Udhëheqësi i ISIS-it–letër Hashim Thaçit
Letra në emër të Abu Bakr al-Baghdadi i është dërguar Kosovës pak muaj pasi ai është shpallur kalif (udhëheqës). Mbanë datën 21 nëntor 2014. Kërcënimi ka ardhur nga grupi i xhihadistëve kosovarë atje. Por, sipas procedurave, secila letër apo komunikatë duhet ti nënshtrohet autoritetit të kalifit i cili në fund e nënshkruan.
Një letër e nënshkruar nga Abu Bakr al-Baghdadi ka mbërritur në dorën e Hashim Thaçit.
Shteti Islamik kërkonte nga Kosova si vend i vogël mysliman që të mos rreshtohej në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimit në luftën, siç e quanin ata kundër myslimanëve. Nëse Thaçi si kryeministër nuk hiqte dorë nga ky reshtim, arrestimi i besimtarëve dhe hoxhallarëve, Kosovën e “prisnin sulme dhe hakmarrje e madhe”.
Abu Bakr al-Baghdadi është udhëheqës i ISIS-it. Ai ka shpallur kalifatin më 3 korrik të vitit 2014 në territorin e Sirisë dhe Irakut. Pjesë e organizatës së tij terroriste janë bërë rreth 300 kosovarë. Rreth 50 janë vrarë. Më shumë se 60 janë arrestuar dhe akuzuar në Kosovë. Të tjerë po vazhdojnë të jenë pjesë e ISIS-it.
Letra në emër të Abu Bakr al-Baghdadi i është dërguar Kosovës pak muaj pasi ai është shpallur kalif (udhëheqës). Mbanë datën 21 nëntor 2014. Kërcënimi ka ardhur nga grupi i xhihadistëve kosovarë atje, por sipas procedurave secila letër apo komunikatë duhet t’i nënshtrohet autoritetit të kalifit i cili në fund e nënshkruan.
Insajderi ka siguruar këtë letër që kishte alarmuar Hashim Thaçin, kryeministër i Kosovës aso kohe. Letra ka mbërritur në Ambasadën e Kosovës në Katar. Menjëherë pas përkthimit i është dorëzuar Thaçit. Përmbajtja e saj e kishte shqetësuar Thaçin. Menjëherë ai kishte vizituar shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakajn, i cili e “kishte garantuar se situatën e kishte nën kontroll”.
Në letër përmenden sulmet e “të pafeve kundër trojeve myslimane shqiptare” që pas rënies së Perandorisë Osmane. Kërkohet ndalimi i arrestimeve. Kërkohet po ashtu ndalimi i përpjekjeve për të ulur zërin në xhami gjatë thirrjes së ezanit. Ka përmendur edhe djegien e flamurit islam që ishte bërë nga të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës pas sulmeve që kishin ndodhur në Parisë në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo nga pjesëtarë të ISIS-it.
“Një proverb popullor thotë: ‘i mençuri merr mësimet nga gabimet e huaja, kurse ai që është i marrë mëson nga gabimet e veta’. Duke u nisur nga kjo thënie, a nuk mjaftojnë për mësim gabimet dhe dështimet e perëndimit në krye me Amerikën në përpjekjet e tyre për shtypjen e myslimanëve?”, shkruan në letër.
Sipas kësaj letre kërcënuese, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallen luftë islamit dhe myslimanëve, por prej këtyre konflikteve myslimanët veçse dolën më të fortë.
“Çka fitoi perëndimi me në krye Amerikën përveç shkatërrimit ekonomik, humbje, frikë, panik, vrasje, pasiguri dhe janë futur në një qorrsokak dhe kanë rënë në një humnerë që as vetë nuk e dinë se si të dalin prej saj”.
ISIS kërcënon Kosovën se nëse ndjek të njëjtën rrugë si Amerika “të jeni të sigurt dhe të bindur se do të keni të njëjtin përfundim, madje edhe më të keq”.
“Dijeni se burgosja e myslimanëve, sidomos e hoxhallarëve, mbyllja e shoqatave islame dhe luftimi i islamit haptas në çdo formë nuk kuptohet ndryshe përveç se shpallje e luftës haptas ndaj islamit dhe myslimanëve. Ky konflikt mes juve dhe neve është në fillimet e tij ku rrjedha varet nga jo: tërheqja juaj apo vazhdimi në këtë rrugë”, vazhdon kërcënimi.
Shefi i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, i thotë zëvendëskryeministrit Thaçi se përgjegjësia dhe pasojat e këtij konflikti varen nga ju, nga tërheqja juaj
“Jini të bindur se aftësitë dhe mundësitë tona janë shumë më të mëdha sesa mund të paramendoni. Dhe as një tentativë e juaja nuk do të na ndalojë nga kjo rrugë për ti mbrojtur myslimanët nga padrejtësitë dhe shtypjet që i bëni ndaj tyre”.
Insajderi ka kërkuar një koment nga zyra e Thaçit që është zëvendëskryeministër, por zyra e medieve nuk ka kthyer përgjigje. Insajderi mëson se pas marrjes së kësaj letre ishin marrë masa të shtuara të sigurisë. Ndër to ka qenë edhe një vizitë e papritur e Thaçit në AKI. Në atë takim, Thaçi e kishte qortuar Smakajn për neglizhencë dhe mungesë të informacioneve.
Në këtë letër Thaçi krahasohet me Sllobodan Millosheviqin, ish-kryetarin e Serbisë i akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe shkelje tjera të të drejtave të njeriut në ish-Jugosllavi. Aty është përmendur edhe deklarata e një zyrtari të shtetit të Kosovës i cili kishte thënë se ata që shkojnë në Siri duhet t’i marrin biletat një drejtimshe. Në letër thuhet se me këtë po detyrohen muxhahedinët kosovarë që të kthehen “për t’i mbrojtur myslimanët”.
“Kur ne jemi të gatshëm të flijohemi për hir të Allahut për ta mbrojtur popullin e Sirisë nga padrejtësitë dhe shtypjen që u bëhet, atëherë të jeni të bindur se për t’i mbrojtur myslimanët e popullit tonë jemi edhe më të gatshëm”, shkruan në këtë letër.
“Ta dini se flijimi për islam është nderë, krenari dhe detyrë për ne. Ne kemi qenë ndër ata të cilët e kemi mbrojtur këtë fe dhe pasuritë e kësaj feje prej dhunës dhe shtypjes sllave dhe nuk kemi luftuar thjeshtë për të ndërruar emrin nga Sllobodan Millosheviq në Hashim Thaçi apo kushdo qoftë”.
Letra përmend arrestimet e të dyshuarve për terrorizëm në Kosovë. Vlerësohet si ekzagjerim i këtyre masave pas vrasjes se një të mituri në Irak nga terroristi nga Kaçaniku, Lavdrim Muhaxheri. Cilësohet si represion mbi myslimanët.
“Nëse shpresoni edhe më tutje në skena të tilla ju premtojmë se këtë ëndërr tuajën do t’ua shndërrojmë në ankth”, vazhdon kërcënimi.
ISIS i drejtohet popullit të Kosovës duke i thënë se këtë konflikt “mes besimit dhe mohimit apo mes myslimanëve dhe jo myslimanëve, udhëheqësit kosovarë janë rreshtuar në palën e mosbesimit për t’i shtypur myslimanët”.
“Dijeni se çmimin e kësaj më së shumti do ta paguani ju si popull”.