Tre receta popullore për të shëruar bajamet
Pezmatimi i bajameve është i shpeshtë gjatë muajve të ftohtë, veçanërisht te fëmijët.
Ndersa shumë prindër preferojnë mjekimin me barna, disa të tjerë preferojnë receta mjekësore popullore, të cilat kanë më pak efekte anësore, shkruan Mjeku.net.
Recetë me lule pjeshke
Këtë bar natyral do ta keni më të lehtë ta përgatitni në pranverë, kur lulëzojnë pemët, pasi baza e tij është pikërisht lulja e pjeshkës.
Për përgatitjen e mjekimit nevojiten 15 – 30 gram lule pjeshke që më pas duhet t’i zieni në 500 mililitër ujë. Kjo tretësirë e fituar mund të përdoret në dy forma:
Të pihet në formë çaji duke e ëmbëlsuar sipas dëshirës, më mire me mjaltë.
Tretësira mund të përdoret edhe si gargarë, duke shpërlarë fytin me të disa herë në ditë për 20 deri në 30 sekonda.
Lulet e pjeshkës mund t’i përdorni edhe në një formë tjetër për të ndihmuar bajamet e pezmatuara.
Ju mund t’i shtypni duke i bërë pluhur lulet e thara e të imtësuara të pjeshkës, dhe ato mund t’i përdorni duke përtypur në gojë disa herë në ditë.
Recetë me sherbele
Sherbela është një bimë shumë e përdorshme për trajtimin e ftohjeve dhe bajameve të acaruara.
Ajo është edhe pjesë përbërëse e shumë suplementeve dhe shurupeve natyrale që mund t’i blini në farmaci.
Çajin nga sherbela mund ta përdorni vazhdimisht gjatë ditëve qe jeni të sëmurë, por edhe në ditët tjera.
Veç çajit ju mund të bëni edhe një tretësirë për shpëlarje të gojës me përmbajtjeje sherbele. Për ta bërë edhe më efektive tretësirën, veproni si në vazhdim:
Përziheni në raport 1:1 bimët: sherbela (Salvia officinalis), këputja e arave (Equisetum arvense), boçet e hermoqit (Picea abies).
Përzierjen e përgatisni në formë çaji të nxehtë, të cilin pastaj mund ta ëmbëlsoni me mjaltë sipas dëshirës. Me këtë “çaj” shpëlahet fyti (në formë gargarë) çdo 15 minuta.
Mëllaga e bardhë
Mëllaga është një tjetër bimë e cila tradicionalisht është përdorur për të trajtuar kollën, ftohjet dhe dhimbjet në fyt. Produkti më i përdorur është çaji nga rrënjët e mëllagës.
Në fakt tretësira me mëllagë përgatitet me ujë të ftohtë. Për të përgatitur këtë “çaj”, vendosni dy lugë rrënjë të mëllagës në 250 mililitër ujë dhe leni rrënjët të qëndrojnë për rreth gjysmë ore.
Pastaj e kulloni lëngun dhe largoni mbetjet e rrënjëve, dhe e pini pak nga pak.