Turizmi, miratohen aktet nënligjore, mundësia për të ngritur këtë sektor
Turizmi është një nga sektorët që vuan edhe pse mund të gjenerojë të ardhura për ekonominë tonë. Veç faktit që në këto 25 vite investimet në këtë sektor janë bërë në mënyrë individuale dhe pa një plan konkret zhvillimi, edhe ana ligjore ka ndryshuar disa herë.
Një vit më parë u bë një ligj kryekëput i ri për këtë sektor por që nuk mund të jepte efektet e pritshme për shkak të mungesës së akteve nënligjore. Edhe pse Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes kishte kohë që i kishte gati, ato janë miratuar vetëm dy ditë më parë. Më saktësisht, qeveria miratoi aktet nënligjore për agjencitë e udhëtimit, kërkesat dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë; për operatorët turistikë, si dhe kushtet për kriteret dhe projektimin e ndërtimit të strukturave akomoduese.
Një javë më parë, qeveria miratoi edhe aktet nënligjore për certifikimin dhe operimin e guidave turistike. Këto akte vlerësohen si të domosdoshme për zbatimin e ligjit të ri të turizmit. Me anë të tyre do të mund të nisë më në fund procesi i klasifikimit dhe standardizimit të hoteleve sipas yjeve, gjithashtu do të mund të zbatohet edhe taksa për fjetjen në hotel sipas kësaj ndarjeje. Në bazë të ligjit të ri, strukturave akomoduese do t’u lihet një periudhë 18-mujore për të aplikuar për klasifikimin sipas yjeve. Skema përmban 270 kritere nga struktura fizike te stafi dhe kontrolli do të kryhet nga një institucion i pavarur nga ministria për t’u monitoruar më pas nga Inspektorati i Turizmit.
Klasifikimi vlen katër vite sepse kjo është periudha maksimale që mund ruhet pa bërë investime. Pas kësaj periudhe, asnjë strukturë akomoduese nuk do të lejohet të ushtrojë veprimtarinë pa marrë certifikatën e klasifikimit. I gjithë procesi i klasifikimit do të udhëhiqet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike, ngritja e të cilit parashikohet në këtë ligj. Më herët, ekspertë dhe përfaqësues të ndryshëm të fushës së turizmit, patën deklaruar se mos dalja e akteve nënligjore po mbante peng sektorin, i cili për sezonin e ardhshëm do të duhet të jetë gati për të operuar me rregullat e reja.
Kjo nuk do të vlejë vetëm për hotelet, por edhe për agjencitë e udhëtimit, e guidat që tashmë do të jenë të certifikuara. Por tej pretendimeve të mungesës së këtyre akteve, a do të mundet ky sektor të marrë zhvillimin e duhur dhe sa zbatueshmëria e ligjit do të gjejë vend në terren? Janë pyetje që presin përgjigje duke filluar që nga viti tjetër me shpresën që turizmi të mos mbetet sporadik, por të kthehet në një sektor të një zhvillimi të qëndrueshëm.
Të rejat e ligjit të turizmit
-Ngritja e degëve territoriale të shërbimit të turizmit, me bazë qarku, si strukturë administrative e Ministrisë përgjegjëse për Turizmin, të cilat do të koordinojnë punën në terren, në bashkëpunimin me autoritetet vendore dhe me sektorin privat për zbatimin e politikave në fushën e turizmit.
-Është parashikuar në projektligj, ngritja e inspektoratit që mbulon fushën e turizmit, i cili ka për qëllim të sigurojë zbatimin e kuadrit ligjor të turizmit nga sipërmarrjet turistike.
-Ndërkohë që para këtij ligji, e gjithë veprimtaria për zhvillimin e turizmit fokusohej te promocioni turistik, tashmë ligji i ri i jep rëndësi primare zhvillimit të produktit turistik, standardizimit, certifikimit dhe nxitjes së investimeve serioze në turizëm.
-Ministria përgjegjëse për Turizmin mbështet financiarisht projekte në fushën e turizmit. Në këto projekte përfshihen projekte edukimi, promovimi dhe studime apo modele produktesh turistike në ndihmë të zhvillimit të turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas dhe të huaj.
-Për investimet në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohet vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme, duke krijuar hapësira për investime në struktura të mëdha akomoduese, resorte (brand names). Kohëzgjatja e vënies në dispozicion të kësaj pasurie është deri në 99 vjet.
-Krijimi i sistemit kombëtar të klasifikimit sipas kategorive përkatëse të strukturave akomoduese. Klasifikimi dhe kategorizimi i strukturave akomoduese është kusht detyrues për ushtrimin e veprimtarisë akomoduese.
-Veprimtaria e sipërmarrjeve turistike, si agjenci turistike dhe operator turistik do të licencohet pranë QKL, sipas grupit të dytë të licencave. Janë vendosur kritere dhe rregulla të detyrueshme për t’u zbatuar.