U dëmtuan nga tërmeti, policia nuk i lejon të restaurojnë shtëpitë
Belsh
Disa prej banorëve kallëzohen për ndërtim pa leje
Nga Bardha Nergjoni
Rreth katër muaj pas tërmeteve në zonën e Elbasanit, familjet e dëmtuara kërkojnë të restaurojnë shtëpitë e tyre të shkatërruara, por veç faktit se ende nuk janë dëmshpërblyer, po përballen edhe me policinë, që i ka dërguar në prokurori për ndërtim të paligjshëm. Kryesisht janë banorët e zonës së Dumresë, të cilët shprehen se ndalimi i rikonstruksionit të banesave me vetë shpenzimet e tyre është një pengesë e madhe për ta dhe kërkojnë nga shteti të lejohen të bëjnë shtëpitë, me qëllim që dimri të mos i gjejë jashtë.
Banorët
Një prej banoreve të prekura nga tërmeti thotë se ka frikë të ndërhyjë në shtëpi se ka pasur nga ata që kanë përfunduar në polici. “Jam një grua pa burrë. Kam dy të moshuara. Shkoj përditë e pyes dhe ata të bashkisë më thonë që të mos ndërtoj se do të përfundoj në burg. Ne mund të na bjerë çatia në kokë. Si t’ia bëjmë për të riparuar shtëpinë. Është mjaft e vështirë për ne. Duhet shteti të vërë dorë të na kompensojë dhe të na lejojë të ndërtojmë, pasi dimri po afron”, thotë ajo. Ndërkohë, një tjetër që ka tentuar të ndërtojë në themelet e shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti ka përfunduar në prokurori. “Qysh kur doli urdhri i Kryeministrit, erdhi policia tek unë. Dihet që unë jam dëmtuar nga tërmeti dhe me shpenzimet e mia po rregulloj shtëpinë. Nuk kam shkelur tokën e askujt. Jam në themelet e vjetra. Shteti nuk më kompenson, por të paktën të më lejojë të kem edhe unë shtëpi. Gjithçka ka mbetur përgjysmë, ndërkohë që reshjet mund të vijnë shumë shpejt”, tregon ai. Po kështu, banorë të tjerë kanë menduar të mbulojnë me plastmas pjesë të çatisë në pritje se çfarë do të ndodhë.
Kreu i bashkisë
Kjo situatë abstrakte ka sjellë edhe reagimin e drejtuesve të Bashkisë Belsh. Kryebashkiaku Asqeri Kuqja i ka kërkuar nga institucionet shtetërore të mos penalizojnë këto familje deri në marrjen e dëmshpërblimit nga shteti. “Janë rreth 400 familje që janë dëmtuar nga tërmetet. Për 120 prej tyre ka përfunduar verifikimi dhe vlerësimi, pritet vetëm financimi”, thotë Kuqja. Por sipas tij, banorët, jo vetëm që nuk po ndihmohen, por po pengohen nga policia për të restauruar shtëpitë. “Policia e konsideron të paligjshëm rikonstruksionin e ish-banesave ekzistuese. Ka pasur edhe familje të shtuara, të cilat kanë gjetur shtëpitë e dëmtuara, pasi janë kthyer nga emigracioni. Disa po tentojnë të riparojnë, por janë përballur me policinë dhe më pas me procedimin penal në prokurori. Nisur nga rastet e proceduara në polici dhe në prokurori ne u kërkojmë strukturave të shtetit, madje edhe drejtuesve të policisë të mos penalizojnë këta banorë që janë duke riparuar shtëpitë e tyre të dëmtuara nga tërmeti. Është e pafalshme të penalizosh këto familje që po mundohen të rregullojnë shtëpitë përballë stinës së dimrit”, deklaroi kreu i bashkisë.
Prokuroria
Mbi faktin se disa prej këtyre kryefamiljarëve kanë përfunduar në prokurori, kryeprokurori i Elbasanit, Gentian Osmani, u shpreh se çështja po ndiqet rast pas rasti, por ligji nuk lë shumë mundësi për interpretim. “Ne ende nuk kemi konkluduar, janë në proces hetimi, por do kihet parasysh situata në të cilën ndodhen. I bëj thirrje edhe pushtetit vendor të luajë rolin e tij në këtë drejtim”, deklaroi prokurori Osmani.
Dëmet
Tërmeti i 19 majit në zonën e Dumresë u pasua nga dëme të konsiderueshme materiale, ku rreth 400 familje regjistruan pasoja në banesa. Shefi i Emergjencave pranë prefekturës, Mustafa Arapi, theksoi se është përpunuar pjesa më e madhe e dosjeve dhe do t’i dërgohen Ministrisë së Brendshme për të vijuar me dëmshpërblimin. Kjo fazë do të kërkojë shumë kohë dhe madje në raste të tjera të ngjashme kompensimi mund të kërkojë edhe më shumë se një vit.