Kronika

Transmetimet e Kuvendit, RTSH tërhiqet, por…

Të enjten e ardhshme në Parlament nuk do të zhvillohet më debati për përdorimin nga televizionet private të sinjalit që prodhon nga salla e Kuvendit Televizioni Publik Shqiptar.
Zyra e shtypit konfirmoi për Top Channel se Kuvendi i Shqipërisë është dakordësuar me TVSH-në, që të vazhdojë t’u japë mediave sinjalin për të transmetuar direkt seancat plenare, pa logon e televizionit publik.
Të enjten, TVSH-ja vendosi papritur të mos e shpërndajë sinjalin për të gjithë televizionet e tjera me pretendimin e pavërtetë se i kishte njoftuar më herët për ndërprerjen e shërbimit.
Një veprim  i tillë u komentua si akt politik nga opozita.
“Përbën një atentat të rëndë, një akt prej xhelati të fjalës së lirë të Parlamentit, të Gëllçit të zi, por më shumë se të gjithë të tjerëve, të Ramës së zi”, deklaroi për mediat Sali Berisha.
Por rikthimi në normalitetin e marrjes së sinjalit nga TVSH-ja nuk do të jetë afatgjatë. Zyra e Shtypit e Kuvendit konfirmoi projektin e përmendur nga Kryeministri Rama për krijimin e një kanali televiziv të Parlamentit, i cili do ta sigurojë vetë shërbimin për mediat.
“Ky shërbim i jepet nga ekrani i Kuvendit, qoftë për seancat plenare, qoftë për seancat e Komisioneve si çdo vend tjetër. Nuk mund të ketë këtu 25 kamera në sallën e Kuvendit. Këtu mjafton një regji televizive e Kuvendit”, deklaroi Rama nga salla e Parlamentit gjatë seancës së të enjtes.
Kuvendi e cilëson projektin si një zgjidhje përfundimtare që do t’u sigurojë mediave aksesin viziv për seancat plenare.
Megjithatë, siç konfirmon Zyra e Shtypit, në projekt nuk përfshihet lejimi i kamerave në llozhën e seancave plenare, që do të thotë se mediat do të detyrohen të transmetojnë vetëm pamjet e regjisë së Kuvendit të Shqipërisë, duke mos qenë të lira të ushtrojnë të drejtën kushtetuese, ku sanksionohet se “liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar”.
Kjo e bën problemin sa etik, aq edhe kushtetues dhe sipas specialistëve të të drejtave të njeriut cenon lirinë e informimit dhe transparencën e Parlamentit.
Nëse projekti në fjalë realizohet, punimet e Kuvendit do të jenë në dorë të një regjie e cila do t’i bindet një urdhri të caktuar për të servirur çfarë i duhet Kuvendit dhe jo çfarë i duhet publikut në momente potencialisht delikate të debatit parlamentar.
Minimalisht, një veprim i tillë nuk duhet të merret pa një konsultë me mediat, të cilat janë në të drejtën e tyre dhe në interes të publikut të kryejnë detyrën profesionale: pasqyrimin me vërtetësi dhe të pavarur të zhvillimeve politike të atij që duhet të jetë edhe tempulli i demokracisë; Parlamenti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button