Tirana mirëpret në qershor takimin e Ministrave të Jashtëm Ukrainë-Evropa Juglindore
Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të premte, 20 mars, një telefonatë me homologun ukrainas, Andrii Sybiha.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Hoxha njofton se kryeqyteti ynë do të mirëpresë në qershor takimin e Ministrave të Jashtëm Ukrainë-Evropa Juglindore.
Më tej, ministri rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën, teksa shkruan për thellim të marrëdhënieve midis dy shteteve përmes bashkëpunimit.
“Sapo zhvillova një bisedë domethënëse me Andrii Sybiha, Ministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Teksa agresioni në shkallë të gjerë i Rusisë kundër Ukrainës hyn në vitin e tij të pestë, rikonfirmova se Shqipëria dënon hapur shkeljet e vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë sulmet e përsëritura kundër popullsisë civile dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës.
Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe për llogaridhënien, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe për të ardhmen e saj evropiane.
Rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të thelluar më tej marrëdhëniet Shqipëri–Ukrainë përmes bashkëpunimit të ngushtë, duke avancuar rrugët tona respektive drejt Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në paqen, stabilitetin dhe sigurinë në mbarë Evropën.
Pres me kënaqësi të mirëpres Ministrin Sybiha në Shqipëri, në Takimin e Ministrave të Jashtëm Ukrainë–Evropa Juglindore, që do të organizojmë në muajin qershor në Tiranë“, shkruan ministri në rrjete sociale.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.