Teater

TKOB, një kalendar pa premiera, Teatri nis me Çehovin

Çfarë ofrojnë institucionet kulturore në këtë sezon?

Çfarë na ofrojnë institucionet kulturore në këtë sezon të ri artistik? Cilat do të jenë shfaqjet apo premierat që do t’i bashkëngjiten një sezoni i cili është konsideruar gjithnjë si më i rëndësishmi i vitit, duke qenë se është dhe i pari i një viti të ri? Ndërsa kanë kaluar 10 ditë nga hyrja e vitit 2016, vetëm një pjesë e institucioneve kulturore kanë publikuar kalendarin e tyre artistik për këtë sezon. Teatri i Operës dhe Baletit është i pari që ka bërë publik kalendarin e aktiviteteve të këtij sezoni, dhe pse nëse e sheh me kujdes këtë kalendar pjesa më e madhe e veprave që do t’i ofrohen publikut janë rivënie. E tillë është dhe opera “Rigoletto” e Giussepe Verdit, e cila do të hapë sezonin e ri të TKOB, nën regjinë e Nikolin Gurakuqit më 21 janar për të vazhduar deri në 25 janar. “Rigoletto” është një nga operat më të bukura të Verdit. Solistë në këtë vepër do të jenë L.Kazani, V.Kamenica, G.Abduladze, Y.Gjini, J.Ysmanov, A.Kllogjeri, E.Marchesini, R.Tullumani, Z. Abazi, I. Hoxha, O.Islami. Baleti “La stravaganza & Noces” do të ngjisë në skenë sërish koreografinë e Angelin Preljocajt, nën interpretimin e trupës së Baletit të TKOB më datat 28, 29 janar. Koncert i Orkestrës së Dhomës së TKOB do të vijë për publikun më 30 janar, ndërsa më 31 janar një koncert me pjesë të zgjedhura nga lirikat shqiptare do të vijë në skenën e këtij institucioni. Muaji shkurt do të nisë me balet. Është “Arrëthyesi” që do të vijë më datat 12,14, 15,16 shkurt nën regjinë e Ilir Kernit. Më 17 shkurt, Ansambli Popullor do të vijë me një koncert dedikuar Kosovës. Koncerte klasike vijojnë deri më 24 shkurt, kur një tjetër balet do ti ngjitet skenës. “Ballo e diplomës” e cila është sërish një rivënie do të ngjitet në skenë nën koreografinë e Ilir Kernit. Baleti “La sylphide” një tjetër rivënie do të vijë në skenë nën koreografinë e Ilir Kernit më 2,3 prill. Sezonin e TKOB do ta mbyllë baleti “4 pieces” nën koreografinë e Daniel Cardoso dhe interpretimin e Trupës së Baletit të TKOB. Teatri Kombëtar do ta nisë këtë sezon me një premierë. Është komedia “Tri motrat” e Çehov, e cila do të vijë premierë këtë fundjavë nën regjinë e Hervin Çulit, për të vijuar përgjatë gjithë fundjavave të muajit janar. Pas Çehovit në skenë do të ngjitet vepra “Zbutja e kryeneçes” me regjisore Elma Dorezin, e më pas “Mallkimi i fukarenjve” me regjisor Kastriot Çipin, ku në role kryesore do të jenë dy aktorë të njohur të teatrit si Ndriçim Xhepa dhe Yllka Mujo. Teatri Eksperiemental “Kujtim Spahivogli” vazhdon të jetë tepër aktiv me shfaqje. “Gënjeshtër pas gënjeshtre” nën regjinë e Qëndrim Rijanit do të hapë sezonin për këtë vit. Vepra zbërthen ato të vërteta tronditëse, të cilat na thuhen përmes gënjeshtrave që vijnë njëra pas tjetrës, e që në tërësi formojnë një gënjeshtër të madhe që te ne transmetohet nga dy policë, të udhëhequr nga paaftësia për të thënë një të “vërtetë” të dhimbshme. Të gjithë ‘përrallën’ e transformojnë në një ngatërresë të madhe situatash, sa komike po aq intriguese për lojë me ndjenjat e shikuesit, publikut. Vepra do të ketë premierën këtë fundjavë në skenën e këtij teatri. Me një kalendar që linte për të dëshiruar gjatë vitit 2015, Galeria Kombëtare e Arteve ende nuk ka bërë publike asnjë aktivitet që do të shënjojë hapjen e sezonit të saj për këtë vit. Ajo e mbylli vitin 2015 me ekspozitën e konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri”. Ndryshe nga simotra e saj në Kosovë, e cila bëri publike që në ditët e para të këtij viti kalendarin artistik, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë vazhdon të jetë në heshtje. Teatri i Metropolit, pas ardhjes së drejtoreshës së re, duket se do më tepër kohë për të prezantuar kalendarin e ri. Vetë drejtoresha Jonida Beqo, pranoi gjatë takimit të saj të parë me median, se është duke punuar mbi repertorin dhe shumë shpejt do ta bëjë publik.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button