Spanjë, fitojnë socialistët e Sanchez. Në Parlament hyjnë edhe ekstremistët
Socialistët kanë fituar zgjedhjet e treta në 4 vite në Spanjë, edhe pse nuk kanë mundur të sigurojnë shumicën për të qeverisur të vetëm. Tashmë, partisë së drejtuar nga Pedro Sanchez, që ka mundur të sigurojë 29 për qind të mbështetjes së elektoratit, do t’i duhet ndihma e “Podemos”-it të krahut të majtë dhe partive rajonale, ose ajo e partive të qendrës së djathtë për të krijuar qeverinë.
Për herë të parë që prej rënies së juntës ushtarake në vitet ’70, një parti e ekstremit të djathtë programohet të hyjë në Parlamentin spanjoll. “Vox” kundërshton multikulturalizmin, emigracionin e pakufizuar dhe atë që ekstremistët e quajnë “feminizëm radikal”.
Një lajm më vete përbën fakti që në këto zgjedhje, Partia Popullore e ish-kryeministrit Mariano Rajoy ka pësuar një rënie të ndjeshme në elektorat, edhe pse qeverisi Spanjën për shumë vite derisa u rrëzua përmes mocionit të mosbesimit në maj të vitit 2018. Në atë që përbën rezultatin e tyre më të keq në histori, Partia Popullore ka fituar vetëm 66 vende, një rënie drastike nga 137 vendet që kishte në legjislaturën e kaluar.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e përgjithshme të Spanjës ishte 75.8 për qind, më e larta ndër vitet e fundit, duke shënuar madje 9 për qind rritje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2016. Në fjalimin e tij të fitores, Pedro Sanchez tha se sfidat më të mëdha të partisë së tij janë lufta kundër pabarazisë, avancimi i bashkekzistencës dhe frenimi i korrupsionit.
“E ardhmja ka fituar, ndërsa e shkuara humbi sërish”, u tha ai mbështetësve të tij. Që kur ka ardhur në pushtet, ai ka rritur pagën minimale, ka emëruar një kabinet të dominuar nga femrat dhe ka premtuar të miratojë në Parlament ligjet që përkufizojnë përdhunimin, si marrëdhënie seksuale pa konsensus.