Ekonomia

Ujëra të qeta, por paradoksalisht të turbullta

Tre lajme dominuan atmosferën ekonomike në Shqipëri këto ditët e fundit:

– Deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, që parasheh një ekonomi që po parkohet drejt një ekuilibri e ka shanse të mira për t’u zhvilluar më tej.

– Sondazhi i Institutit për Ndërmjetësim dhe Demokraci (Shqipëri) dhe Qendrës për Kërkime dhe Politikëbërje (Maqedoni) i cili tregoi se mbi 84% e kompanive shqiptare përfshihen në raste që fshijnë të ardhurat dhe se 52% e shqiptarëve nuk marrin një kupon tatimor sa herë që blejnë një mall apo një shërbim.

– Dhe Raporti i Organizatës Ndërkombëtare OXFAM, që e përfshin qeverinë shqiptare në 10-shen e fundit mes vendeve si Nigeria, Timori Lindor, Afganistani etj., më të keqen për të luftuar pabarazinë.

Secili lajm në vetvete ka rëndësi, por nga kryqëzimi i tyre me njëri- tjetrin, pesha e faktit bëhet më e rëndë.

Banka e Shqipërisë tha se rritja ekonomike, pak e papritur për tremujorin e fundit, erdhi nga rritja e konsumit të individëve dhe investimet e biznesit. Por investimet, nënvizon Banka, janë bërë me fondet e vetë sipërmarrjes, pasi rritja e kredisë ka qenë mjaft e moderuar.

Atëherë ku i gjeti fondet biznesi aq sa t’i japë rritjes ekonomike një shtysë “suprizuese”, siç thotë guvernatori, kur vjen nga një histori krize e ndrydhje kapitali? Megjithëse ka një ringjallje të besimit në ekonomi, ai mbetet i pamjaftueshëm. Por nëse do të merrnim në konsideratë sondazhin për informalitetin nga IDM, mbetet i përligjur konstatimi se një pjesë e këtyre kapitaleve rrjedhin nga informaliteti. Pra kemi një ekonomi që ushqehet nga të tjera rrugë që nuk lidhen me politikat e mira ekonomike dhe as nuk është pasqyrë e tyre.

Ky përfundim nuk është i ri, por mbetet shqetësues fakti se nuk është korrigjuar asgjë që do ta shkëpuste përparimin ekonomik, nga ngjarje rastësore, të paligjshme e me tepër risk. Nga ana tjetër, treguesit që ballafaquam po na dëshmojnë se politikat represive fiskale që ndoqi qeveria, duke rritur taksat dhe duke “burgosur” biznesin, nuk prodhojnë rritje ekonomike, por rezistencë ndaj saj.

Ndërkohë OXFAM, në raportin e saj të fundit, e shpjegon pabarazinë duke e lidhur atë me politikat e taksave që qeveritë, si në Shqipëri, bëjnë për të favorizuar të pasurit e ndëshkojnë të varfrit. Pra kemi një tablo të tillë: ndonëse kemi rritje ekonomike, ka refuzim të lartë për të paguar taksa e pabarazi. Të lidhura të tri këto raporte dëshmojnë se rritja ekonomike i mban ende shpresat paradoksalisht tek të varfrit, ndërkohë që ekonomia dhe sidomos  qeveria, dhe të pasurit, nuk po u japin atyre asgjë në këmbim. Por, për sa kohë do të kemi një funksionim të tillë, është e sigurt se jo vetëm zhvillimi do të jetë i ngadaltë, por shumë lehtë i cenueshëm.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, pasi foli për ecurinë ekonomike, “reklamoi” shpresë kur tha se “po shkojmë në një pikë që ekonomia po programon rritje, moment ky i vlefshëm për bizneset që të modelojnë normat e fitimit dhe të kenë rritje pagash”. Por a është ky momenti që prisnim, momenti kur ekonomia orientohet drejt rritjes së qëndrueshme?

OXFAM e lidh pabarazinë jo vetëm me dizekuilibrin e taksave në kurriz të më të varfërve, por dhe me faktin se qeveritë nuk por e përdorin rritjen ekonomike për të investuar në fusha si arsimi dhe shëndetësia, duke e lënë kështu të hapur pyetjen: pse na duhet rritja ekonomike dhe kush po e përdor atë. Nga ana tjetër, shkalla e lartë e informalitetit shpjegon edhe mosbesimin që kanë qytetarët se qeveria mund t’i përdorë drejt paratë e tyre. Është një korrelacion mes mosbesimit – qeverisjes – rritjes ekonomike – taksave dhe pabarazisë që nuk e shmang dot. Qeveritë në vendin tonë i shikojnë këto pjesë të veçuara, ndaj dhe shpesh kanë hyrë në qorrsokak.

Raporti i Bankës së Shqipërisë mund të ketë sjellë buzëqeshjen, por nëpër rreshta vëren se rritja ishte mbi parashikimin dhe se nuk përfaqëson trend në kohë më të gjatë. Pikërisht ky përfundim, që vjen nga një prej të paktave institucione kredibël në vend, duhet të vërë në mendime qeverinë, se dhuna në emër të ligjit, si një përligjje e paaftësisë për të menaxhuar me politika të mira dhe padrejtësia që ka zëvendësuar drejtësinë, do të mbajnë gjithmonë peng mirëqenien dhe se sukseset e përkohshme nuk janë kurrë një mision i arritur. Për momentin mund të thuhet se po lundrojmë në ujëra të qeta, por ende të turbullta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button