Ekonomia

Turizmi- Vlerësimi i hoteleve nga një agjenci e huaj, TVSH ulet në 10%

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj prezantoi të mërkurën projektligjin për turizmin, që synon rritjen e numrit të turistëve dhe investimeve në këtë sektor.

Krahas ligjit për turizmin, që sipas Ahmetajt është ligj organik, brenda dy javësh ai informoi se do të prezantojë edhe një paketë ligjore mbështetëse për turizmin, që tashmë është në Këshillin e Ministrave për diskutim, në të cilën propozohet ulja e TVSH-së në 10 % si dhe përjashtimi nga sigurimet shoqërore për punonjësit mbi normën mesatare për periudhat bosh. Sipas kreut të MZHETT-së, Ahmetaj, ulja e TVSH-së nga 20-10 % do të bëjë tregun shqiptar më konkurues.

Ligji parashikon standardizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese me asistencën e një kompanie të huaj. Ahmetaj theksoi se hotelet në Shqipëri duhet të marrin asistencë të huaj për klasifikimin e tyre. Ai tha se investitorët mund të vijnë me paketa të plota investimi, si psh resorte dhe porte jahtesh në një paketë, duke shkurtuar disa procedura burokratike. Ministri deklaroi se duhen vendosur rregulla për cilësinë e produkteve, ndërkohë që qeveria shqiptare ka planifikuar që brenda pak muajsh, të bëhet pastrimi i të gjithë vijës bregdetare.

“Qëllimi i këtij ligji është të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik tërheqës për vizitorë vendas e të huaj, duke mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, duke siguruar që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve, në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt, dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse të sotme dhe të brezave të ardhshëm. Ligji është fillim i mirë për turizmin. Do të japë më shumë mundësi për sipërmarrje për shfrytëzimin e territoreve të plazheve. Ne synojmë uljen e informalitetit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. Ky ligj vendos baza për standardizimin e hoteleve në bazë të yjeve, standardizimi i tyre duke rritur cilësinë e shërbimeve”, tha Ahmetaj.

Gjithashtu, projektligji synon të krijojë kuadrin ligjor të nevojshëm, që turizmi të mbështetet si një sektor kryesor ekonomik, i cili krijon vende të reja pune, kontribuon në uljen e varfërisë dhe ofron mundësi fitimi e rritjeje, veçanërisht për komunitetet rurale, me synimin e harmonizimit të tërësisë së veprimtarive turistike, që plotësojnë kërkesat e turistëve të huaj dhe vendas, mbron dhe ripërtëritjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisore, si pasuri për gjeneratat e sotme e ato të ardhshme.

Por, kapitulli që ngjalli më shumë debate në komision ishte ai i investimeve, për të cilin deputetët thanë se nuk parashikon një procedurë të qartë konkurimi për investitorët. Për këtë, ministri siguroi se mënyra e transferimit të pronës për çdo rast do të bëhet me një garë të hapur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button