Ekonomia

Tiranë, investime në Ujësjellës

Me investimin e fundit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në rrugën “Besim Imami”, 700 banorë të kësaj zone nuk do të kenë më probleme me furnizimin me ujë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të kryerjes së punimeve nga UKT në zonën pranë “Myslym Shyrit”, tha se është mëkat që vitet e fundit, kjo zonë kaq afër qendrës së Tiranës, është lënë në mëshirë të fatit.

“Mbaj mend kur erdha këtu në fushatë dhe gjendja ishte një baltovinë, furnizimi me ujë një mizerie, ndërkohë që të gjitha cepat e pallateve ishin zënë me gjirize, lloj-lloj ndërtimesh pa leje dhe me një infrastrukturë që linte për të dëshiruar”, u shpreh Veliaj.

Por, kryebashkiaku i Tiranës tha se bashkia ka nisur transformimin e zonës, ndërsa vuri në dukje një element që ka të bëjë me pagesën e taksave: “Bashkia, qeveria, qyteti, duhet të investojë aty ku edhe qytetarët janë më korrektë. Ndaj, edhe më vjen mirë që u jemi përgjigjur qytetarëve korrektë të kësaj lagjeje, që kanë kryer të gjitha pagesat ndaj Bashkisë, me investimin përkatës, në mënyrë që çdo qytetar të shohë se si ato taksa modeste përkthehen menjëherë në investime tek lagjja e territori i vet”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë korrektë me pagesat e ujit, pasi ato përkthehen në investime: “Është hera e parë që kemi një ndërmarrje e cila del nga humbjet. UKT-ja nuk ka më humbje, të paktën financiare, edhe pse ka ende shumë humbje në sasi uji. Do të thotë që në çdo investim të ri shmangim çarjet, shpimet që janë bërë në rrjetin ekzistues, për t’u siguruar që uji shkon së pari me presion dhe me orar më të zgjatur aty ku paguhet plotësisht dhe pastaj sigurisht do ndihmojmë edhe gjithë të tjerët”.

Ndërsa theksoi se në disa zona si Yzberishti, “Ali Demi” apo “Kodra e Priftit” situata me furnizimin me ujë është normalizuar, kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga qytetarët që banojnë në zonat e fshatit që të kursejnë dhe të mos e keqpërdorin atë për vaditje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button