Trump: e nënshkrova ligjin e sanksioneve për hir të unitetit kombëtar
Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një ligj me sanksione ndaj Rusisë, të cilin ai e cilësoi “me shumë të meta” dhe me “disa klauzola jo-kushtetuese”.
Ligji ndëshkon me sanksione Moskën, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, si dhe Iranin dhe Korenë e Veriut. Ligji po ashtu kufizon autoritetin e Presidentit për heqjen e këtyre sanksioneve.
“Përmes kufizimit të autoritetit të Presidentit, ky ligj ua vështirëson Shteteve të Bashkuara që të arrijnë marrëveshje të mira për popullin amerikan dhe do t’i afrojë me njëri tjetrin vende si Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut”, – thonte Trump në disa deklarata që i bëri të njohura të mërkurën Shtëpia e Bardhë.
“Megjithë problemet që ka, unë po e nënshkruaj ligjin për hir të unitetit kombëtar”,– shtoi Presidenti. “Që kur u paraqit ligji në fillim, unë i shpreha shqetësimet e mija Kongresit lidhur me të, sepse ligji ndërhyn tek autoriteti i presidentit, krijon një situatë të pafavorshme për kompanitë amerikane dhe dëmton interesat e aleatëve tanë Europianë.”
Ligji i sanksioneve ndaj Rusisë u miratua thuajse unanimisht në të dyja dhomat e Kongresit.
Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se ligjvënësit republikanë “nuk duhet ta lejojnë Shtëpinë e Bardhë të Donald Trumpit të shmangë detyrat e saj për vendosjen e sanksioneve për sulmin e pacipë Rusisë ndaj demokracisë sonë.”
Senatori republikan Lindsey Graham, i tha CNN-it, se nëshkrimi i ligjit në qetësi dhe pa praninë e zakonshme të gazetarëve dhe kamerave, “përforcon idenë se administrata e zotit Trump nuk e ka seriozisht me masat ndaj Rusisë. Unë mendoj se ky është një gabim, sepse Putini ka për ta parë këtë si shenjë dobësie.”– tha zoti Graham.
Ligji i sanksioneve ndaj Rusisë
Masat ndëshkimore ndaj Moskës merren për shkak të ndërhyrjes ruse ndaj zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit të kaluar, me synimin për ta ndihmuar zotin Trump t’i fitojë zgjedhjet.
Fillimisht, këshilltarët e zotit Trump ishin shprehur kundër ligjit të sanksioneve, pasi ai përmbante një klauzole që u jep ligjvënësve 30 ditë kohë për të rishikuar dhe bllokuar çdo përpjekje të presidentit për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë.
Ligji i i sanksioneve vendos kufizime të reja ndaj kompanive amerikane që punojnë me kompani ruse të naftës dhe të gazit. Sanksionet u shtohen atyre të vendosura nga Presidenti Barack Obama për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, përfshirë mbylljen e dy komplekseve në Shtetet e Bashkuara, që përdoreshin nga diplomatë rusë dhe dëbimin e 35 diplomatëve rusë.
Të dyja dhomat e Kongresit votuan me shumicë dërrmuese për miratimin e ligjit të sanksioneve, duke e bërë të pavlefshme veton e Presidentit, në se ai nuk do ta nënshkruante ligjin.
Moska reagoi lidhur me ligjin e ri të sanksioneve, para se atë ta nëshkruante Presidenti Trump.
Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi shkurtimin me 755 vetë të personelit diplomatik amerikan në Rusi.
Departamenti amerikan i Shtetit e quajti urdhrin e Presidentit Putin “një veprim për të ardhur keq dhe të pajustifikuar” dhe thotë se po analizon se si do të reagojë.
Nënshkrimi i ligjit të sanksioneve nga Presidenti Trump vjen ndërsa nënpresidenti Mike Pence u tha udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre është “në Perëndim”, duke e cilësuar Rusinë “një vend të papredikueshëm”, që përpiqet për destabilizimin e rajonit.
Duke folur në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, zoti Pence tha se, “Rusia po i vazhdon përpjekjet për ndërrimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë dhe këtu, në Ballkanin Perëndimor, ajo ka punuar për destabilizimin e rajonit, për të minuar demokracitë tuaja dhe për t’iu përçarë me njëri tjetrin dhe me pjesën tjetër të Europës.”
Nënpresidenti Pence është zyrtari më i lartë amerikan që vizion Malin e Zi në 100 vjet. Ky vend u bë anëtar i NATO-s në qershor të këtij viti dhe Rusia është përpjekur të mos e lejojë atë t’i bashkohet Aleancës ushtarake.
“Ne kemi besimin se Ballkani Perëndimor do t’i bashkohet Perëndimit” tha zoti Pence.