Turistët nga Europa rizgjojnë projektet për resortet
Reklama pozitive që mediat dhe agjencitë e huaja turistike i kanë bërë Shqipërisë vitet e fundit duket se na kanë kapur në flagrancë. Institucionet përgjegjëse nuk bënë asnjë përçapje për të organizuar një pritje të denjë, duke rrezikuar që bumi i sotshëm të kthehet shumë shpejt në zhgënjim. Në strategjinë aktuale për turizmin, qeveria nuk ka plan të zhvillojë resortet turistike që do të akomodonin kërkesën e huaj dhe do të nxisnin edhe ekonominë e shkallës.
Por duket se bizneset kanë qenë një hap para në këtë drejtim. Edhe pse jo të avantazhuara me infrastrukturë dhe lehtësi, disa prej tyre kanë projekte ambicioze për të ofruar shërbime turistike bazuar në resorte si në vendet e tjera të Mesdheut. Këtë vit, qeveria i ka hapur dritë ndërtimit të një resorti në Gjirin e Lalëzit. Kompania EdilAl prezantoi projektin për ndërtimin e një fshati turistik të kombinuar me hotel dhe resort në Gjirin e Lalëzit. I pagëzuar me emrin “San Pietro Resort”, projekti synon që në gjithë sipërfaqen e truallit prej 350.000 m², do të jenë të ndërtuara 140.000 m² sipërfaqe, nga të cilat 98.600 metër katrorë do të jetë fshati turistik, një rezidencë e ndërthurur me vila dhe apartamente dhe 41.400 m² do të jetë hoteleri dhe resort me 5 yje.
Resorti është duke u zhvilluar në partneritet me kompaninë spanjolle “MeliaGroup”, e njohur për menaxhimin e resorteve me shërbime luksi. Investimi do të përfshijë 88 milionë euro, ndërsa pritet të jetë në operim brenda tre viteve, – bëjnë me dije burimet e kompanisë dhe do të ofrojë ofertat all inclusive. Kompania ka nisur bashkëpunim me agjencitë turistike. Amelia Group synon të sjellë në Shqipëri rreth 20 mijë turistë në vit, teksa operon në mbi 400 hotele në të gjithë botën. Së fundi, gjiganti spanjoll i hotelerisë është zgjeruar edhe në Ballkan, Kroaci, Mali i Zi dhe së fundmi në Shqipëri.
Projekti tjetër gjigant “Resorti Divjakë Albania”, i kompanisë Mabetex Group, i cili është në fazën e diskutimeve të nxehta për ndikimin negativ në mjedis që do të ketë në Lagunën e Karavastasë, një ndër zonat unike në Europë për disa specie, synon të ndërtojë kapacitete akomoduese për mbi 18 mijë e 200 turistë në një natë.
Sipas të dhënave të projektit në Divjakë (Karavasta), që është publikuar nga Ministria e Mjedisit, në kuadër të ndikimit mjedisor, do të ndërtohet resort turistik me përmasa të mëdha në një sipërfaqe prej 89 hektarësh. Janë planifikuar të ndërtohen 370 vila dhe 2350 apartamente.
Në dispozicion do të jenë 4,310 shtretër hotelerie, ku së bashku synohet një kapacitet prej 18,280 turistësh, sipas të dhënave zyrtare të projektit të dorëzuara në Ministrinë e Mjedisit.
Masterplani i “Resort Divjakë Albania” është planifikuar të shtrihet në një territor të gjerë rreth 12 km gjatësi në vijë bregdetare.
Sipërfaqja e përgjithshme e zonës së projektit është përafërsisht 1170 ha. Plazhi, pylli i pishave, toka bujqësore dhe lagunat mbulojnë rreth 2/3 e sipërfaqes. Sipërfaqja e zhvillimit të projektit do të jetë rreth 370 ha ose 32% e sipërfaqes.
Dritën jeshile për ndërtimin e tij e lajmëroi Kryeministri Edi Rama më herët gjatë këtij viti në muajin prill, në fjalën që mbajti në inaugurimin e punimeve për San Pietro Resort. Mirëpo investimi për këtë projekt, i cili do të ishte fantastik nëse do të ishte në Gjirin e Lalëzit apo në Velipojë, rrezikon të mos nisë nga angazhimi që kanë institucionet ndërkombëtare për të mbrojtur lagunën e Karavastasë e cila ruan disa specie të rralla të zogjve.
“Green Coast Hotel” që po zhvillohet nga kompania shqiptare Balfin Group synon të përfundojë krahas vilave edhe një hotel me 120 dhoma deri në vitin 2020. Burimet nga projekti pohojnë se hoteli është konceptuar për të shërbyer në të gjitha stinët e vitit, pasi do të instalohet ngrohja me oxhak. Hoteli do të jetë me pesë yje dhe synon edhe turizmin e konferencave.
Kryeministri Rama ka lajmëruar dhe një resort në kepin e Stillos në Ksamil. Qeveria e ish-kryeministrit Ilir Meta në vitin 2002 kishte në plan ta zhvillonte këtë zonë për shërbimet turistike të luksit.
Gjithashtu në zonën e Vlorës, biznesmeni Luan Bregasi është në fazën e marrjes së lejes së ndërtimit për një resort me vlerë investimi 10 milionë euro. Resorti do të ketë një kapacitet fillestar prej 200 shtretërish dhe do të funksionojë me shërbime të rekreacionit dhe parqe çlodhëse për të gjitha moshat.
“Unë kam investuar në sektorin e ndërtimit, në industrinë e prodhimit të pijeve dhe konkretisht të birrës, si dhe në industrinë e hoteleri-turizmit në qytetin e Durrësit, me hotel Palace&Spa. Kam investuar në hoteleri-turizëm, sepse kam kuptuar që industria e turizmit është një fushë e rëndësishme për të bërë biznes, si dhe me perspektivë të madhe në Shqipëri, një vend me një vijë bregdetare të gjatë dhe shumë të bukur dhe kam besuar se shumë shpejt, përmirësimi i infrastrukturës rrugore do ta bëjë këtë degë të rëndësishme, një nga degët më fitimprurëse për ekonominë shqiptare”, tha Bregasi.
Nisur nga përvoja me hotel Palace në Durrës, Bregasi tha se kthimi i investimeve në turizëm ndodh në harkun e shtatë viteve. Bregasi tha se projekti i Vlorës do të jetë ndoshta një nga më të mirët për hoteleri-turizëm në zonën e Vlorës. Ky projekt nuk është thjesht për të ndërtuar pallate dhe objekte për shitje, por një resort kompleks me hotele rezidenca komplementare të dy hoteleve me një nyje për ankorim jahtesh,
bare, restorante dhe shërbime të tjera.
Projekt i MakAlbania në Golem po ridimensinohet në resort. Ai tashmë është bërë pjesë e Hysenbelliu Group dhe mban emrin Prestige Holiday Resort, me vendndodhje në Golem, buzë detit Adriatik. Pas një rikonstruksioni total të ambienteve të mëparshme dhe pas një rikonceptimi modern, Prestige Holiday Resort synon të jetë destinacioni turistik më i frekuentuar i turizmit elitar. Ministrja e Turizmit, Milva Ekonomi, pohoi pak ditë më parë për Monitor se, krahasuar me vitin e kaluar, numri i shtretërve është rritur. Aktualisht janë rreth 70 mijë shtretër, ndërsa në vitin 2015 ishin rreth 42 mijë shtretër. Gjithashtu, janë ngritur edhe struktura të reja akomoduese. Në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015, numri i strukturave akomoduese është rritur me 14%.
Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi pohoi se pa diskutim që investimet e reja po plotësojnë standardet më të larta në hoteleri. Sipas saj, shumë prej bizneseve të strukturave akomoduese tanimë janë njohur me kriteret që duhet të plotësojë për të marrë standardin (ose yjet), kështu që ndërtimet e reja synojnë të jenë në përputhje me hapësirat, lehtësitë dhe standardet.
Gjithashtu bizneset e kanë kuptuar se nuk mund të ndërtosh thjesht një hotel dhe mjedisin përreth ta lësh pa përkujdesje, shpjegoi ministrja. Ajo ka vënë re se, duke parë dhe përvojën jashtë, shumë prej hoteleve kanë shtuar shërbimet all-inclusive duke ofruar jo vetëm akomodim dhe restorant, por dhe pishina, Spa, mjedise çlodhëse, mjedise për argëtimin e fëmijëve, guidë dhe ture në zonat përreth, etj., dhe jo vetëm për të argëtuar turistin, por edhe për ta bërë atë të qëndrojë më gjatë. Ajo tha se, rilindja urbane gjithashtu i ka bërë qytetet tërheqëse dhe të vizitueshme, por ka evidentuar edhe pjesë të trashëgimisë sonë historike, duke shtuar atraksionin ditor për çdo turist.
Ndërkohë Shqipëria vazhdon të mbetet për turistin e huaj një vend me çmime konkurruese në rajon dhe këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Numbeo.com. Për këtë arsye, Shqipëria vazhdon të tërheqë turistë të huaj, tha Ekonomi.