Kronika

Ulqini: RTSH, larmi programacioni për të gjitha grupet sociale

Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini, si relator i raportit të veprimtarisë vjetore të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar për vitin 2018, gjatë fjalës së tij në Kuvend, të enjten, theksoi se Radio Televizioni Shqiptar nga vdekja klinike ku ishte sot ofron transmetim në një paketë televizive me 13 kanale, ndërsa shtoi se RTSH është kthyer në pararojë për respektimin e pakicave kombëtare.

Sipas deputetit Ulqini, RTSH dy vite më parë për shkak të imponimit antiligjor të opozitës ishte në vdekje klinike, por tashmë ajo ka përparuar dhe nga një kanal, tashmë ka 13 kanale në transmetim dixhital dhe 10 kanale satelitore.

“Gjatë vitit 2018 komisioni ynë ka pasur në fokus të veçantë RTSH-në. Shkak u bë fakti që vitin e shkuar RTSH kishte një punë të madhe për të realizuar kalimin nga transmetimi analog në atë dixhital. Ne kemi bërë diskutime në komision. Kemi qenë dhe në mjediset e RTSH-së për ta parë nga afër këtë proces. Me problemet e veta, me sfidat dhe me arritjet”, – tha Ulqini.

“Si relator i Veprimtarisë së RTSH-së, si njeri që e ka ndjekur në vazhdimësi atë që ka ndodhur në RTSH, që në vitin 1992 dua të theksoj se ne shohim dy shtylla në vlerësimin e raportit. E para, detyrat që Kuvendi paracakton te rezoluta. E dyta, si transmetuesi publik ka realizuar te deklarata e qëllimit këto detyra”, – tha Ulqini.

“Vetëm dy vite e gjysmë më parë RTSH si asnjëherë tjetër ishte në vdekje klinike. Kishte dy vite e gjysmë që s’kishte zgjedhur Këshillin Drejtues për shkak se opozita, e cila kishte miratuar ligjin për ngritjen e Bordit të RTSH-së me konsensus e bllokoi ngritjen e bordit drejtues të RTSH-së, sepse kërkoi të imponohej duke shkelur thelbin e vetë ligjit, atë pjesë që lidhet me konsensusin, që shpallet përmes një gare që publiku e ka ndjekur, duke lënë RTSH-në pa drejtor për dy vite e gjysmë”, – tha Ulqini.

“Por sot, pas dy vitesh e gjysmë RTSH funksionon në bazë të një statusi, një dokumenti që qartëson gjërat. Që s’ka qenë dhjetë vite rresht. Mbi bazën e parimeve editoriale, mbi bazën e një marrëveshje me AMA-n që lidhet me shërbimet. Ka bërë një ndryshim rrënjësor strukturor, kemi katër njësi jo më 30 drejtori. Administrata është vendosur në funksion të cilësisë dhe larmishmërisë së programeve”, – tha Ulqini.

“Mbi të gjitha sot RTSH, nuk ka më një kanal, por ka një paketë me 13 kanale, 3 kanale të përgjithshme dhe 7 kanale të dedikuara. Në transmetimet satelitore janë 6 kanale dhe 4 radio, pra dhjetë kanale totale. Ndërkohë që Radio Tirana ka pesë kanale. Secili nga ne ka mundësi të ndjekë gjithë paketën e RTSH-së përmes një smartphone. Janë 350 000 përdorues, teksa para një viti e gjysmë s’kishte asnjë. Sot RTSH mbulon 97% të popullsisë me sinjal shumë të pastër, pasi është bërë 20 milionë euro investim, për të kaluar në transmetime dixhitale, asnjë në Shqipëri s’ka arritur këtë kapacitet, që është shumë i rëndësishëm”, – tha deputeti socialist.

“Shtatë kanalet e dedikuara, Shqip, Sport, Film, Lajme 24 orë, Kuvendi, të gjitha këto programe dhe tre kanalet e përgjithshme dhe shtatë kanalet e dedikuara kanë mundësi të sjellin një larmishmëri programi që s’ka grup social që se gjen veten në RTSH. RTSH-ja, shtoi Ulqini, është pararojë në Ballkan për trajtimin e pakicave kombëtare, kanali i dytë është i përgjithshëm që transmeton në pesë gjuhë të minoriteteve në Shqipëri”, – theksoi deputeti Ulqini.

“Sfidat janë të mëdha, audienca është sfida e madhe, dixhitalizimi brendshëm, pasi ka rëndësi që arkiva dhe të gjitha pjesët e tjera të funksionojnë sipas teknologjive të reja. Duhet plotësuar Këshilli Drejtues për ato vende që i kanë mbaruar mandati. Duhet të rrisim kontrollin”, – shtoi Ulqini gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku pritet të miratohet dhe Raporti i Veprimtarisë Vjetore të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar për vitin 2018.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button