Ukrainës i mbarojnë raketat interceptuese Patriot, pothuajse asnjë raketë balistike e sulmit të fundit nuk u kap
Një burim i njohur me situatën i tha CNN-it se Ukraina ka mbetur pa raketa për sistemin amerikan të mbrojtjes ajrore Patriot, duke u bërë më e cenueshme ndaj sulmeve balistike ruse.
Ukraina ka mbetur pa raketa interceptuese për sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot, siç njofton CNN në një raportim ekskluziv të publikuar të enjten. Lajmin e ka dhënë një burim i njohur me situatën, sipas të cilit stoket për këtë sistem të prodhimit amerikan janë shteruar plotësisht.

Një lëshues i sistemit Patriot (foto arkiv)
Sistemet Patriot bëjnë pjesë te të paktat armë mbrojtëse që mund të rrëzojnë raketa balistike. Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëron prej muajsh se rezervat po shkojnë drejt fundit dhe i ka kërkuar vazhdimisht Uashingtonit që t’i japë Kievit licencë për t’i prodhuar vetë interceptuesit në vend.
Këto raketa janë shumë të kushtueshme dhe mungesa e tyre ndihet në shkallë botërore. Vende të tjera ose i kanë harxhuar rezervat e tyre, ose po i ruajnë për të forcuar mbrojtjen e vet, në një kohë kur lufta në Iran ka rritur kërkesën për sisteme të tilla.
Sipas CNN-it, burimi ka thënë se në sulmin e fundit pothuajse asnjë raketë balistike nuk u kap në ajër, pikërisht për shkak të mungesës së interceptuesve. Ai sulm, i kryer gjatë natës drejt së mërkurës, goditi tri centrale energjetike në Kiev dhe infrastrukturë energjetike në Kharkiv. Vetëm në kryeqytet u vranë katër persona dhe u plagosën 25 të tjerë.
Nuk besohet se është hera e parë që Ukraina mbetet krejtësisht pa interceptues Patriot. Në mes të gushtit, zyrtarë ukrainas patën deklaruar se vendi ishte pothuajse në fund të rezervave dhe dispononte vetëm një të dhjetën e sasisë që i nevojitej urgjentisht. Ndërsa licenca e prodhimit, për të cilën u diskutua në shtator, nuk u bë asnjëherë realitet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.