Tradita shekullore e punimeve artizanale dhe mbrojtja e krijimeve të artizanëve
Nensi Seferi-Deloitte Legal
Shqipëria është e njohur për një traditë të pasur të artizanatit të krijuar prej shekujsh nga mjeshtërit popullorë, dhe të trashëguar brez pas brezi deri në ditën e sotme. Në varësi të krahinës, punimet artizanale shqiptare paraqesin karakteristika dhe specifika të ndryshme të cilat lidhen ngushtësisht me historinë e vendit. Të gjithë punimet të cilat janë të prodhuara me dore, me mjete të thjeshta nga zejtarët dhe që nuk prodhohen me mjete industriale në fabrika do të konsiderohen si punë artizanale. Vetë fjala “artizanat” e formuar nga parashtesa “art” dhe fjala “zanat” nënkupton mjeshtëri artistike. Punimet artizanale janë të rëndësishme jo vetëm si mundësi punësimi por edhe për ruajtjen e traditave dhe identitetit kulturor si dhe zhvillimin e mëtejshëm dhe promovimin e kulturës dhe historisë shqiptare. Vitet e fundit kanë shënjuar një rritje të punimeve artizanale, jo vetëm ato të lidhura ngushtësisht me traditën shqiptare por dhe punime artizanale të reja. Në një botë të komercializuar, është e rëndësishme për mbijetesën e veprimtarive të tilla jo vetëm komercializimi i produkteve të tyre por dhe mbrojtja e krijimeve nga përdorimi i padrejtë tregtar. Përpos mbrojtjes që mund tu atribuohet nga ligje të veçanta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, produktet artizanale dhe përdorimi i tyre për qëllime tregtare mbrohet edhe nga legjislacioni për pronësinë intelektualë. Krijimi i të drejtave me anë të ligjit të pronësisë intelektuale mundëson mbrojtjen e punimeve artizanale jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj.
Mbrojtja e reputacionit dhe karakterit dallues
Markat Tregtare
Markat tregtare janë shenja të cilat bëjnë të mundur identifikimin e produkteve të një subjekti tregtar nga një subjekt tjetër tregtar. Markat tregtare mund të jenë në formën e shkronjave, fjalëve, figurave, numrave, ngjyrave, formën e mallrave apo paketimin e tyre. Regjistrimi i markës tregtare në lidhje me produktet artizanale jo vetëm që mbron zejtarët nga produkte të tjera të ngjashme, por gjithashtu forcon njohjen e produkteve artizanale nga konsumatori shqiptar. Pronari i një marke të regjistruar gëzon të drejtën të ndalojë çdo palë të tretë të përdor një markë të njëjtë/të ngjashme për produkte të njëjta/të ngjashme. Markat tregtare mbrohen përjetësisht me kusht që të paguhet tarifa përkatëse çdo 10 vite. Emri i biznesit, logo e biznesit, forma e një krijimi dhe jo vetëm mund të regjistrohen si markë tregtare.
Markat Certifikuese dhe Kolektive
Marka Certifikuese dhe Kolektive përdoret për të informuar publikun në lidhje me disa cilësi të caktuara të produkteve që tregtohen nën këto marka. Këto marka ndihmojnë në promovimin e zejtarëve të rinj, në zhvillimin ekonomik të zejeve të ndryshme, në ndërgjegjësimin e konsumatorit në lidhje me veçantinë e produkteve artizanale, si dhe i siguron ato për vërtetësinë e produkteve.
MarkaKolektive shërben për të dalluar produktet e anëtarëve të një shoqate apo tjetër organizimi ligjor. Ky organizim përbëhet nga tregtarët që prodhojnë mallra apo ofrojnë shërbime të caktuara. Është pikërisht ky organizim që zotëron markën kolektive. Në mënyrë që anëtarët e organizimit të mund të përdorin markën kolektive, produktet dhe shërbimet e tyre duhet të jenë në përputhje me rregulloren e përcaktuar nga organizimi përkatës.
Marka Certifikuese shërben për të treguar se mallrat apo shërbimet e tregtuara nën markën janë të certifikuara për sa i përket origjinës së tyre tregtare apo karakteristika të tjera të produkteve dhe shërbimeve. Pronari i një marke certifikuese nuk ka të drejtë të përdor markën certifikuese por autorizon çdo person të tretë të përdor atë në rast se ai përmbush kushtet e përcaktuara në rregulloren e markës certifikuese. Pronarët e markës certifikuese dhe kolektive gëzojnë të drejtën të ndalojnë çdo person të tretë të cilët nuk janë anëtar apo që nuk përmbushin kushtet përkatëse të përdorin një shenjë të ngjashme me markën certifikuese/kolektive.
Emërtimet gjeografike (EOM)
Mbrojtja e produkteve artizanale që rrjedhin nga një rajon specifik promovon dhe ndihmon në ruajtjen e traditave të trashëguara brez pas brezi. Emërtimi gjeografik bën të mundur pikërisht ruajtjen e traditave në prodhimin e produkteve të ndryshme, duke bërë të mundur lidhjen e këtyre traditave vetëm me një vend të caktuar. Në këtë mënyrë bëhet e mundur ruajtja e një grupi të caktuar ndaj praktikave të padrejta tregtare si dhe reputacioni i produkteve artizanale. Në mënyrë që një produkt të mund të klasifikohet si EOM ai duhet të (i) ka origjinën nga një vend specifik, rajon apo shtet i caktuar; (ii) cilësitë ose karakteristikat e produktit vijnë ekskluzivisht si rezultat i mjedisit gjeografik (faktorët natyrorë dhe njerëzorë të trashëguar nga ky mjedis); (iii) të gjithë hapat për prodhimin e produktit realizohen në këtë zone gjeografike. Produkt artizanale që mund të mbrohen me anë të EOM mund të jetë për shembull Glikoja Përmetit.
Mbrojtja e paraqitjes së jashtme
E drejta e Autorit
Punimet artizanale janë zakonisht krijimi origjinale të cilat pasqyrojnë karakterin individual të autorit. E drejta e autorit e cila ekziston që me krijimin e “veprës” mbron pikërisht kreativitetin e autorit. Punime të cilat janë origjinale dhe kanë karakterin individual mbrohen gjatë gjithë jetës së autorit si dhe 70 vite pas vdekjes së tij. Autori i një pune të mbrojtur nga e drejta e autorit mund të ndalojë kopjimin e një pjesë apo një tërësi elementesh të punës së mbrojtur, apo krijimin një vepër të prejardhur pa autorizimin e tij. Të drejtat që rrjedhin nga e drejta e autorit janë morale dhe ekonomike. Të drejtat morale janë të patjetërsueshme dhe lidhen me të drejtën e autorit për tu njohur si krijuesi i një pune origjinale, ndërsa të drejtat ekonomike lidhen me të drejtën e autorit për të përfituar shpërblim ekonomik për riprodhimin, shpërndarjen, komunikimin në publik të veprës apo krijimin e veprave të prejardhura. Punime artizanale që mund të mbrohen nga e drejta e autorit përfshijnë ndër të tjera elementet zbukuruese të krijuara me baltë, bizhuteri të ndryshme, punime druri dhe lëkure, produkte qeramike, skulpturat.
Disenjo industriale
Disenjo nënkupton karakteristikat e formës së jashtme të një produkti përfshirë aspektit ornamentalë ose estetike të produktit si një i tërë ose i pjesëve të tij të cilat i japin një pamje të veçantë. Në mënyrë që një produkt të mbrohet nga e drejta e disenjos ai duhet të jetë i ri ( jo i njëjtë me një disenjo tjetër) dhe të ketë karakter individual (përshtypja e përgjithshme e përdoruesit të jetë e ndryshme nga përshtypja e përgjithshme e përdoruesit ndaj një disenjo të mëparshme). Disenjot mbrohen për një periudhe deri në 25 vitesh nga data e aplikimit. Një zejtar i cili ka të regjistruar një disenjo mund të ndalojë të tjerët të prodhojnë, importojnë, shesin apo të shpërndajnë produkte që kanë paraqitje të njëjtë ose të ngjashme me disenjon e mbrojtur. Punime artizanale që mund të mbrohen si disenjo mund të përfshijnë formën e vazove ose zbukurimet, formën e një bizhuterie, disenjon e një qilimi etj.
Patentat
Patentat mbrojnë shpikje që përbëjnë risi, përmbajnë një hap shpikës dhe janë të zbatueshme në industri. Me anë të patentave zejtarët mund të mbrojnë pajisjet apo proceset që përdoren për të prodhuar produktet artizanale, si dhe përmirësimet e këtyre proceseve apoveçori të reja funksionale të produkteve artizanale. Patenta i jep të drejtën mbajtësit të saj të ndalojë çdo pale e tretë të përdor për qëllime tregtare produktet e patentuar, apo produktet e përfituara si rezultat i procesit të patentuar për një periudhe deri më 20 vite nga data e aplikimit të patentës. Për shembull përmirësimet e makinerive apo tezgjahëve që përdoren gjatë krijimit të produktit artizanal, apo procese të përmirësuara të tjerrjes etj.
Sekreti Tregtar
Prodhimi i produkteve artizanale shpesh herë përmban “sekrete” të trashëguara brez pas brezi në lidhje me përbërjen e një e produkti, metodën e prodhimit apo njohuritë e nevojshme për një fazë të caktuar të prodhimit. Në mënyrë që këto sekrete të mbrohen nga aksesi i palëve të treta, ato duhet të klasifikohen si sekrete tregtare. Sekret tregtar është çdo informacion i cili nuk është gjerësisht i njohur ose lehtësisht i aksesueshëm; vlera e tij tregtare vjen si rrjedhojë e faktit që është sekret; dhe personi që e zotëron këtë informacion ka ndërmarrë të gjithë hapat earsyeshëm për ruajtjen e informacionit. Në ndryshim nga patentat, sekreti tregtar mbrohet automatikisht për sa kohë është i fshehtë, dhe zotëruesi i tij mund të ndalojë çdo person të përvetësojë, përdorë apo të bëjë publike në mënyrë të paligjshme informacionin e konsideruar si sekret tregtar. Për shembull një zejtarë mund të zotërojë njohuri se si të prodhojë një produkt të caktuar me kushte më të mira dhe për një kohë me të shkurtër.
Shënim: Ju lutem drejtojuni një profesionisti të Pronësisë Intelektuale për t’ju udhëzuar se cila nga pronësitë intelektuale është e aplikueshme në rastin tuaj dhe hapat që duhet të ndërmerrni.