Tregim nga Haruki Murakami
Kur Pashë Vajzën Ideale Një Mëngjes Të Bukur Prilli – HARUKI MURAKAMI
Përktheu nga anglishtja: Ivana Dervishi
Një mëngjes të bukur prilli, në një rrugë të ngushtë në lagjen e mbajtur Harajuku të Tokios, hasem me vajzën ideale. Të them të vërtetën ajo nuk është edhe aq e bukur. Ajo nuk ka ndonjë gjë që të lë gojëhapur. Rrobat nuk janë të veçanta. Flokët i ka të çrregullta nga gjumi. Ajo nuk është as e re, duhet të jetë te të tridhjetat, as që i afrohet një “vajze” në kuptimin e plotë të fjalës. Por ende, e di që 100 metra larg: ajo është vajza ideale për mua. Kur e shoh, diçka më gjëmon nga brenda kraharorit dhe goja bëhet po aq e thatë sa një shkretëtirë.
Ndoshta ju keni llojin tuaj të vajzës së parapëlqyer– atë që ka këmbë të holla apo sy të mëdhenj, gishtërinj të hijshëm apo ju tërheq pa e kuptuar ajo që e ha vaktin me tepër nge. Unë kam pëlqimet e mia, sigurisht. Ndonjëherë në restorant e gjej veten syngulur te vajza e tavolinës ngjitur sepse më pëlqen forma e hundës së saj.
Por askush nuk mund të këmbëngulë se vajza e tij ideale i përket një lloji të paramenduar. Për aq sa më pëlqejnë hundët, nuk mund të më kujtohet forma që ka e saja – apo nëse ajo ka një syresh. Mbaj mend mirë se ajo nuk kishte ndonjë bukuri mbresëlënëse. E habitshme.
“Dje hasa në rrugë vajzën time ideale,” – i them dikujt.
“Vërtetë?” – ma kthen ai. “E pashme?”
“Jo tamam”.
“Lloji yt i preferuar atëherë?”
“Nuk e di. Nuk më kujtohet asgjë rreth saj – forma e syve apo masa e gjoksit.”
“Çudi.”
“Po. Çudi.”
“Gjithsesi,” – thotë ai tashmë i bezdisur, “çfarë bëre? I fole? E ndoqe?”
“As që bëhet fjalë. Thjesht e ndesha në rrugë.”
Ajo po shkon nga lindja në perëndim dhe unë nga perëndimi në lindje. Është një mëngjes i bukur prilli. Sa dua t’i flas! Gjysmë ore do të ishte e mjaftueshme, vetëm ta pyes për veten, t’i tregoj për mua dhe – çfarë do më pëlqente të bëja është t’i shpjegoj format e ngatërruara të fatit që na përballi në këtë rrugë të ngushtë të Harajukut në një mëngjes të bukur prilli më 1981. Është diçka e mbushur plot sekrete të ngrohta, si një orë antike e ndërtuar kur paqja mbuloi botën.
Pasi do të flisnim, do të hanim drekë ndokund, ndoshta do shihnim një film të Woody Allen, do të ndalonim në një bar hoteli për të pirë kokteje. Me pak fat, mund të përfundonim bashkë në shtrat.
Mundësia troket në portën e zemrës sime.
Tani largësia mes nesh është ngushtuar në katërmbëdhjetë metra.
Si t’i afrohem? Çfarë t’i them?
“Mirmëngjesi zonjushë. Mendon se mund të më falësh gjysmë ore për një bisedë të shkurtër?”
Qesharake. Do të dukesha si një agjent shitje i sigurimeve.
“Më falni, mos dini gjë nëse ka ndonjë pastrim kimik që punon edhe natën në këtë lagje?”
Jo, kjo është po aq qesharake. Nuk kam asnjë rrobë të palarë me vete. Kush do të mashtrohej nga një shprehje e tillë?
Ndoshta e vërteta e zhveshur do të funksiononte. “Mirëmëngjesi. Ju jeni vajza 100% perfekte për mua.”
Jo, ajo nuk do ta besojë. Por edhe nëse e beson, ajo mund të mos ketë dëshirë të flasë me mua. Më vjen keq, mund të thotë, edhe mund të jem vajza 100% perfekte për ty, por ti nuk je djali 100% perfekt për mua. Gjë që ndodh. Dhe nëse ndodhem në këtë situatë, do të shkatërrohesha. S’do e merrja veten kurrë nga gjendja e shokut. Jam 32 vjeç dhe mosha ime nuk e mban dot një tronditje të tillë.
Ne kalojmë përballë një dyqani lulesh. Një masë ajri e ngrohtë prek lëkurën time. Asfalti është i lagur dhe unë mund të nuhas aromën e trëndafilave. Nuk e detyroj dot veten të nisë një bisedë me të. Ka veshur një bluzë të bardhë, në dorën e djathtë mban një zarf po ashtu të bardhë që i mungon një pullë. Aha, ajo i ka shkruar dikujt një letër, ndoshta ka ndenjur zgjuar gjithë natën për ta shkruar, gjë që kuptohet edhe nga sytë e përgjumur. Zarfi mund të ketë brenda çdo sekret të sajin.
Bëj dhe disa hapa para dhe kthehem: ajo ka humbur në turmën e njerëzve.
Tani, sigurisht, e di me saktësi se çfarë duhet t’i kisha thënë. Do të ishte një fjalim i gjatë, gjithsesi, tepër i gjatë për mua që ta mbaja siç duhet. Idetë që më vijnë, nuk janë kurrë shumë praktike.
Do ta filloja me “një herë e një kohë” dhe do ta përfundoja me “një histori e trishtuar, nuk mendon kështu?”.
NJË HERË E NJË KOHË, jetonte një djalë dhe një vajzë. Djali ishte 18 dhe vajza 16. Ai nuk ishte kushedi sa i pashëm dhe ajo nuk kishte ndonjë bukuri të veçantë. Ata ishin thjesht një djalë dhe një vajzë të zakonshëm dhe të vetmuar. Por ata besonin me gjithë zemër se diku në botë jetonte djali dhe vajza ideale për ta. Po, ata besonin te mrekullitë. Dhe mrekullia sapo ndodhi.
Një ditë ata u hasën me njëri-tjetrin në cep të një rruge.
“Kjo është e mrekullueshme,” – tha ai. “Kam kërkuar për ty gjatë gjithë jetës. Nuk ke për ta besuar, por ti je vajza ideale për mua”.
“Dhe ti,” – tha ajo, “ti je djali ideal për mua, saktësisht siç të kam imagjinuar. Është si një ëndërr.”
Ata u ulën në një stol parku, shtrënguan duart dhe i treguan njëri-tjetrit historitë e tyre orë pas ore. Ata nuk ishin më vetëm. Kishin gjetur dhe ishin gjetur nga shpirti i tyre binjak. Sa gjë e mrekullueshme është të gjesh dhe të të gjejë njeriu ideal. Është një mrekulli, një mrekulli kozmike.
Ata qëndruan të ulur dhe biseduan, megjithatë, një dyshim fare i vogël filloi të zërë vend në zemrat e tyre: Është e drejtë që të realizohen ëndrrat kaq lehtësisht?
Kështu, ata qëndruan të heshtur për pak. Djali i tha vajzës, “le të bëjmë një provë të vetme. Nëse jemi dashuria ideale e njëri-tjetrit, një ditë, në ndonjë vend, do të takohemi sërish pa dyshim. Dhe kur kjo të ndodhë, do ta dimë se jemi shpirtra binjakë, do të martohemi në atë çast dhe në atë vend. Si thua?”
“Po,” – ia ktheu ajo, “këtë duhet të bëjmë.”
Dhe kështu ata u ndanë, ajo shkoi në lindje dhe ai në perëndim.
Prova që ata ranë dakord të bënin ishte e panevojshme. Ata nuk duhet ta ndërmerrnin kurrë, sepse ishin vërtetë të bërë për njëri-tjetrin dhe takimi i tyre ishte një mrekulli. Por ata nuk kishin nga ta dinin këtë, ishin tepër të rinj.
Valët e ftohta dhe mospërfillëse të fatit i shkatërruan pamëshirë.
Një dimër, si djali edhe vajza, u sëmurën rëndë. Pasi luftuan mes jetës dhe vdekjes për javë të tëra me gripin e tmerrshëm të stinës, të dy e humbën kujtesën e viteve të rinisë. Pastaj u shëruan, por kokën e kishin po aq të zbrazur sa kursimet e një varfanjaku.
Ata ishin dy të rinj të ndritur dhe të vendosur. Falë përpjekjeve të tyre për të përthithur dhe një herë dijet dhe ndjenjat, ata u bënë sërish pjesë e shoqërisë. Lëvduar parajsa, ata mund të udhëtonin në metro, apo të dërgonin letra rekomande në zyrën e postës. Ata kishin përjetuar edhe dashuri, por arrinin vetëm 75% ose 85% të ndjenjës së vërtetë.
Koha kaloi shpejt dhe djali u bë 32, ndërsa vajza 30.
Një mëngjes të bukur prilli, në kërkim të kafesë për të filluar ditën, djali po ecte nga perëndimi në lindje, ndërsa vajza po shkonte të niste një letër duke ecur nga lindja në perëndim, të dy në rrugën e ngushtë të lagjes Harajuku të Tokios.
Ata u ndeshën me njëri-tjetrin në mes të rrugës. Drita e dobët e kujtimeve të zbehta ndriti në zemrat e tyre. Të dy ndjenë një gjëmim në kraharor. Ata e dinin:
Ajo është vajza ideale për mua.
Ai është djali ideal për mua.
Por shkëlqimi i kujtimeve të humbura ishte shumë i dobët dhe mendimet nuk e kishin më kthjelltësinë e 14 viteve më parë. Pa thënë asnjë fjalë, ata kaluan krah njëri-tjetrit, u zhdukën në turmë. Përgjithmonë.
Një histori e trishtë, apo jo?
PO, KJO ËSHTË, këtë duhej t’i thosha asaj.