Ulqin: Ngecin negociatat për blerjen e objektit të braktisur në Kala — pronarët i dërgojnë urgjencë Nimanbegut
Negociatat për blerjen e objektit të papërfunduar në Kalanë e Ulqinit janë bllokuar, sipas raportimit të gazetës malazeze Vijesti. Ekspertiza e vlerësimit të pronës, me vlerë rreth 1,4–1,5 milionë euro, ka përfunduar që në korrik të vitit 2025, por dokumenti nuk iu dorëzua kurrë palës së interesuar.
Pronarët e objektit, firma “SJ Property” nga Podgorica — pronare e pronës që nga viti 2018 — i dërguan në mes të shtatorit një urgjencë kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegut, duke i kërkuar vlerësimin zyrtar dhe ofertën e blerjes, nëse Komuna është ende e interesuar.
Nimanbegu thotë se vlerësimin ua kishte dërguar me email dhe me postë që në qershor, por sipas urgjencës së pronarëve dokumenti nuk ka mbërritur kurrë në destinacion.
Objekti, pa asnjë punim për më shumë se një dekadë, është kthyer në një rrënojë të mbuluar nga bimësia, të cilën vendasit e shohin si njollë që dëmton imazhin e kalasë antike. Në tryezë janë dy oferta: kompensimi me tokë në Pinjesh ose në Fushën e Ulqinit, ose blerja e objektit bashkë me tokën përkatëse.
Siç njofton Vijesti, edhe qeverisja e kaluar e Komunës, në vitin 2022 nën kryetarin e atëhershëm Omer Bajraktari, kishte ofruar blerjen e objektit — por marrëveshja nuk u finalizua as atëherë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.