Transporti ajror, si e kanë ndarë ‘tortën’ kompanitë e rajonit që fluturojnë edhe nga Tirana
Kompanitë ajrore që ofrojnë shërbime në Ballkanin Perëndimor kanë pasur një vit rekord për sa i përket përpunimit të pasagjerëve, numri i të cilëve arriti në 6.6 milionë.
Të dhënat janë bërë të ditura nga EX-YU aviation.
Sipas të dhënave tregje të tilla si Shqipëria apo edhe Kosova kanë ndikuar në shifrat e raportuara të kompanisë ajrore Adria Airëays. Statistikat e zyrës së statistikave të Sllovenisë kanë treguar se shoqëria ka përpunuar rreth 1.4 milionë pasagjerë ose rreth 13% më shumë sesa viti i kaluar. Janari i 2017-ës nuk nisi mirë për shoqërinë e cila pati një rënie me rreth 72,800 pasagjerë. Por, pavarësisht kësaj shifre, kompania ka shtuar operimet nga aeroporti i Shqipërisë, Kosovës dhe Polonisë.
Edhe aeroporti i Prishtinës po tërheq vëmendje, pasi së fundmi kompania lituaneze Small Planet Airlines ka deklaruar se do të nisë fluturimet direkte nga Paderborn drejt Prishtinës duke filluar nga data 25 korrik.
Ndërsa Montenegro Airlines parashikon që të ketë rënie të aktivitetit në vitin 2017. Politikat do të orientohen drejt reduktimit të kostove dhe përmirësimit të rrjetit. Në vitin 2016 Montenegro Airlines u rrit me vetëm 0.6%. Në total numri i pasagjerëve që u përpunuan ishte 581,519.
Pozitive parashikohet ecuria e Air Serbia gjatë 2017-ës duke synuar një shifër rekord rritjeje në 7%. Kjo pasi shoqëria synon që të ndërmarrë politika që do ta ndihmojnë në rritjen e numrit të pasagjerëve. Për drejtorin ekzekutiv të Air Serbia ka ende vend për rritje. Gjatë 2016-ës kompania numëroi 2.62 milionë pasagjerë ose rreth 3% më shumë në krahasim me një vit më parë.
Edhe Croatia Airlines pritet të arrijë një numër të lartë pasagjerësh gjatë këtij viti në rreth 2 milionë ose rreth 100,000 më shumë. Rritja do të vijë pasi gjatë 2017-ës katër destinacione të reja do të ofrohen në sezonin veror. Për gjatë gjithë vitit numri i destinacioneve të reja do të arrijë në tetë. Numri i pasagjerëve në vitin 2016 arriti në rreth 1.94 milionë ose rreth 5% më shumë se në 2015-ën.
Shifrat e 2016-ës
Shoqëria Pasagjerë Ndryshimi (%)
Air Serbia 2.62 3
Croatia Airlines 1.94 5
Adria Airways 1.45 13
Montenegro Airlines 0.58 0.6