Muzike

Tukiçi: Në Londër, u ndjeva vërtet krenar që jam shqiptar

Ne “Kombëtarja Muzikore”  me përfaqësues Atdheun

Nga Rudina Hoxha 

Pianisti, Genc Tukiçi, i larguar prej 25 vjetësh nga Shqipëria për të jetuar në Francë, vjen në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip” për të prezantuar koncertin e radhës, që mbetet edhe projekti më ambicioz i tij. Kësaj here, së bashku me sopranon shqiptare me famë botërore, Inva Mula, do të interpretojmë në mes të Nju Jorkut këngët e përpunuara dhe të orkestruara nga ai vetë.

Virtuozët do të shoqërohen nga Orkestra Simfonike e Nju Jorkut me dirigjent maestron Bujar Llapaj. “Fat , privilegj dhe përgjegjësi e madhe që si një ‘Kombëtare Muzikore’ me përfaqësues Atdheun tonë po prezantohemi jo vetëm në Amerikë, por kudo në botë…”, thotë artisti shkodran, që frymëzohet çdo ditë nga shembulli i prindërve të tij. Me një ndjenjë të fortë patriotizmi, Tukiçi nuk harron dot një koncert të organizuar në mes të Londrës nga ambasadori i atëhershëm shqiptar, Mal Berisha. “Në këtë koncert, me medaljen Artist i Popullit të babait tim, që mbaja në kraharor, e ndjeva veten krenar që jam shqiptar…”. “E kam të vështirë të flas për veten, por ajo çka mund të them është se që në fëmijëri kam ëndërruar të jetoj, duke bërë muzikë nga mëngjesi deri në darkë dhe sot më shumë se kurrë po jetoj ëndrrën time. Jam djali i Ibrahimit dhe vëllai i Davidit dhe e kam nder, por edhe detyrë të çoj përpara traditën muzikore të familjes”, thotë ai, i pyetur për jetën artistike.

25 vjet jashtë vendit, çfarë ndjeni? Si ka ndryshuar karriera juaj nga momenti që u larguat nga Shqipëria?

Pas 25 vjetësh ndjej se largimi nga Atdheu ka qenë vetëm fizik. Me zemër nuk jam larguar kurrë…, por në të njëjtën kohë janë 25 vjet kryesisht në Francë dhe xhiro në të gjithë botën, ku më është dhënë mundësia “të pasurohem” me kulturën më të mirë muzikore, ku falë punës dhe vetëm punës, të shkoj përpara në profesionin tim që nuk ka fund.

Sa ju frymëzon dita-ditës karriera e paharruar e prindërve tuaj?

Karriera e babait tim është një shembull për mua, nuk kam dashur kurrë t’ia kaloj babait… Dua t’ia kaloj vetvetes, të jap më të mirën që mundem. Gjithsesi, energjia, përkushtimi, disiplina e jashtëzakonshme e Ibrahimit tem… janë të rralla. I mendoj para çdo koncerti. Personazhi i tij më frymëzon. Jo më pak edhe ai i Davidit, megjithëse akoma shumë i ri në karrierë.

Së shpejti, një koncert i jashtëzakonshëm së bashku me sopranon tonë të madhe, Inva Mulën. Si po kontribuoni në ndryshimin e imazhit të Shqipërisë nëpër botë?

Imagjinoni çfarë fati që kam… Muzika që kam përpunuar, orkestruar dhe krijuar të interpretohet në mes të Nju Jorkut dhe privilegj, të këndohet nga një nga sopranot më të mira në botë, që është Inva Mula. Pa harruar dhe maestron Bujar Llapaj, i shkëlqyer; fat, privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe si një “Kombëtare Muzikore” me përfaqësues Atdheun tonë jo vetëm në Amerikë, por kudo në botë…

Cili është një nga koncertet që ju do të mbani mend gjatë?

Është e vështirë të veçoj një koncert, pasi secili ka specifikën dhe kujtimet e tij. Por nuk do ta harroj koncertin që ambasadori shqiptar në Londër, Mal Berisha, njëherazi edhe miku im, organizoi vjet me kaq dashuri përkrah Invës dhe, me medaljen “Artist i Popullit” të babait tim, që mbaja në kraharor, në mes të Londrës, e kam ndier veten krenar që jam shqiptar.

Si e shikoni të ardhmen tuaj artistike? A keni në plan ndonjë koncert në Shqipëri dhe në Ballkan?

Krejt natyrshëm, të ardhmen time e shoh “të zhytun” në muzikë, një ndjesi fantastike që bën të përditshmen time dhe që më jep jetë, që është jeta vetë. Krejt natyrshëm do të vij sa më shpesh që të më jepet mundësia të interpretoj në Shqipëri e në Ballkan. Me një “kusht”. Që muzika të jetë e bukur, me cilësi dhe shumë e ndjerë…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button