Ekonomia

Tirana Airport anulon shpërndarjen e dividendit 11.2 mln euro

Me një mbledhje të jashtëzakonshme, Tirana International Airport, kompania që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, ka vendosur në fund të qershorit që të anulojë vendimin e prillit për shpërndarjen e dividentit prej 11.2 milionë euro nga fitimet e vitit 2015.

Sipas vendimit të marrë në 30 qershor 2016, anulohet pika 4 e procesverbalit/vendimit të Asamblesë së Përgjithshmë vjetore të Ortakëve të datës 13 prill 2016, përsa i përket shpërndarjes së fitimit të vitit 2015.

Si rrjedhojë, me vendimin e ri, miratohet mbajtja e fitimit të vitit 2016 në shumën prej rreth 11.25 milionë euro (ekuivalente në lek 1,617,085,648) për investime në shoqëri dhe asnjë dividend nuk është i shpërndarshëm, dhe apo nuk do të shpërndahet te ortakët.

Dividenti u vendos të shpërndahej pas rishikimit te koncesionit dhe lajmit të shitjes te kinezët

Në 13 prill 2016, në Mbledhjen Vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të TIA-s, pPërfaqësuesit e ortakëve të TIA-s miratuan në mënyrë unanime që fitimet e mbajtura/akumuluara në shumën prej 5.5 milionë euro dhe fitimi i vitit financiar të vitit 2015, prej 11.26 milionë euro, të alokohen: 15.5 milionë euro si dividend dhe 1.25 milionë euro si fitim i mbajtur.

Në atë mbledhje, ortakët shprehën mirënjohjen e tyre për Këshillin Administrativ dhe Stafin Menaxherial për kontributin për mbylljen me sukses të vitit 2015 dhe për të arritur në nënshkrimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit.

Në fund të marsit qeveria shqiptare arriti një marrëveshje me Tirana International Airport për ndryshimin e marrëveshjes koncesionare, në bazë të së cilit TIA mori një zgjatje të menjëhershme të afatit të koncesionit me dy vite, në këmbim të hapjes së aeroportit të Kukësit dhe në rast të vënies në punë të ndonjë aeroporti tjetër, afati i koncesionit do të zgjatet maksimumi me 4.5 vite në total, duke e çuar deri në 24.5 vjet, nga 20 vjet që ishte kontrata fillestare.

Pak pas rishikimit të marrëveshjes koncesionare, Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftuan zyrtarisht se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Çmimi i shitjes ishte 82.25 mln euro. (Kontrata e Aeroportit të Rinasit, çmimi i shitjes 82.25 milionë euro, blerësi nga Ishujt Cayman)

Ndonëse kanë kaluar disa muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes, Transaksioni nuk është përfunduar ende dhe aksionerë të Rinasit vijojnë të jenë  regjistruar në QKR në pronësi të AviAlliance GmbH (47%); DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH (31.7%) dhe Albanian-American Enterprise Fund “AAEF” (21.3%). Mësohet se transaksioni ka mbetur pezull.

TIA, një nga kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri

TIA deklaroi një normë rekord fitimi (para taksave) prej 40.7% në vitin 2015, në rritje nga 35.5% që ishte ky tregues një vit më parë.

Sipas të dhënave nga bilanci, të ardhurat e Tirana Internationa Airport ishin rreth 4.9 miliardë lekë (35 milionë euro) në vitin 2015, me një rritje prej 15% me bazë vjetore.

Me shpenzimet në total, që u rritën 6.1%, koncesionari I Rinasit arriti që të zgjeronte fitimet para taksave në gati 2 miliardë lekë, (14.3 milionë euro), nga 1.5 miliardë lekë (rreth 11 milionë euro) në 2014-n. Fitimi pas taksave i 2015-s ishte rreth 11.2 mln euro.

Me këtë performancë financiare,  Tirana International Airport mbetet një nga kompanitë më fitimprurëse dhe aktivvitet të qëndrueshëm e të garantuar nga marrëveshja koncesionare në Shqipëri.

Pezull edhe kinezët e Bankers

Ndonëse kompania prodhuese e naftës  Bankers Petroleum njoftoi në mars muajsh shitjen te kinezët e Geo-Jade Petroleum Corporation, transaksioni nuk është finalizuar ende, ndonëse sipas marrëveshjes fillestare duhet të ishte mbyllur Brenda korrikut.

Bankers njoftoi së fundmi se përfundimi i transaksionit mbetet ende subjekt i miratimit nga Administrata Shtetërore Kineze e Këmbimit Valutor (SAFE). Afati i miratimit nga Republika Popullore e Kinës është shtyrë për në 30 Shtator 2016.

Kundrejt kësaj shtyrje, Geo-Jade ka rënë dakord (që në 29 Korrik 2016, data e amendimit të marrëveshjes) se nëse SAFE nuk e miraton marrëveshjen deri më 30 Shtator, 2016 Bankers ka të drejtë të marrë US$ 20 Milionë si tarifë terminimi nëse Bankers vendos të mbyllë marrëveshjen si pasojë e mosmiratimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button