Ekonomia

Thethi, lugina që po mahnit të huajt

Një udhëtim në Luginën e Thethit. Një prej zonave më të bukura në Shqipëri, që po tërheq gjithnjë e më shumë jo vetëm vëmendjen e të huajve, por edhe vendasve.
Modeli i turizmit familjar, që në një dekadë e ka kthyer Thethin nga një zonë e harruar, në një prej luginave më të pëlqyera nga të huajt dhe vendasit, mund të shërbejë si referencë edhe për shumë zona të tjera…

 

Nga Ornela Liperi

Norbet dhe Brigitte janë një çift gjerman që, në këto ditë të qershorit i gjejmë duke ecur të qetë në luginën e Thethit. Norbet tregon se ky është viti i dytë radhazi që ata vijnë në Shqipëri. Kanë ardhur me kamper përmes Greqisë dhe ndalesa e parë ka qenë Gjirokastra, ndërsa kanë shëtitur edhe në zona të tjera si në Berat, Shkodër, apo Valbonë.

“Lexuam në media për Shqipërinë dhe pamë edhe një emision në televizionin gjerman”, përgjigjen ata, kur i pyet se pse vendosën të vijnë në vendin e shqiponjave. Jo më kot, ky është viti i dytë radhazi që vendosin të kalojnë pushimet në Shqipëri. Janë befasuar pozitivisht nga shteti i vogël, që vitet e fundit me bukuritë e tij ka bërë për vete blogerë dhe media nga e gjithë bota, që po shkruajnë pa fund për Shqipërinë. “Ishte shumë më mirë sesa e prisnim”, thotë Norbet.

monitor 785.indd“Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe shumë miqësorë. Në Gjermani ekziston një frikë për vendin tuaj, sikur këtu të vjedhin, por realisht është shumë mirë”.
E kanë të vështirë të identifikojnë se cila është zona më e bukur në Shqipëri, por megjithatë të thonë një shprehje që karakterizon më së miri larmishmërinë e një shteti që është unik për atë që të ofron në një sipërfaqe të vogël prej 28 mijë kilometrash katrorë.

“Secila ka veçoritë e tyre”, thotë Norbet. Megjithatë, Thethi u pëlqen veçanërisht për natyrën dhe mënyrën se si lugina ndërthuret me majat e maleve.
Dhe nuk janë të vetmit. Si asnjëherë tjetër, të huajt kanë “pushtuar” Thethin këtë sezon.

Sara, nga Londra, sapo ka mbërritur, së bashku me një grup miqsh nga Australia. “E si të mos e pëlqesh këtë vend”, thotë ajo, duke bërë me dorë nga mali madhështor që shtrihet përballë. Ajo kishte lexuar për Shqipërinë dhe kishte dëgjuar për Thethin nga miqtë e saj australianë dhe nuk duket aspak e penduar që ka udhëtuar kaq gjatë.
Elina, një vajzë nga Holanda, ka ardhur në Shqipëri, e ftuar nga shoqja e saj që studion në Shqipëri. Ajo po viziton Thethin dhe atraksionet e tij, së bashku me miken e saj.

Në Syrin e Kaltër të Thethit ajo ka mbetur e habitur nga natyra dhe po e shijon në maksimum atë. Në Holandë, thotë ajo, nuk ka një opinion shumë të mirë për Shqipërinë dhe konsiderohet një vend i pasigurt dhe kriminalitet të lartë. Por, kudo ku ka qenë, ajo është befasuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

monitor 785.inddJahav nga Izraeli ka ardhur në Theth, së bashku me Gal dhe dy shokë të tjerë. E kanë gjetur Shqipërinë dhe Thethin, duke lexuar, por edhe duke kërkuar në hartën e tokës së Google. Kanë ardhur përmes Malit të Zi dhe kanë zgjedhur që të mos marrin rrugën tradicionale për në Theth, por nga Shkodra kanë udhëtuar përmes maleve me xhip, duke kaluar Prekalin dhe Parkun Maranai, në një udhëtim përtej tradicionales, që ka zgjatur 6 orë. Ata janë adhurues të natyrës dhe Jahav nuk e fsheh entuziazmin, kur pohon që Shqipëria është vendi më i bukur që ai ka parë.

“Dhe më besoni, unë kam bredhur në gjithë botën”, thotë ai me bindje. Shoku i tij Gal e mbështet plotësisht: “Natyrë si këtu nuk kemi parë askund në botë”.
Duket sikur koha ka ndalur prej shekujsh dhe të huajt përjetojnë të njëjtën ndjesi si Edith Durham, një udhëtare e famshme angleze dhe shkrimtare për Ballkanin, që e vizitoi zonën në vitin 1908. Ajo do të shkruante: ‘Unë nuk mendoj se ka ndonjë vend të banuar, që të më ketë dhënë përshtypjen e një izolimi kaq madhështor nga e gjithë bota.

Është një vend ku shekujt nuk kanë vlerë; lumi të sjell në mendje një botë të vjetër, bankinat e tij të ndezin instinktet e pasionit.’ Sot për nder të Edith Durham, rrugës për në Theth është ngritur një përmendore.

 

monitor 785.inddTë huajt, 70% të turistëve

Turistë të huaj has kudo nëpër luginë, duke u ngjitur në mal, me çanta në krah dhe të mbështetur në shkopinjtë e alpinizmit, apo duke vizituar ujëvarën dhe Syrin e Kaltër. Ata janë miqësorë dhe nxitojnë të të përshëndetin. Të shumtë janë dhe aventurierët, që udhëtojnë me motor përmes shtigjeve të shumta.

Blerimi, i cili menaxhon biznesin familjar të Bujtinës Gurra, sapo zbret në luginë, është gjithë kohës i zënë. Të huajt, tregon ai, zënë 70% të udhëtarëve apo pushuesve që ndalojnë në bujtinën e tij. “Vijnë nga e gjithë Europa e bota”, pohon ai

“Ka polakë, çekë, gjermanë, por sidomos ka një rritje të turistëve polakë”. Bujtina e tij ka çmime për një natë fjetjeje, me mëngjes dhe darkë të përfshirë për 25 euro. Blerimi me familjen e tij merret me turizëm për gjashtë muaj të vitit, nga maji deri në tetor. Ata prej vitesh jetojnë me shërbimet që u ofrojnë vizitorëve dhe së fundmi e kanë rinovuar bujtinën e tyre, gjithnjë duke ruajtur traditën. Dhe të mendosh që më se 10 vjet më parë në Theth kishte vetëm 7 shtëpi, teksa banorët e kishin braktisur dhe shpresa mungonte tërësisht.

monitor 785.inddSot, Thethi është në antitezë të plotë me një dekadë më parë. Jeta është rikthyer dhe nga maji deri në tetor, banorët janë shumë të zënë me punë.

Janë aktualisht më shumë se 50 familje që janë të lidhura me turizmin, nga të cilat 40 ofrojnë kushte banimi dhe ushqimi në shtëpitë e tyre karakteristike prej guri, me më shumë se 450 shtretër, sipas të dhënave nga GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar), e cila prej 11 vitesh ka mbështetur zhvillimin e turizmit në këtë rajon.

Thethi ka numëruar në vitin 2015 më shumë se 16 mijë turistë, me të ardhura të përllogaritura prej më shumë se 350 mijë eurosh.

 

monitor 785.indd

“Të ardhurat monetare, kryesisht kanë shkuar për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe një pjesë në rinovimin e shtëpive të tyre dhe shtimin e kapaciteteve pritëse. Edhe për vitin 2016, shifrat kanë qenë në rritje”, thotë Ismail Beka, koordinatori i projekteve në zyrën e GIZ.
Shpenzimet totale të turistëve, sipas një vëzhgimi të GIZ, llogariten në rreth 41 euro (akomodimi, ushqimi, guida, transporti etj.), duke e bërë turizmin malor me kosto të ulëta (83% e shpenzimeve shkojnë për fjetje, ushqim dhe transport).
Një zyrë informacioni po ngrihet nga Bashkia përballë me bujtinën, që pritet t’u vijë në ndihmë turistëve të huaj e vendas.

 

Theth 2Rritet interesi edhe i turistëve vendas

Thethi është i mbipopulluar në qershor dhe jo vetëm nga të huajt. Blerimi i Bujtinës Gurra pohon se, dy vitet e fundit, ka pasur një fluks të shtuar të vendasve, ndonëse të huajt vijojnë të zënë peshën kryesore dhe pushojnë. “Shqipëria jashtë dyerve”, udhëtimet në natyrë, aventura, po kthehen në një tendencë për shqiptarët, sidomos të rinjtë.

Ka ndryshuar mentaliteti dhe ka rritje të dukshme të turizmit vendas, thotë Taulant Hoxha nga “My Albania Natyre Explorers”, agjencisë së specializuar në udhëtimet në natyrë brenda vendit. Që prej katër vitesh që agjencia është hapur, ka shënuar rritje të ndjeshme të klientëve vendas. “Çdo vit po i tejkalojmë objektivat tona”, thotë Taulanti. Dikur nxitonin të shkonin në Budva e Ulqin, sot pushuesit shqiptarë janë më të prirë të eksplorojnë natyrën dhe vendin e tyre.

Ai pohon se destinacioni më i kërkuar për momentin mbetet Valbona. Në vitin e parë të aktivitetit çuan në Valbonë 600 persona, të dytin 900, ndërsa vitin e kaluar, agjencia akomodoi në Valbonë 2200 persona. Këtë vit, kur sezoni sapo ka filluar, numri i tyre i ka kaluar 300.
Edhe interesi për Thethin ka ardhur në rritje. Taulanti tregon se Thethi është më shumë për aventurierët, ata që e duan natyrën, që pëlqejnë ecjen, ngjitjen në mal.

Ndryshe nga të huajt, që kanë në plan të parë natyrën dhe vlerësojnë më pak kushtet e akomodimit, cilësinë e shërbimit dhe larmishmërinë e ushqimit, turistët shqiptarë janë më kërkues dhe më “bezdisës”. Pritshmëritë e tyre shërbim cilësor dhe ushqim bio, në çdo detaj, nuk arrijnë të përmbushen nga bujtinat e vogla, që mund të prodhojnë vetë bylmet dhe mish, por ku produktet e tjera nuk arrijnë të bëhen për shkak të motit të ftohtë dhe mungesës së kapaciteteve.

“Nëse më vjen një klient dhe më thotë, që dua ushqime super organike e shërbim cilësor, nuk e rekomandoj të vijë fare në udhëtim”, thotë Taulanti, duke pohuar se vlera reale e udhëtimit është në adrenalinën që të jep natyra.
Ismail Beka i GIZ pohon se pritshmëritë janë të ndryshme për të huajt dhe shqiptarët. “Për turistët e huaj, që janë të orientuar nga aktiviteti në natyrë, kryesisht ecjet e gjata në male, shumë e rëndësishme është prekja direkt e natyrës, pastërtia e ambientit dhe njohja e kulturës dhe traditës së banorëve dhe janë mjaft të kënaqur me qëndrimin e thjeshtë në familje”.

Për sa u përket turistëve shqiptarë, Beka shton se ka shumë prej tyre që në plan të parë kanë rehatinë, ushqimin dhe fjetjen në kushte sa më komode dhe jo të gjithë janë aktivë në natyrë. Pra është më shumë e vështirë për të plotësuar pritshmëritë e turistëve shqiptarë se sa ato të të huajve.

Për dy vjet rresht, 2014-2015, GIZ ka zhvilluar një studim me turistë, tur-operatorë dhe me aktorë të tjerë të turizmit në zonat malore të Majave të Ballkanit (që nga pala shqiptare përfaqëson Thethin, Valbonën, Çeremin, Dobërdollin).
Pothuajse të gjithë turistët e huaj të pyetur (98%) që kanë qëndruar në bujtinat e lidhura me “Majat e Ballkanit” përgjigjen se janë të kënaqur me akomodimin (“Po” dhe “pak a shumë Po”).
“Pra është një tregues shumë i mirë, ruajtja e të cilit do të kërkojë shumë punë”, thotë Beka i GIZ.

 

monitor 785.indd

 

Turizëm i aventurës

Thethi nuk është për të gjithë. Natyra e egër është një ftesë për aventurierët, ata që pëlqejnë ecjen, ngjitjen në shpate (të një vështirësie minimale).
Nuk ke aspak kohë të mërzitesh, sepse alternativat janë të shumta. Një orë në këmbë nga Thethi, në një rrugë që kalon përmes lumit dhe maleve madhështore dhe një ngjitje përmes shkëmbinjve për rreth 100 metra mund të shkosh në ujëvarën e Grunasit në lartësinë 900 metra mbi nivelin e detit. Përfaqëson një ujëvarë me lartësi rreth 30 metra. Ajo ka pamje mjaft tërheqëse, sidomos në kohë me diell, kur piklat e ujit zbërthejnë rrezet diellore, duke formuar ylberin shumëngjyrësh. Në vitin 2002, ajo është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Ujëvara e Grunasit, me trupin e saj të hollë së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin. Ujëvara e Thethit ka si karakteristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. “Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujëvarë të Europës”, thuhet në Guidën e Thethit.

Syri i Kaltër është një tjetër destinacion, një nga bukuritë e rralla jo vetëm të Thethit, po në gjithë Shqipërinë. Nëse je duke zbritur nga Thethi, sapo kalon kanionin e Grunasit, zbret tek centrali i Ndërlysës dhe ecën drejt duke kaluar përbri fshatit Ndërlys derisa arrin tek Pusi i Zi, i cili formohet nga Lumi i Zi që zbret nga Kaprreja. Nëse je me makinë, duhet të ndalosh dhe të parkosh aty, pasi nga Ndërlysa tek Syri i Kaltër nuk ka rrugë automobilistike, rekomandon Guida e Thethit. Pasi të kesh parkuar mjetin afër rrënojave të Shkollës, të shfaqet përpara Pusi i Zi. Në këtë vend duhet të nisesh më këmbë për të vizituar Syrin e Kaltër. Sapo kalon urën dhe merr rrugën për në Kaprre të del përpara një nga pamjet më të bukura e formuar nga gërryerja e shkëmbit nga lumi, ku janë krijuar disa vaska dhe ujëvara, që janë pamjet më të bukura në Shqipëri. Nga vendi ku parkohet mjeti dhe deri tek Syri i Kaltër është rrugë këmbësore dhe zgjat rreth 40 minuta për personin që ecën me ecje normale. Syri i Kaltër është një nga bukuritë më të rralla në të gjithë Shqipërinë. Ai formohet nga Lumi i Zi, i cili buron në Majën e Zezë. Syri i Kaltër është i formuar nga gërryerja e shkëmbit nga uji që zbret nga mali. Pusi i Zi është rreth 100 m² dhe rreth 3 deri në 5 metra i thellë. Lumi i Zi formohet i gjithi nga shkrirja e borës në Alpe. Tek Syri i Kaltër mund të shkojë çdo turist (i çfarëdolloj moshe) pasi rruga është në një luginë të shtruar dhe të thjeshtë.

Në pjesën jugore të Parkut të Thethit është Kanioni i Grunasit i njohur si monument natyre. Kanioni i Grunasit ka formacione karbonike masive. Kanioni është rreth 2 kilometra i gjatë dhe 60 metra i thellë, dhe varion nga 2-3 metra i gjerë deri në 30-40 metrs. Ka një bukuri të pakrahasueshme ,ku gjatë gjithë kohës ka ujë të mjaftueshëm për të pasionuarit e lundrimit me kanoe. Uji i lumit të Thethit është i kristaltë në çdo kohë dhe mjaft i ftohtë. Guida e Thethit nuk këshillon të vizitohet kanioni i pashoqëruar nga banorë të zonës dhe vizita është e këshillueshme të bëhet në grupe. Kanioni i Grunasit ka qenë dhe është një sfidë për të gjithë turistët e huaj dhe ata shqiptarë të pasionuar pas kanioneve.

Taulanti nga “My Albania Nature Explorers” thotë se është unike se si Thethi shtrihet në një luginë rreth 700 metra mbi nivelin e detit dhe është i rrethuar nga 12 majat më të larta të Shqipërisë, nga 16 maja që ka gjithsej vendi. Rreth luginës ngrihen madhështore maja e Jezercës, që është më e larta në Shqipëri (2679 metra), e ndjekur nga Qafa e Pejës (1776 metra), Zhapora, Lugu i Valit, Papluka (2569 metra), Alije (2471 metra), Qafa e Valbonës (1876 metra), Zorgji (1663 metra), Arapi (2217 metra), Boshi (2415 metra), Shtegu i Dhenve (2104 metra) dhe Radohima (2567 metra).
Pothuajse dy të tretat e parkut janë të mbuluara në pemë; në shumë vende, terreni i pjerrët i pyllëzuar është aq i paarritshëm për njerëzit si të jetë një “pyll i lashtë”. Është një vend ideal për alpinistët, të cilët janë të shumtë, por kryesisht janë të huaj.

 

monitor 785.inddDilema e rrugës

Udhëtimi për në Theth është i gjatë, por aspak i mërzitshëm. Pasi lë rrugën nacionale Shkodër-Han i Hotit, në zonën e Koplikut, fillon ngjitja graduale drejt maleve, me një gjatësi totale prej 45 kilometrash. Pak nga pak pamja fillon e ndryshon, fushave ua lë vendin ndërthurja e maleve që sa vijnë e lartësohen, duke të çuar brenda pak minutash në një tjetër dimension.

Rruga është e ngushtë, por e shtruar me asfalt deri matanë Bogës, kur arrin majën më të lartë në qafë të Thorës. Më pas fillon aventura: 10 kilometrat e fundit, në zbritje për në luginë janë të paasfaltura, por të mbushura me zhavorr. Kjo është dhe pjesa më e vështirë. Rruga është me kthesa të forta, e ngushtë dhe e rrezikshme, por pamja prej saj është mahnitëse. Ajo gjarpëron mes pyjeve të dendura dhe pak nga pak fillon e shfaqet lugina e Thethit, një pamje unike dhe e papërshkrueshme, që bëhet edhe më e bukur nga ngjyrat e forta jeshile dhe bari që ka lulëzuar nga shiu i saporënë.

A duhet shtruar rruga deri në fund?! Shumëkush mendon se kjo rrugë e pashtruar po shërben si një mburojë për luginën, që ajo të mos shkatërrohet, të mos kryhen ndërtime pa leje dhe të mos masivizohet. “Shiko çfarë ka ndodhur me Valbonën”, thotë Taulanti nga “My Albania Nature Explorers”.
Ismail Beka, nga projekti GIZ, pohon se për një kohë të caktuar, po të marrim parasysh mungesën e kontrollit urban mbi territorin, rruga e keqe ka “ndihmuar” për të mos pasur një bum ndërtimesh të mëdha në hotele e struktura të tjera shumëkatëshe.
Megjithatë, ai shton se kjo fazë ka kaluar dhe “ne shpresojmë se kontrolli për ndërtimet tej kritereve dhe lejeve përkatëse, është tani i mundur si nga pushteti vendor, ashtu edhe ai qendror”.

Qeveria shqiptare ka investuar para tre vjetësh për të asfaltuar edhe 12 km rrugë drejt Thethit (Bogë – Qafë Thore). “Pjesa e mbetur e paasfaltuar, veçanërisht në Qafën e Thorës është edhe pjesa më e rrezikshme dhe gjatë dimrit mbetet e bllokuar për shumë muaj. Unë besoj se arsyeja që nuk ka përfunduar e gjithë rruga lidhet me procedurat shtetërore, që ashtu si edhe në shumë rrugë të tjera financohen pjesë-pjesë dhe për mungesë fondesh apo ndërrim prioriteti, një kohë të gjatë harrohen. Rruga cilësore, e sigurt dhe me standarde, që respekton Parkun Kombëtar është domosdoshmëri”, tha Beka.

 

———-

FOTO

1.Norbet dhe Brigitte, çifti gjerman që kanë ardhur në Theth për të dytin vit radhazi
2.Elina nga Holanda, te Syri i Kaltër në Theth. Elina është befasuar pozitivisht nga ajo që ka gjetur në Shqipëri
3.Turistë me motor në luginën e Thethit
4.Jahav dhe Gal nga Izraeli. Jahav thotë se Shqipëria është vendi më i bukur që ai ka parë në botë
5.Vizitorë të shumtë në Ujëvarën e Thethit

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button