institucione legjitime të një shteti funksional. kështu që qeveria do të vazhdojë punën, do të jetë qeveri stabile, do të jetë efektive dhe do të jetë e përkushtuar në agjendën e planifikuar.

Çfarë pritet të ndodh me çështjen e minierës së Trepçës. Si do të zgjidhet çështja e saj tani që kemi edhe kërkesat ultimative të opozitës, e cila mbajti edhe dy protesta të dhunshme sipas pamjeve filmike?
Thaçi: Trepça është e Kosovës – pasuri dhe çështje e saj, ku vetëm Kosova vendos se çdo të bëhet më të. Shteti i Kosovës, do të punojë, ta zgjidhë këtë çështje sipas standardeve bashkëkohore, në bazë të kritereve më të mira të përvojave të vendeve të tjera në raste të tilla. Trepça, është një çështje që duhet ta zgjidhim bashkërisht dhe që nuk duhet politizuar. Një zgjidhje që krijon një bazë të fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Kosovës, dhe që mundëson krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies. Kjo, çështje nuk duhet të politizohet, por, të shikohet si një përkushtim i përbashkët i të gjithë spektrit politik dhe më gjerë. Mendojë se është me rendësi që ky kompleks të vazhdojë punën.

Një dukuri që ka prekur mbarë botën shqiptare janë pamjet pikëlluese me ikjen masive të qytetarëve të Kosovës, nëpërmjet kufirit serb në Hungari. Ndërkohë, që si qeveria, por edhe opozita janë duke bërë thirrje të ndalet ky fenomen. Çfarë do të bëni të ndalni ikjen masive të qytetarëve të Kosovës që ata të mos lëshojnë më shtëpitë e tyre?
Thaçi: Është një fenomen fatkeq që po ballafaqohemi kohët e fundit dhe një fenomen shumë interesant, sepse edhe Serbia, ua ka hapur portën për largimin e tyre, por nuk po lejon kthimin e tyre. Ndërkohë që Serbia, ka detyrime ndërkombëtare, që të lejojë transportin përmes territorit të saj. Por, do të theksoja se një fenomen i tillë, nuk po ndodh vetëm në Kosovë, ai u ka ndodhur edhe vendeve të tjera të rajonit sidomos në prag të procesit të liberalizimit, apo menjëherë pas liberalizimit të tyre. Sepse, njerëzit mendojnë se i pret një mrekulli në vendet perëndimore. Gjithsesi, duhet më tepër “edukim” në këtë fenomen nga lidershipi i Kosovës, që qytetarët tanë të mos mashtrohen, duke u larguar dhe lëshuar Kosovën. Me një shpresë se do të gjejnë një jetë më të mirë në qendrat e azilantëve nëpër Evropë. Ne jemi duke punuar maksimalisht në të gjitha institucionet e vendit që të frenojmë këtë fenomen shqetësues. Jemi duke punuar me vendet e Bashkimit Evropian ku ata janë strehuar aktualisht, që të punojmë për rikthimin e tyre. Të gjithë ata që kanë shkuar do të rikthehen, sidomos, pas arritjes së marrëveshjeve për kalime përmes territorit të Serbisë për t’u rikthyer në Kosovë. Mesazhi, im është duke u bërë thirrje edhe me këtë rast, që qytetarët të qëndrojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë jetën e tyre, për një jetë më të mirë dhe çdo njeri prej tyre të ndihet i sigurt në Kosovë. Por, gjithashtu edhe Brukseli, duhet të lëvizë më shpejt në liberalizmin e vizave, që qytetarët e Kosovës të mos vazhdojnë të jenë vendi më i izoluar në drejtim të lëvizjes së qytetarëve të saj nëpër Evropë.

Lidhur me këtë fenomen, ikjen masive çfarë mund të bëjë diaspora për ndaljen e saj?
Thaçi: Diaspora, natyrisht, gjithmonë ka ndikuar dhe ka kontribuar shumë për Kosovën dhe çështjen e saj. Andaj edhe ne i faleminderohemi asaj çka ka bërë për Kosovën, për lirinë dhe pavarësinë e saj. Por, tash diasporës i mbetet të bëjë, edhe pak më tepër në procesin e zhvillimit të Kosovës së lirë dhe të pavarur. Duhet sa më shumë investime, që të ketë rritje ekonomike të Kosovës, të vinë dhe të investojnë në Kosovë, të hapin sa më shumë vende të reja pune me investimet e tyre, për të penguar largimin e qytetarëve. Po përmes kësaj interviste shfrytëzoj rastin që të uroj 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke shprehur respektin dhe mirënjohjen e veçantë për diasporën dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button