Ekonomia

Ulja e kredisë me probleme, sfidë e sistemit bankar për gjallërimin e ekonomisë

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e linjës do të përcaktojë brenda muajit dhjetor 2015, fatin e 35 kompanive që kanë peshën më të madhe të kredive të këqija, se sa do të shkojnë për ekzekutim, faliment apo ristrukturim.

Ekspertë të bankave, përfaqësues nga Shoqata Shqiptare e Bankave thanë se, plani i masave që do të ndërmarrin autoritetet në lidhje me zgjidhjen e kësaj çështje, synon t’i hapë rrugë ngërçit më të mëdh të ekonomisë, atë të kredive me probleme.

Të dhënat zyrtare tregojnë se janë 35 kompani që kanë rreth 65 miliardë lekë ose 550 milionë dollarë kredi të këqija ose që zënë mbi 52 për qind të totalit të kredive me probleme. Në fund të tremujorit të dytë, kreditë e këqija ishin rreth 20.3 për qind e totalit, ose mbi 110 miliardë lekë.

Banka e Shqipërisë në raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit njoftoi se, kredia e ristrukturuar nga bankat shënoi nivelin e 10 miliardë lekëve në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit.

Plani i veprimit ndërinstitucional dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për nxitjen e kreditimit dhe uljen e kredive me probleme (NPL), po nxisin rënien e treguesit të NPL-së nga muaji në muaj.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në muajin gusht niveli i kredive me probleme u ul në nivelin 21%, nga 21.1% që shënoi një muaj më parë.

Ulja e kredive me probleme gjatë muajve të fundit ka ardhur kryesisht nga fshirja e kredive të humbura nga bilancet e bankave tregtare, proces i nxitur nga ndryshimet rregullatore të miratuara nga Banka e Shqipërisë.

Ndërkohë që ulja e mëtejshme e kredisë me probleme mbetet sfidë në planet afatshkurta të sistemit bankar, si faktor kyç në gjallërimin e ekonomisë në vend.

Për 8-mujorin, fitimi i përbashkët i 16 bankave të sistemit arriti vlerën e 11 miliardë lekëve, në rritje të mëtejshme nga niveli 9.8 miliardë lekë i 7-mujorit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button