Udhëtim në liqenin e Komanit- Një ditë fantastike për të promovuar një mrekulli shqiptare
Një udhëtim me varkë në liqenin e Komanit është përshkuar shpesh herë si një nga udhëtimet me varkë më madhështore në botë, duke kaluar nëpër pamjet e mrekullueshme të maleve të thepisura.
Për këtë, ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) mbështetën organizimin e një udhëtimi me anijen “Alpin” përgjatë liqenit të Komanit, ku më tepër se 500 të rinj nga Shqipëria dhe Kosova përjetuan një eksperiencë unike mes pejsazheve magjepse të natyrës dhe muzikës.
Julinda Dhame, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit (AKT) u shpreh për ATSH-në se, “Po punojmë që të bëjmë të mundur promovimin e destinacioneve me vlera turistike që më parë nuk kanë patur vëmendjen e duhur. Liqeni i Komanit ofron mundësi të shkëkqyera për zhvillimin e turizmit ditor me pejsazhin e thyer dhe tërheqës”.
Tashmë liqeni i Komanit një destinacion i shtuar në hartën turistike të Shqipërisë
Më tepër se 500 të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, të mbështetur nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) zhvilluan një shëtitje të mrekullueshme në itinerarin ujor Koman-Fierzë përgjatë liqeneve artificiale të krijuara prej ndërtimit të hidrocentraleve të veriut të Shqipërisë, që dhurojnë një copëz të vyer në mozaikun e turizmit natyror shqiptar. Përshkrimi i këtij segmenti ujor që përjetohet vetëm në këtë zonë të Shqipërisë ishte një përvojë unike, shoqëruar edhe nga tingujt e muzikës së dy DJ-ve gjermanë.
Udhëtimi me anije në liqenin e Komanit kalon përmes malesh që arrjnë 1000-1500 metra lartësi dhe npërmjet një serie liqenesh të thellë e të mekullueshëm dhe të ndërlidhur, ku me vështirësi gjen ndonjë shenjë të veprimtarive njerëzore në brigje.
Peisazhi i egër është disi i ngjashëm me fjordet norvegjeze dhe të ofron një pamje që nuk mund ta gjesh askund tjetër në vendin tonë.
Nisja që bëhet nga Fierza drejt Komanit në orën 09:00 -11:00 me tragetin ‘Alpin’, një shërbim me anije i rikthyer pas 5 vitesh mungesë, kushton vetëm 300 lekë ose 2,50 euro në klasin eknomik dhe 500 lekë ose 4 euro në klasin e I-rë. Ndërsa pagesat për mjetet ndryshon në varësi të madhësisë së makinave ku 1200 lekë apo 9 euro është për veturat e vogla. Ndërsa udhetimi nga Komani drejt Fierzës bëhet në orën 12:00 deri 14:00.
Në çdo udhëtim në tragetin “Alpin” mund të akomodohen me komoditet 250 persona, 170 prej të cilëve me ulëse. Në çdo udhëtim mund të transportohen 21 kamionë dhe 20 autovetura ose 60 autovetura.
Trageti “Alpin” ka edhe dhomën VIP që është një ndarje luksoze private për 10-12 persona dhe mund të merret në përdorim vetëm me rezervim. Ka shërbim të veçantë dhe shikon në liqen. Ndërsa dhoma biznes është një ndarje me 20 vende, shumë komode dhe mund të merret në përdorim vetëm me rezervim. Bari dhe restoranti ka ushqim të fresket, shërbim të klasit të pare dhe mikpritje për çdo udhëtar të Trageti “Alpin”. Ndërsa tarraca është vendi më i bukur i tregetit. Një vend që ofron pamje të parezistueshme, ku do mbetesh me aparat fotografik në dorë gjatë një udhëtimi që do të donit të mos mbaronte.
Liqeni i Komanit, një mrekulli shqiptare gati për t’u eksploruar
Liqeni i Komanit, i cili ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit me 600 mijë km/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km 2, gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 e.j., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare. Mungesa e një organizimi, qoftë prej autoriteteve lokale, qoftë prej agjencive turistike, e ka lënë krejtësisht në hije shfrytëzimin turistik të kësaj zone me potenciale të fuqishme, që po të shfrytëzoheshin edhe në mënyrë të pjesshme, do të ndikonin drejtpërdrejt në të ardhurat ekonomike të të gjithë zonës.
Duke u bazuar në të dhënat historike të hulumtuara, zona Koman – Pukë, përbën një bazë të fuqishme informacioni arkitektonik dhe historik të lulëzimit dhe shtrirjes së Perandorisë Bizantine.
Kultura e Komanit përfaqëson kulturën e herëshme shqiptare. Objektet e saj pjesërisht kanë tipare të ngjashme me ato ilire, pjesërisht kanë trajta të reja të cilat duhet të jenë krijuar gjatë shekujve të mëvonshëm. Ndikimi i kulturës romake, bizantine e sllave te objektet e kulturës materiale të Komanit është i kufizuar. Kjo provon se gjatë shekujve të mesjetës së herëshme, popullsia shqiptare e rrudhur në krahinat malore e ruajti kulturën e vet materiale të trashëguar nga koha antike, e pasuroi atë duke krijuar trajta të reja dhe i rezistoi asimilimit nga ana e kulturave romake, bizantine e sllave.
Nga të dhënat arkeologjike, materialet më të pasura janë zbuluar në nekropolin pranë fshatit Koman që ndodhet mbi një pllaje mali në krahinën e Pukës, jo shumë larg luginës së Drinit. Objekte të ngjashme me ato të Komanit u zbuluan edhe në vende të tjera të Shqipërisë si (brënda në Krujë, në Kepin e Rodonit, në Malin e Robit e gjetkë). Kultura materiale u zbuluar në këto vende ka marrë prej kohësh në historiografi emrin Kultura e Komanit. Objektet e kësaj kulture u zbuluan për herën e parë në Koman më 1898. Ato u gjetën në një shumicë varresh që bënin pjesë në nekropolin e një qëndre banimi të lashtë, sot të zhdukur. Pranë nekropolit ndodhen gërmadhat e dy kishave.