Trump: SHBA-ja në një epokë të re konkurence përballë Rusisë dhe Kinës
Presidenti Donald Trump deklaroi dje se SHBA-ja është në një epokë të re konkurence në nivel botëror ndërkohë që prezantonte strategjinë e sigurisë kombëtare “America First” të administratës së tij.
“Me këtë strategji, po thërrasim për një rizgjim të madh të Amerikës, një rigjallërim të besimit dhe një rilindje të patriotizmit, mirëqenies dhe krenarisë”, tha Trump në fjalën e tij në Uashington, ndërkohë që administrata e tij publikoi një dokument prej 68 faqesh që detajojnë vizionin e tij mbi çështjet e sigurisë.
Strategjia ngre katër kolona për sigurinë kombëtare, ku e para është mbrojtja e vendit nga kërcënimet përfshirë terrorizmin, trafikun e drogës dhe kërcënimin raketor.
Më pas vjen promovimi i mirëqenies amerikane, i ndjekur nga ruajtja e paqes nëpërmjet forcës, me mjete ushtarake të teknologjisë së fundit, mbrojtje kibernetike dhe diplomaci, si dhe kolona e katërt përfshin përhapjen e influencës amerikane duke inkurajuar demokracinë dhe zhvillimin.
Trump i quajti Rusinë dhe Kinën fuqi rivale që kërkojnë të sfidojnë vlerat amerikane, si dhe theksoi se regjimet e ashpra, organizatat terroriste dhe organizatat kriminale ndërkombëtare janë disa prej sfidave të vendit.
Strategjia i cilëson Kinën dhe Rusinë si fuqi revizioniste dhe thotë se “ato përdorin teknologji, propagandë dhe forcë për të formuar një botë armiqësore ndaj interesave dhe vlerave tona”.
Trump theksoi se “SHBA-ja do të punojë me Moskën dhe Pekinin vetëm kur i shërben interesave amerikane”.
Në kët dokument, që presidenti thekson prioritetet e sigurisë kombëtare, është hequr fokusi i presidentit të mëparshëm Barack Obama mbi ndryshimin klimatik si një kërcënim i sigurisë dhe është shkëmbyer me sigurinë në kufij dhe zhvillimin ekonomik.
“Ne nuk mund të sigurojmë kombin tonë nëse nuk sigurojmë dot kufijtë tanë”, tha Trump duke përfshirë kërkesën e tij të vjetër për të ndërtuar një mur përgjat kufirit amerikan me Meksikën, si dhe ndryshimet në politikën amerikane të imigracionit në një dokument që tradicionalisht është fokusuar në mbrojtjen e SHBA-së dhe çështje të tjera të politikës së jashtme.
Trump deklaroi gjithashtu se “siguria ekonomike është një siguri kombëtare dhe është absolutisht e nevojshme për fuqinë dhe influencën amerikane jashtë vendit”.
Axhenda ekonomike e Trump përfshin prerje taksash, të cilat pritet të miratohen këtë javë në Kongres, si dhe anulime ose rinegocime të marrëveshjeve tregtare.
Kabineti i Trump-it miratoi këtë dokument javën e kaluar