Ukraina para humnerës ekonomike
Për të shmangur falimentimin shtetëror dhe për të marrë kredi të huaja, Ukraina po rrit çmimet e energjisë për familjet dhe po shkurton përfitimet sociale. Një pjesë e madhe e popullsisë kërcënohet nga varfëria.
“A mos të ha më vallë?” Pensionisti nga Kievi Valeri mundohet të buzëqeshë, por në zë i ndjehet hidhërimi. Pensioni i tij është rreth 30 euro. Por për shkak të inflacionit ai është në gjendje të blejë gjithnjë e më pak nga këto para. Deri tani qeveria në Kiev parashikonte një nivel inflacioni prej rreth 13 përqind. Tani ajo e ka rishikuar prognozën në ngjitje dhe pret një inflacion dyfish më të lartë. “Buxheti aktual, që u miratua në dhjetor të vitit të kaluar, bazohej në të ardhura të caktuara, që konstatohen të kapërcyera”, thotë Robert Kirchner i grupit këshillues gjerman pranë qeverisë ukrainave në bisedë me DW. Krahas inflacionit në rritje në Kiev është shtuar pesimizmi edhe në lidhje me rrudhjen e prodhimit të brendshëm bruto. Prandaj parlamenti ukrainas do ta ndryshojë buxhetin me 3 mars.
Pjesën më të madhe të pensionit të tij, gjithsesi modest, Valeri e jep për të paguar energjinë elektrike, ujin dhe ngrohjen. Për shpenzime të tjera nuk mbeten më para. “Nuk e di se çfarë do të bëj pas rritjes së çmimeve”, thotë ai.
Rritje e çmimit të gazit 280 për qind
Ashtu si miliona ukrainas të tjerë Valeri ndjek me shqetësim lajmin e rritjes së afërt të çmimeve për konsumatorin privat. Energjia elektrike do të shtrenjtohet me 40 për qind nga 1 marsi. Shpenzimet për ngrohje së shpejti do të rriten me 60 për qind. Rritje të madhe do të ketë çmimi i gazit. Kryetarja e Bankës Kombëtare të Ukrainës, Valeria Hontareva, njoftoi se gazi do të shtrenjtohet me 280 për qind.
Arsyeja janë bisedimet për kreditë e reja me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Eshtë fjala për rreth 17,5 miliardë dollarë amerikanë. Ukraina dëshiron të zgjerojë kreditë tashmë të dakorduara dhe të zgjasë afatin prej dy në katër vjet. Një pjesë e madhe e parave këtij vendi evropianolindor i nevojitet për të shlyer kreditë e mëparshme.
Vetëm Rusia do që deri në fund të vitit t’i kthehen tre miliardë dollarë amerikanë. FMN tregohet e gatshme për t’i ardhur në ndihmë Kievit. Por si parakusht Ukraina duhet të kryejë ndër të tjera rritjet e çmimeve për konsumatorin privat. Vendimi i FMN-së pritet në fillim të marsit.
Valuta shtetërore hryvnia në rënie rekord
Që nga fundi i vitit 2013, Ukraina ndodhet gati në prag të bankrotit shtetëror. Atëherë qeveria e presidentit prorus Viktor Janukoviç pranoi se thesari i shtetit ishte bosh. Pas ndryshimit të pushtetit në Kiev dhe shpërthimit të konfliktit të armatosur në Ukrainën lindore, situata u përkeqësua në mënyrë dramatike. “Për shkak të luftës në Ukrainë nuk vijnë investorë”, pohon ekonomisti Kirchner. Edhe valuta shtetërore hryvnia është në rënie rekord.
Në fund të dhjetorit qeveria në Kiev planifikoi në mesataren vjetore një kurs të dollarit amerikan me 17 hryvnia. Dy muaj më vonë ky parashikim duhet rishikuar në ngjitje, në 21 hryvnia. Por edhe kjo tashmë është tejkaluar. Një dollar amerikan kushton në zyrat e këmbimit në Kiev tashmë më shumë se 30 hryvnia.
Të gjitha shtresat e popullsisë kursejnë
Ndërsa nga njëra anë çmimet rriten, qeveria do që të shkurtojë në anën tjetër shpenzimet sociale. Pensioni minimal për shembull nuk do të ngrihet para dhjetorit 2015. “Pas votimit të parlamentit për buxhetin e ri ukrainasve do t’u duhet të shtrëngojnë edhe më shumë rripin”, thotë ekonomisti nga Kievi Andrij Novak në bisedë me DW. “Një pjesë e madhe e popullsisë do të jetojë përtej kufirit të varfërisë.”
Prandaj jo vetëm pensionistët dhe njerëzit me të ardhura të ulëta janë të shqetësuar. Edhe ata që fitojnë më mirë, janë të shqetësuar, si familja Savçuk. Çifti Ihor dhe Maria, të dy nga fundi i të tridhjetave, jetojnë me të tre fëmijët e tyre në një shtëpi pranë kryeqytetit Kiev. Ihor ka një biznes të vogël, gruaja e tij rri në shtëpi me fëmijët. Edhe ata mendojnë të kursejnë. “Ne jemi duke menduar që të instalojnë një kazan për ngrohje me biomasë, por ai është shumë i shtrenjtë”, thotë Ihor. “Ose duhet të reduktojmë në minimun konsumin e gazit.”
Lufta si rrezik i pakalkulueshëm
Vëzhguesit në Kiev pyesin veten, se si mund të ndikojë në frymën në vend gjendja gjithnjë e më e keqe ekonomike. Një e treta e popullsisë është e gatshme të rezistojë edhe një vit – duke supozuar se do të ketë reforma. Në këtë përfundim arriti Qendra Razumkov, një instituti studimor në Kiev, me një sondazh të tijin. Por gati po kaq shumë ukrainas, 29 përqind, nuk duan të durojnë rënie të mëtejshme. Ata mendojnë se situata e tyre është tashmë gjithsesi e padurueshme.
Këtu ekonomistët paralajmërojnë nga lufta si një rrezik i pallogaritshëm. “Nëse konflikti zgjat, qeveria do të duhet që të rillogarisë sërishhpenzimet e saj ushtarake dhe pagesat për kreditorët e huaj”, thotë Andrij Novak. Edhe Robert Kirchner ka mendim të ngjashëm: “Nëse lufta përfundon, paratë do të mjaftojnë.” Se kur do të ndodhë kjo, nuk mund të parashikohet. Deri tani një paqe e qëndrueshme në Ukrainën lindore duket e pamundur. Shumë vëzhgues mendojnë se në pranverë do të ketë luftime të reja ndërmjet separatistëve prorusë dhe ushtrisë ukrainase.