Trump: Ukraina duhet të dojë ta zgjidhë këtë luftë, Rusia është një makinë e madhe që vazhdon të përparojë
Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje të martën Ukrainës të arrijë një marrëveshje për ta zgjidhur luftën me Rusinë, ndërsa i dërguari i tij Steve Witkoff ndodhej në Oslo për bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje të martën Ukrainës të arrijë një marrëveshje për ta zgjidhur luftën me Rusinë. “Ukraina duhet të dojë ta zgjidhë këtë luftë”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, siç njofton Reuters.

Sipas Reuters, Trump la të kuptohet se Moska e ka epërsinë në fushëbetejë. “Rusia është një makinë e madhe — ata thjesht vazhdojnë të përparojnë, dhe këtë kanë bërë. Ata kanë marrë një pjesë shumë të madhe toke”, tha presidenti amerikan.
Deklarata u bë ndërsa i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff ndodhej të martën në Oslo të Norvegjisë për bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në kërkim të një rruge për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës që ka hyrë në vitin e katërt, siç njofton Reuters.
Në konferencën e përbashkët të shtypit në Oslo të martën pasdite u njoftua se Witkoff do të udhëtojë të mërkurën në Shën Petersburg për t’ia paraqitur udhëheqjes ruse idetë dhe propozimet e dakorduara mes evropianëve dhe amerikanëve, ndërsa Zelensky propozoi një takim trepalësh të liderëve të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë.
Thirrja e së martës vjen një ditë pas deklaratave të së hënës në Shtëpinë e Bardhë, kur Trump tha se ndoshta kishte ardhur koha që Zelensky t’ia kalonte negociatat dikujt tjetër dhe se Rusia, sipas tij, ishte sjellë “mirë” sa i përket Ukrainës — deklarata që shënuan një tjetër ftohje të marrëdhënieve mes Kievit dhe Uashingtonit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.