Sporti

Tjetër “Top i Artë” për Mesin, Nojer merr “Dorashkën e Artë”

FIFA nderon para ceremonisë së dorëzimit të Kupës dy nga yjet e këtij edicioni rekordesh

Suksesi i Gjermanisë me rezultatin 1-0 në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës, është shoqëruar jo vetëm me ceremoninë e dhënies së medaljeve dhe trofeut, por edhe me ato të çmimeve të tjera. Lionel Mesi, humbës në këtë finale, ka marrë “Topin e Artë”, Manuel Nojer ka marrë “Dorashkën e Artë”, ndërsa “Këpuca e Artë” i ka shkuar kolumbianit Xhejms Rodriguez.

Fitorja e Gjermanise (4)

Menjëherë pas mbylljes së ndeshjes, i pari që është ngjitur në tribunën e stadiumit “Marakana” ka qenë portieri Manuel Nojer, padyshim një lider i kësaj Gjermanie, për të marrë “Dorashkën e Artë”. Në këtë edicion të Botërorit, numri 1 i Gjermanisë është kthyer shpesh edhe në një mbrojtës të mirëfilltë, duke bërë ndërhyrje me këmbë jashtë zonës që shumë mbrojtës do t’ia kishin zili. Ndaj nuk është rastësi se duke filluar që nga nata e mbrëmshme, emri i tij qarkullon mes atyre të kandidatëve për “Topin e Artë 2014”.

Ndërkohë, “Topi i Artë” i këtij Botërori i ka shkuar Lionel Mesit, për faktin se ka qenë lideri i kësaj Argjentine në rrugëtimin drejt finales së madhe. Por numri 10 i latino-amerikanëve nuk është shfaqur në formën e tij më të mirë në finale, duke mos bërë diferencën, me zhgënjimin që dukej qartë në sytë e tij ndërsa i dorëzohej trofeu simbolik i futbollistit më të mirë të aktivitetit. Pavarësisht ngushëllimit nga gjermanët, Mesi nuk ka dhuruar asnjë buzëqeshje, duke u larguar kokulur nga stadiumi, i ndërgjegjshëm që kishte humbur rastin më të mirë të karrierës së tij për të arritur trofeun më të rëndësishëm dhe për t’u kthyer në legjendë.

Meqë asnjë nga rivalët e tij nuk shënoi në finale, Xhejms Rodriguez është shpallur “Këpuca e Artë” e Botërorit 2014 me 6 golat e shënuar. Për kolumbianin, ky është një nga dy sukseset e këtij edicioni, pasi kombëtarja e tij ka marrë çmimin “Ekipi Fair Play” nga FIFA. Ndërkohë, Pol Pogba është shpallur “Lojtari i ri më i mirë” nga FIFA, duke mundur shokun e tij të kombëtares, Varane, si dhe holandezin Depai.

Reagimet

Filip Lahm: Kishim skuadrën më të fortë të turneut dhe ecëm në rrugën tonë. E pabesueshme! Jemi europianët e parë që fitojnë Kupën në Amerikën E Jugut. Ky është kulmi i karrierës sime. Që nga Botërori i parë që kam ndjekur, ai i vitit 1990, ëndërroj të mbaj në duar Kupën. Ia dolëm mbanë, pasi nuk kemi lojtarë individualistë, por një skuadër të madhe.

Manuel Nojer: Të gjithë ishin tifozë me ne dhe prandaj u shpallëm kampionë. Të gjithë e kuptuan forcën tonë. Kishte unitet të madh, të gjithë deshëm të arrinim këtë objektiv dhe ia dolëm. Kishim disa mungesa lojtarësh dhe duhet të kujtojmë edhe ata që nuk janë këtu, si Rojs e Bender, që janë gjithashtu kampionë. Ishte e vështirë, unë kam bërë thjesht punën duke ndihmuar ekipin tim. Festa? Do të zgjasë të paktën 5 javë!

Havier Masçerano: Ndiejmë një dhimbje të jashtëzakonshme. Kemi dhënë atë që mundeshim dhe ndihemi keq për veten dhe për të gjithë njerëzit që besuan tek ne. Ishte mundësia jonë, na vjen shumë keq.

171

Goli i Gëtce barazoi rekordin e 171 golave të shënuar në një Botëror, të vendosur në vitin 1998

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button