Ekonomia

Udhëzimi, ja procedurat e punësimit në mësimdhënie

Ministria e Arsimit dhe Ministria e Mirëqënies Sociale publikuan udhëzuesin për kriteret dhe procedurat për marrjen në punë të personelit të mësimdhënies teorike dhe praktike në institucionet publike te Agjencia e Formimit Profesional.

arAplikanti për mësues i kulturës së përgjithshme në institucionet publike të AFP-së duhet të ketë një diplomë nga një institucion i arsimit të lartë, për një nga fushat lëndore. Kjo lëndë lidhet me zhvillimin e kurrikulës së kulturës së përgjithshme të institucionit dhe duhet te ketë një diplomë të nivelit të dytë të studimeve universitare në fushën e edukimit, si dhe të ketë kaluar provimin e shtetit dhe të ketë marrë licencën si mësues.

Për aplikantin për mësues të kulturës profesionale në institucionet publike të AFP-së, duhet të ketë minimalisht një diplomë të nivelit Master profesional, për një nga profesionet që lidhet me zhvillimin e kurrikulës së kulturës profesionale të institucionit dhe të mos ketë masa administrative dhe penale në fuqi.

Aplikanti për mësues të formimit praktik në institucionet publike të AFP-së duhet të ketë një diplomë nga një institucion i arsimit të lartë, në një nga profesionet që lidhet me zhvillimin e kurrikulës së kulturës profesionale të institucionit. Gjithashtu, duhet të ketë jo më pak se 3 vjet eksperiencë pune në profilin teknik të aplikimit, të mos ketë masa administrative dhe penale në fuqi dhe përjashtimisht, kur pas 2 shpalljesh konkursi radhazi, nuk ka asnjë aplikant me arsim të lartë, do të pranohen aplikantë me arsim të mesëm profesional, sipas profilit teknik të vendit vakant.

Por cilat janë procedurat që duhen të ndiqen ?

Procedurat që do të ndiqen në rastin e marrjes në punë të personelit të mësimdhënies teorike dhe praktike me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit dhe formimit profesional, për aplikantët nuk duhet te kalojnë jo më shumë se 15 ditë kalendarike dhe afat për dorëzimin e dokumentacionit nga data e shpalljes së vendit vakant.
Kur krijohet një vend i lirë pune në personelin e mësimdhënies teorike dhe praktike në institucionet publike të AFP-së, drejtori i institucionit brenda 5 ditëve pune duhet të shpall njoftimin në faqen zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Për rastet e mësuesve të kulturës së përgjithshme, njoftohet DAR/ZA përkatëse, nëse ka të tillë nga lista e pritjes.

Gjithashtu, krijimi i vendit të lirë do të vlerësohet duke marrë në konsideratë largimin nga puna të një anëtari të personelit si dhe kritere që lidhen me normat për ngarkesën mësimore dhe numrin e nxënësve në institucion. Ndërsa për shpalljen e vendit vakant, drejtuesi i institucionit duhet që të marrë më parë miratimin nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale. Shpallja e vendit të lirë do të përmbajë afatin e aplikimit, si edhe kriteret e veçanta për aplikantin e kërkuar.

Dosja e aplikantit duhet të përmbajë dokumentacionin e kërkuar në bazë të njoftimit të vendit të lirë të punës, në të cilën do të përfshihen jetëshkrimi, kopjet e dokumenteve mbështetëse, të dhënat e aplikuesit, raporti mjeko-ligjor, deklarata e aplikuesit nëse ndaj tij nuk janë marrë masa disiplinore në punësimet e mëparshme si dhe dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se 3 muaj para datës së aplikimit. Afati i dorëzimit të dokumentacionit duhet të jetë jo më pak se 15 ditë kalendarike nga data e shpalljes së vendit të lirë. Nëse pas përfundimit të afatit, nuk paraqitet asnjë aplikant, afati i aplikimit do të shtyhet për 15 ditë të tjera kalendarike.

Ndërsa me aplikantin që shpallet fitues dhe punësohet në atë institucion, do të lidhet kontratë pune me kohëzgjatje të pacaktuar. Pothuajse e njëjta procedurë ndiqet dhe për marrjen në punë të mësuesve dhe instruktorëve me kohë të pjesshme në institucionet publike të arsimit dhe formimit profesional, ku pas shpalljes së njoftimit nga drejtori i institucionit publik, aplikantëve kandidatë iu vihen në dispozicion 10 ditë kalendarike për paraqitjen e dokumentacioneve përkatëse.

Ndërsa përsa i përket komisionit të vlerësimit në institucionet e formimit profesional ai do të përbëhet nga një përfaqësues i biznesit, anëtar i bordit të institucionit publik, një specialist me përvojën më të gjatë në institucionin ofrues të Formimit Profesional, si dhe nga një specialist i zgjedhur me short nga personeli mësimdhënës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button